Inati që u mbrojt Thaçi në OKB apo diçka më shumë: Çka e nxiti Vjosa Osmanin ta sulmonte Edi Ramën? - NACIONALE

Inati që u mbrojt Thaçi në OKB apo diçka më shumë: Çka e nxiti Vjosa Osmanin ta sulmonte Edi Ramën?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Këto kritika erdhën disa ditë pasi Rama mbrojti ish kundërshtarin e saj politik Hashim Thaçin në OKB. A janë këto kritika të mbrujtura me inat apo kanë përmbajtje?

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një tjetër paraqitje denoncuese ndaj Gjykatës Speciale.

Rama kësaj here foli në një platformë shumë më serioze, Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), para shumë liderëve tjerë shtetërorë.

“Ish- presidenti i Kosovës është arrestuar pa aktakuzë dhe kishte pritur një vit në paraburgim derisa formalisht u ngrit aktakuza ndaj tij. Të gjithë ju, imagjinojeni për një moment, presidenti juaj ose kryeministri, udhëheqësit e vendeve tuaja, të merret në paraburgim në një vend të tretë për një vit të tërë pa asnjë aktakuzë zyrtarisht nga një trup i krijuar dhe i sponzorizuar nga një komunitet i vendeve demokratike,” – tha mes tjerash ai.

Unitet?

Këto fjalë prodhuan jehonë politike përbashkuese në Kosovë. Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, vlerësoi lart fjalimin e Ramës në OKB:

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, edhe sot, sikur secilën herë tjetër gjatë mandatit të tij, qëndroi në mbrojtje të vlerave të luftës së drejtë të UÇK-së dhe udhëheqësve të saj. Edhe në OKB, Kryeministri Rama e përsëriti të vërtetën tonë të përbashkët.”

Megjithatë, kishte pasur reagime edhe përtej partisë së cilës i takonin Thaçi e Veseli dhe përtej njerëzve të krahut të luftës.

Avdullah Hoti, ish kryeministër që kishte pasur përplasje të ashpra, veçanërisht me z. Kadri Veseli, e përshkroi fjalimin e Ramës me këto fjalë:

“Kështu duhet parë fjalimin e Kryeministrit Rama në OKB: Derisa Kosova 🇽🇰 të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë, Shqipëria 🇦🇱 mbetet zëri i jonë, krahas vendeve mike që kanë mbështetur përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e pavarësi.”

Në fjalime të mëparshme, edhe kryeministri Kurti ka denoncuar mbajtjen e gjatë në paraburgim të ish krerëve të UÇK-së dhe është ankuar për shkeljen e të drejtave të tyre. Edhe më i rëndë me fjalë ka qenë Glauk Konjufca që është shprehur më herët se raporti i Martyt ishte i porositur nga Rusia.

Megjithatë, kësaj here pushteti i ri nuk i ka bërë jehonë fjalimit të Edi Ramës.

Apologjia ndaj Serbisë

Presidentja Vjosa Osmani nuk ka folur për pjesën e fjalimit të Ramës ku mbrohet Thaçi me të tjerët.

Sidoqoftë, ajo sulmoi kryeministrin shqiptar për një gjë tjetër: po i shpëtonte fytyrën Shqipërisë.

“...unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë pavarësisht se a janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut Mali i Zi, Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës, qoftë shqiptarëve." – ka thënë mes tjerash ajo në një intervistë të shkurtër për Zërin e Amerikës.

Por, a po i pengon Osmanit më shumë apologjia e Ramës për Serbinë apo apologjia e Ramës për Thaçin?

Nuk mund të mohohet, se kryeministri i Shqipërisë ka zgjedhur tjetër rrugë politike në raportet me Serbinë. Ai nuk ka përmendur mundësinë e luftës në Kosovë, nuk ka sulmuar pozicionin e Serbisë ndaj Rusisë dhe ka kërkuar më shumë tolerancë nga Bashkimi Evropian për presidentin serb Vuçiq.

Rama ka përsëritur këto qëndrime vazhdimisht gjatë këtyre muajve.

“Por është një shtet (Serbia) që jashta çdo pritjeje – as unë nuk e kisha pritur, t’ju them të drejtën, dhe as që e thirra Aleksandrin sepse kisha frikë mos më thoshte, më vjen keq se ne duhet të shkojmë në anën tjetër, dhe ky do të ishte fundi i çfarëdo raporti – dhe po mendoja se kjo do të na mërziste. “Tri herë kundër Rusisë, duke u rreshtuar me BE-në dhe krejt Perëndimin. Votoi edhe që ta përjashtonte Rusinë nga Këshilli për të Drejta të Njeriut. Kësisoj, e kuptoj kërkesën për t’i bërë presion Serbisë por nuk mund ta kuptojë gjithë atë presion që i bëhet sa i përket kërkesës për t’i vënë sanksione Rusisë.“ – kishte thënë Rama para tre muajsh në Samitin Bashkim Evropian – Ballkan Perëndimor.

Megjithatë, kësaj here fjalët që i jehuan më shumë në fjalimin e tij në OKB ishin ato mbi UÇK-në dhe raportin e Dick Martyt.

Osmani nuk ka qenë aq direkte në sulmet e saj ndaj pozicionit të Ramës paraprakisht, megjithëse ky i fundit ka shpalosur qëndrimet vazhdimisht dhe pa ngurrim.

Ish ambasadorja e Kosovës në ShBA dhe nënkryetarja aktuale e PDK-së, Vlora Çitaku, konsideron se pikërisht “urrejtja” ka nxitur të paktën heshtjen e znj. Osmani.

“Kur urrejtja për një njeri është më e madhe se dashuria për Kosovën. Kaq për heshtjen shurdhuese të Presidentes, Kryeministrit, Ministres së Jashtme, karshi fjalimit të Kryeministrit Rama dje në OKB.” – ka shkruar ajo.

Lajme të ngjashme