Vendimi i Kurtit për një të punësuar për familje, qytetarët tallen me kryeministrin - NACIONALE

Vendimi i Kurtit për një të punësuar për familje, qytetarët tallen me kryeministrin

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e së shtunës tha se kjo javë po përfundon me një lajm të mirë. Por siç duket, “lajmi i mirë” i shefit të ekzekutivit për një skemë të re mbështetëse, nuk u ka bërë përshtypje qytetarëve të Kosovës, jeta e të cilëve është vështirësuar shumë pas rritjes së çmimeve në produktet bazike.

Kurti sonte iu drejtua qytetarëve të Kosovës me një video mesazh, përmes së cilit lajmëroi se me skemën mbështetëse synon përkrahjen e familjeve që kanë më së paku një anëtar të punësuar.

Siç bëri të ditur ai, përmes skemës do të subvencionohen deri në 70 për qind të pagës bruto të punëtorit, maksimumi 300 euro, për 6 muaj.

Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që e plotësojnë këtë kusht, t’i dërgojnë dokumentet përkatëse në Zyrat e Punësimit në komunat ku banojnë.

“Nga e hëna, krejt çka duhet të bëni ju si qytetar që kërkoni punë e që e plotësoni këtë kusht, dhe si punëdhënës privat që kërkoni punëtor, është të dërgoni dokumentet përkatëse në Zyrat e Punësimit në komunat tuaja”, ka thënë Kurti në një video të publikuar në Facebook.

Reagimet e qytetarëve

Kurti si një prej politikanëve më aktivë në rrjete sociale, merr reagime të shumta në Facebook-un e tij, ndërsa kësaj here komentet shumica kanë qenë negative.

Kështu, dhjetra qytetarë i kanë reaguar ashpër kryeministrit në komente, duke theksuar se në një kohë kur ka rritje të çmimeve në produktet pazike, 300 euro nuk mbulojnë shpenzimet mujore.

“Kurgjo hiq nuk koka kjo punë, kushti asnjë i punësuar n’familje, hajgare je tu bo valla kryeministër”, ka qenë një prej komenteve nën video mesazhin e Kurtit.

Jeta e shtrenjtë e qytetarëve të Kosovës

Kosovarët gjatë muajit qershor, kanë paguar më shtrenjtë për shumë produkte bazike, duke përmendur këtu edhe derivatet, çmimi i të cilave ka shënuar rritjen më të madhe.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar se cilat produkte janë shtrenjtuar më së shumti, ku theksohet qartë se çmimi i karburantëve ka shënuar rritje prej 15,4 për qind.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat (1,1%), mishi (1,4%), pemët (3,0%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (2,2%), kafja, çaji dhe kakao (2,3), pijet alkoolike (1,5%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet, etj. (6,0%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (15,4%), shërbimet për transport (5,9%), pushime të organizuara (4,1%), shërbime hoteliere (2,3%), kujdesi personal (1,5%)”, sqarohet në raport.

Në raportin e publikuar para disa ditësh nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, shihet se edhe inflacioni në qershor ka qenë jashtëzakonisht i madh.

Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në qershorin që shkoi ishte 14.1%, në krahasim me muajin e njëjtë të 2021-tës.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, theksohet në raportin e ASK-së.

Një normë e tillë e inflacionit është e krahasueshme vetëm me vitin 2008, i cili vit shënon krizën e madhe financiare e ekonomike të krejt eurozonës. Në vitin 2008, gjatë periudhës që njihet si “Recensioni i madh”, norma e inflacionit ishte saktësisht 14.02%.

Lajme të ngjashme