Vazhdon fushata: Serbia pretendon se Surinami e ka çnjohur Kosovën
Po vazhdon fushata e Serbisë për çnjohje ndaj Pavarësisë së Kosovës. Kështu të paktën ka pretendime nga pala serbe se një vend e ka çnjohur pavarësinë e në total 28 shtetet e kanë tërhequr njohjen. Në anë tjetër, Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë përgjigje për çnjohjen nga Surinami.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryediplomati serb, Ivica Daçiq, pretendojnë që shteti i Surinamit e ka çnjohur pavarësinë e Kosovës.
Gjatë vizitës së kryediplomatit të Surinamit, Albert Ramdin në Serbi, ai tha se shteti i tij e respekton “integritet territorial” të Serbisë.
Mirëpo, për Vuçiqin e Daçiqin kjo gjë do të thotë çnjohje.
“Fushata për heqjen e njohjeve pikërisht nisi nga ana e Surinamit. Ju kujtoj që kjo është ajo nota që e kemi marrë më 27 tetor 2017, dhe nga atëherë edhe 27 shtete, pra pas Surinamit, kanë tërhequr njohjen. Prandaj për këtë ne e kemi borxh një falënderim të pamatshëm për Surinamin.” – ka thënë Ivica Daçiq, ministër i punëve të jashtme të Serbisë të hënën pas takimit që e kishte me homologun nga Surinami, Albert Ramdin.
Edhe presidenti serb Vuçiq ka thënë se Surinami e ka tërhequr njohjen e pavarësië së Kosovës.
Vuçiq ka thënë se ”pavarësia e Kosovës është e njëanshme”.
Ndërkohë duhet të kujtojmë se në vazhdimësi, pala serbe ka bërë thirrje ndaj disa shteteve që të çnjohin pavarësinë e Kosovës.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ende nuk ka reaguar për këto pretendime të palës serbe.
Para disa muajve në Kosovës pati një debat publik në të cilin akuzohej kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla për mos angazhimin e duhur për të krijuar njohje të reja.
Bile në atë kohë, u konfirmuar se shteti i Togos ka tërhequr njohjen dhe sipas kryediplomates Gërvalla, Togo e kishte çnjohur Kosovën me 2019.
Ajo kishte akuzuar kritikë duke thënë se po i qëndrojnë unik propagandës së Daçiqit dhe Vuçiqit.
“Shumë shkurt, në fund të një dite të ngjeshur me plot takime pozitive për Kosovën dhe rrugën e saj euroatlantike: Të gjithë të ekzaltuarve rreth “ç’njohjes” së Togos dhe propagandës së Daçiçit dua t’iu rikujtoj që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri. Më e pakta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiçit dhe Vuçiçit, jo vetëm rreth “ç’njohjeve.” – kishte shkruar Gërvalla.
Gjithashtu, gjatë udhëheqjes së Gërvallës, Kosova nuk është njohur nga asnjë shtete.
Mbetet të shihet nëse edhe Surianimi me të vërtetë ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës.
Shteti i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosoëvs është Izraeli dhe kjo njohje u arrit pas Marrëveshjes së Washingtonit.



