400 pjesëmarrës nga 36 vende, çka është Forumi për Gratë që e organizon presidentja Osmani? - NACIONALE

400 pjesëmarrës nga 36 vende, çka është Forumi për Gratë që e organizon presidentja Osmani?

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Nesër në Prishtinë fillon "Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë", një konferencë ndërkombëtare që mbahet nën organizimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Sipas Presidencës, Forumi dy ditorë pritet t’i këtë 400 pjesëmarrës, përfshirë 126 folës që do të trajtojnë cështje të ndryshme.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se temë e këtij forumi do të jetë ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme.

Tutje, shefja e shtetit ka thënë se Forumi do të tentojë të ndërgjegjësojë botën për nevojën e promovimit të grave.

"Forumi është platformë edhe për rritjen e ndërgjegjësimit për nevojë për të rritur dhe promovuar aftësitë e grave për të kontribuar në paqe dhe siguri. Edicioni i parë i forumit do t’i kushtohet trashëgimisë së ish-sekretarit të SHBAS-së, Madeleine Albright. Do të zhvillohen 16 panele, ku do të diskutohet për çështje të ndryshme, për arkitekturën e sigurisë, përfaqësimin e grave, përballjen me të kaluarën, drejtësinë tradicionale, dhunën ndaj grave, fuqizimin ekonomik të grave etj”, është shprehur Osmani.

Deputete dhe aktiviste të drejtave të grave e kanë konsideruar më rëndësi të madhe për Kosovën mbajtjën e këtij forumi, duke theksuar përfitimet diplomatike dhe politike për shtetin kosovar.

"Kosova storie suksesi"

Deputetja e Kuvendit nga radhët e Listës Guxo, Jeta Statovci, që do të mbajë një fjalë në këtë Forum, e vlerëson lartë organizimin, duke e konsideruar më të rëndësishmin për Kosovën.

Në një përgjigje për Nacionalen, Statovci thekson se Kosova po e rikonfirmon vullnetin e saj për të qenë kontribuese aktive në përpjekjet e vendeve demokratike për t’i përballuar sfidat globale.

Kosova është një nga vendet që ka pësuar shumë nga sistemet që kanë cënuar të drejtat dhe liritë themelore e nga ana tjetër është një nga vendet që ka përfituar më së shumti nga përhapja e demokracisë, ndaj, për Kosovën, ky edicion i këtij forumi, ka një rëndësi të dyfishtë, pra jo thjeshtë dhe vetëm si një nga vendet që i bashkohet aksionit të vendeve të avancuara si zotim i Samitit për Demokraci që është mbajtur në SHBA, por edhe si një nga vendet “success story”, se si demokracia dhe paqja rrëzojnë paradigma që justifikojnë cenimin e të drejtave të njeriut”, tha Statovci.

Me tutje deputetja Statovci flet për rëndësinë e fuqizimit të grave në shoqëri dhe për demokracinë në vend.

Shoqëria Kosovare, pikërisht me nisma si kjo, ka arritur një progres i cili sot është i dukshëm. Kemi arritur të kemi shumë gra nëpër institucione, duke shpërfaqur idenë se gruaja në politikë, nuk shihet më aspak si tabu në Kosovë. Por gruaja sipërmarëse në ekonominë e lirë të tregut tonë, qëndron akoma në nivel të pakënaqshëm. Andaj, nismat tona shoqërore e institucionale, të ndihmuara nga brenda e jashtë, siç është edhe kjo e sotmja, duhet të vazhdojnë meqë akoma nuk kanë përfunduar tërësisht misionin e vet. Kujtojmë se aty ku gratë janë të shtypura, shtypen edhe fëmijët zakonisht, e ku shtypen fëmijët krijohen traumat të cilat barten pastaj te shoqëria në përgjithësi”, shtoi ajo.

Edhe për aktivisten për të drejta, Luljeta Demolli, që po ashtu do të jetë folëse në këtë ngjarje, mbajtja e këtij forumi është shumë e rëndësishmë për Kosovën.

Në një përgjigje për gazeten Nacionale, Demolli flet për përfitimet politike dhe diplomatike të Kosovës nga Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Kosova përfiton jashtëzakonisht shumë edhe në nivel diplomatik dhe politik ngase pjesmarrëse do të jenë shumë gra politikane, aktiviste të zëshmë të botës, dhe është tejet më rëndësi se në këtë forum do të diskutohet për paqën, sigurinë dhe eliminimin e konflikteve. Ky forum është një rast i veçantë për Kosovën, ngasë për herë të parë Kosova ka pritë një numër kaq të madh grash dhe aktivistësh nga e gjitë bota, aktiviste me ndikim në botë. Gjithashtu, ka rëndësi ngase rekomandimet që do të dalin nga ky forum do t’i dërgohen depertamentit të shtetit amerikan dhe do mund të jenë pjesë e samitit të Bidenit, që do të mbahet në vitin e ardhshëm, për të njëjtën çështje”, tha ajo.

Edicioni i parë i forumit do t’i kushtohet trashëgimisë së ish-sekretares amerikane Madeleine Albright, e cila vdiq muaj më pare, ku e ftuar special është vajza e saj, Alice Albright.

Në agjendën e bërë publike, në këtë Forum, krahas Osmanit, fjalë rasti do të mbajë edhe kryeministri Albin Kurti, e ministrja e Jashtme Donika Gërvalla.

Ndërsa, një adresim nëpërmjet një video-mesazhi do ta bëjë edhe sekretari i SHBA-së, Antony Blinken.

Në Forumin dy-ditorë do të trajtohen disa tema, përfshirë gratë në botën vazhdimisht të ndryshueshme të arkitekturës së sigurisë dhe atë se cfarë ofrojnë gratë në tavolinën e dialogut dhe proceseve të paqës nëpër botë.

Lajme të ngjashme