Dhurata, akomodim, dekorime: Afër 200 mijë euro i kushtoi buxhetit të shtetit forumi i organizuar nga Osmani (Dokument) - NACIONALE

Dhurata, akomodim, dekorime: Afër 200 mijë euro i kushtoi buxhetit të shtetit forumi i organizuar nga Osmani (Dokument)

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Më datë 22 e 23 tetor, në Kosovë u mbajt Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Mes kritikave se u ftuan shumë burra, u injoruan luftëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aktivistet që kontribuan gjatë historisë, eventi i organizuar nga Presidenca e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i ka kushtuar buxhetit të shtetit afër 200 mijë euro. Dhurata, akomodim, dekorime, vetura me qira, në çka tjetër u shpenzuan këto para?

Rreth 500 pjesëmarrës, nga 33 shtete, qëndruan në Prishtinë për dy ditë të muajit tetor, ku morën pjesë në një forum të organizuar nga Presidenca e MPJD-ja.

Sa i kushtoi buxhetit të shtetit ky organizim?

Gazeta Nacionale përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, nga Zyra e Presidentes ka konfirmuar se Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka kushtuar plot 194 mijë e 211 euro.

Nga ky institucion, na kanë thënë se shpenzimet janë ndarë mes dy organizatorëve, pra mes Zyrës së Presidentes dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Kështu, Nacionales i është thënë se shpenzimet janë mbuluar nga këto dy institucione në bazë të shërbimeve që secila prej tyre ka ofruar.

Zyra e Presidentes ka paguar 133 mijë e 544 euro, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbuloi shpenzime në vlerë të 60 mijë e 667 euro.

Nacionale ka mësuar se edhe ku u shpenzuan këto para. Nga biletat e disa të ftuarve nga jashtë dhe panelistëve, e deri te dekorimi i sallave, mjetet janë mbuluar nga institucionet e Kosovës.

Më poshtë, gjeni edhe listën e plotë se për çfarë u paguan afër 200 mijë euro:

-Biletat e disa të ftuarve nga jashtë dhe panelistëve

- Shërbime të përkthimit

- Shërbime të zërimit

- Dhurata dhe shërbime protokollare

- Vetura me qira dhe shërbime të tjera të transportit

- Shërbime të PR-it, përfshirë blerja e domain-it, dizajnimi, mirëmbajtja dhe histong-u i uebfaqes, shërbimet e brendingut/dizajnimit të konceptit kreativ të Forumit, dizajnimin dhe printimin e të gjitha materialeve promovuese

- Furnizim me flamuj

- Shërbime të binave

- Shërbime të ndriçimit

- Akomodim të të ftuarve nga jashtë

- Dreka dhe darka gjatë Forumit

- Shërbime të printimit për materialet gjatë forumit

- Sallat e takimeve dhe hapësirat në të cilat janë organizuar sesionet e Forumit

- Dekorimi i sallave

Kritikat ndaj 'edicionit' të parë

Mes shumë folësve, siç përmendet edhe në përgjigjen e presidencës për Nacionalen, që kanë qenë rreth 500 të ftuar, Osmani u kritikua pasi u vërejt mungesa e grave që kontribuan në UÇK dhe drejt pavarësisë së vendit.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, nuk ishte e ftuar në këtë forum, gjë që kishte shkaktuar një reagim të ashpër nga ajo.

Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Musliu kishte deklaruar se “historia e grave nuk fillon dhe nuk mbaron me Vjosa Osmanin”.

Historia e grave të Kosovës në garantimin e paqes dhe sigurisë as nuk fillon e as nuk mbaron me Vjosa Osmanin! Ajo edhe njëherë u dëshmua se nuk i pranon dot afer vetes heroinat e gjalla të Kosovës. Jemi një Komb qe trashigojmë menqurinë dhe guximin e grave me shekuj! Ministri I FSK-së paska thënë se: ‘Ushtria konsiderohet ende si vend për burrat dhe këtë duhet ta ndryshojmë…’ Paska harruar se inkuadrimi i grave e vajzave në UÇK të motivuar nga Shote Galica, Nora e Kelmendit, Bubulina, Micja, Mbretresha Teutë e gra tjera heroina, kanë sfiduar mendesinë e secilit njeri qe mendon si Armend Meha”, kishte deklaruar deputete Musliu.

Ish-deputetja e Melihate Tërmkollit, e kishte quajtur presidenten “Fake”, apo në shqip, “të rreme”, derisa kishte shtuar “nderim të gjitha grave që punuan e sakrifikuan dhe ende punojnë për këtë vend”.

Historia, pra edhe roli dhe kontributi grandioz i grave shqiptare për Liri, Pavarësi, Paqe e Demokraci, nuk mund të fshehet nga askush, aq më pak nga një " Fake Presidente". Nderim të gjitha grave që punuan e sakrifikuan dhe ende punojnë për këtë vend!”, kishte thënë ajo.

Gazetari Parim Olluri, kritikonte Osmanin se ftoi në forum emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, por jo edhe gratë që luftuan për vendin.

Presidentja Osmani paska harruar qe t’iu bëjë ftesë si folese në koferencën për rolin e grave luftëtareve të UÇK-së,Time Kadrijajt dhe Shqipe Selimit. Por, nuk paska harruar që t’i bëjë ftesë Lajçakut. Pak servilizem ndaj ndërkombtarëve, pak urrejtje ndaj grave që i kanë kap edhe armët për Kosovën. Ndaj grave qe kontributin e tyre për Kosovën nuk e kanë kufizuar në deklarata pompoze gjate fushatave zgjedhore”, ishte shprehur ai.

Organizimi ishte kritikuar edhe për një arsye tjetër. Krejt kjo, për shkak se nuk kishte pasur asnjë të ftuar nga Qeveria e Shqipërisë, që drejtohet nga Edi Rama.

Nacionale kishte tentuar të marrë përgjigje nga presidenca në lidhje me këtë, derisa nuk dihej arsyeja e mungesës së zyrtarëve nga Qeveria Rama, e cila ka më së shumti gra në kabinetin e saj në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, në forum, kishte pasur të ftuar nga dy shtetet tjera fqinje, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ku pjesëmarrës ishin zëvendëskryeministri Artan Grupi dhe zëvendëskryeministrja Jovana Marovic.

Lajme të ngjashme