Gozhdohet Presidentja Osmani: Në Forumin për Gratë dhe Paqen ftoi shumë burra, por jo luftëtaret e UÇK-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxitur shumë reagime për organizimin eForumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet për herë të parë Kosovë.
Në ditën e parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, presidentja është kritikuar se për këtë forum ka injoruar luftëtaret e shquar të UÇK-së dhe disa aktiviste që kanë kontribuuar me dekada për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Shefja e shtetit kishte ftuar diplomatë, gjeneralë e shumë politikanë vendor e ndërkombëtar, po nuk kishte pasur ftesë për deputet Time Kadrijaj e Shqipe Selimi, të cilët kanë qenë edhe pjesë e UCK-së.
Osmani nuk ka ftuar as deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila është kryetare e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencëcila.
Kjo e fundit ka thënë se historia e grave nuk fillon dhe as nuk mbaron me Vjosa Osmanin.
“Historia e grave të Kosovës në garantimin e paqes dhe sigurisë as nuk fillon e as nuk mbaron me Vjosa Osmanin! Ajo edhe njëherë u dëshmua se nuk i pranon dot afer vetes heroinat e gjalla të Kosovës. Jemi një Komb qe trashigojmë menqurinë dhe guximin e grave me shekuj! Ministri I FSK-së paska thënë se: ‘Ushtria konsiderohet ende si vend për burrat dhe këtë duhet ta ndryshojmë…’ Paska harruar se inkuadrimi i grave e vajzave në UÇK të motivuar nga Shote Galica, Nora e Kelmendit, Bubulina, Micja, Mbretresha Teutë e gra tjera heroina, kanë sfiduar mendesinë e secilit njeri qe mendon si Armend Meha”, ka shkruar Musliu në profilin e saj në “Facebook”.
E ashpër në reagim ka qenë edhe ish-deputetja Melihate Tërmkolli, e cila kishte dhënë një kontribut të madh gjatë viteve 90-ta.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se kontributi grandioz i grave shqiptare për liri, pavarësi, paqe dhe demokraci nuk mund të fshehët nga një "Fake Presidente”.
“Historia, pra edhe roli dhe kontributi grandioz i grave shqiptare për Liri, Pavarësi, Paqe e Demokraci, nuk mund të fshehet nga askush, aq më pak nga një " Fake Presidente". Nderim të gjitha grave që punuan e sakrifikuan dhe ende punojnë për këtë vend!”, ka shkruar Tërmkolli.
Ndërsa, ish- deputetja Aida Dërguti, e cila ka qenë pjesë e UÇK-së, presidentes iu ka përgjigjur duke i publikuar disa fotografi në rrjete sociale ku shihet në uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Gratë, Paqja dhe Siguria😉 UÇK❤”, ka shkruar Dërguti.
Nuk heshtin as burrat
Injoromi i disa grave që kanë dhënë kontribut të çmuar në shoqërinë kosovare për këtë forum, ka nxitur reagimin e shumë burrave.
Drejtori ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begu, ka shkruar se mosftesa ndaj grave që kanë kontribuar para, gjatë dhe pas luftës, nuk i bën nder Kosovës.
“Me u organizu në Kosovë një konferencë për gra & rolin e tyre në paqe, dhe mos me ftu as si mysafire gratë dhe vajzat me kontributin me të çmuar para, gjatë & pas luftës, si shembull te dëshmuar në botë, nuk i bon nder Kosovës si nikoqire, por edhe historinë nuk e rishkruan”, ka shkruar Begu në llogarinë e tij në “Twitter”.
Kurse, zyrtari i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka deklaruar se përmes këtij forumi Osmani po i thur lavde vetës.
Ai ka vlerësuar se Vjosa Osmani është modeli më i keq i femrës në Kosovë, duke shtuar se të gjitha pozitat i ka arritur me shantazhe dhe mashtrime.
“Me organizu “forume” për me i thur elozhe vetes, bën “vaki” vetëm në Kosovë! Gratë vërtet janë pjesë e të gjitha të arriturave për paqe dhe siguri në vendin tonë, por këtu nuk mundesh ti llogaritësh edhe ato, të cilët me shantazhe dhe mashtrime kanë arritur pozita të caktuara. Vjosa është modeli më i keq i femrës në Kosovë, figura e të cilës paraqet femrën injorante dhe përqarëse, e cila në çdo paraqitje të saj e ushqen urrejtjen në mes njerërve në shoqërin tonë. Gratë që kanë bërë historin, janë ndyshe nga Vjosa…”, ka shkruar Berisha.
Ndërsa, analisti Parim Olluri ka thënë se ky është servilizëm i Osmanit ndaj ndërkombëtarëve.
“Presidentja Osmani paska harruar qe t’iu bëjë ftesë si folese në koferencën për rolin e grave luftëtareve të UÇK-së,Time Kadrijajt dhe Shqipe Selimit. Por, nuk paska harruar që t’i bëjë ftesë Lajçakut. Pak servilizem ndaj ndërkombtarëve, pak urrejtje ndaj grave që i kanë kap edhe armët për Kosovën. Ndaj grave qe kontributin e tyre për Kosovën nuk e kanë kufizuar në deklarata pompoze gjate fushatave zgjedhore”, ka shkruar Olluri.
Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë po mbahet për herë të parë në Kosovë. Për organizimi e tij Kosova ishte zotuar në kuadër të Samitit për Demokraci, i cili është mbajtur vitin e kaluar në ShBA.
Në ditën e parë të këtij forumi gratë ukrainase janë nderuar me Medalje Presidenciale. Forumi do të mbahet edhe të dielën.
Një ditë me parë, në një konferencë për medie, Osmani ka treguar se ky forum do të presë rreth 400 pjesëmarrës nga gjashtë kontinente dhe 33 shtete të ndryshme të botës.

