Gërvalla pas çnjohjes së Togos: Ka ndodhur në vitin 2019, shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri - NACIONALE

Gërvalla pas çnjohjes së Togos: Ka ndodhur në vitin 2019, shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka reaguar pas çnjohjes së Togos, ku ka thënë se çnjohja ka ardhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri.

Tutje Gërvalla ka thënë se më e pakta që do të duhej të ndodhte është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiçit dhe Vuçiçit.

“Shumë shkurt, në fund të një dite të ngjeshur me plot takime pozitive për Kosovën dhe rrugën e saj euroatlantike: Të gjithë të ekzaltuarve rreth “ç’njohjes” së Togos dhe propagandës së Daçiçit dua t’iu rikujtoj që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri. Më e pakta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiçit dhe Vuçiçit, jo vetëm rreth “ç’njohjeve.” – ka shkruar Gërvalla.

Tutje ajo ka thënë se Kosova do ta fitojë betejën e saj sot, ashtu siç e ka fituar në 1999.

Të dhëmbin sytë kur sheh se sa shumë përjargen disa, sa herë që Sllobo i Vogël përpiqet t’i japë një shqelm Kosovës. Kosova do ta fitojë betejën e saj sot, ashtu siç e ka fituar në 1999. Me mençuri, trimëri, guxim, sakrificë e përplot miq e aleatë anembanë botës së lirë dhe demokratike. Dhe Serbia përsëri do të humbasë, siç ka humbur 1999, sepse e vërteta gjithmonë fiton mbi gënjeshtrën. Daçiçi, Vuçiçi dhe të gjithë djelmoshat e tjerë të Kasapit të Ballkanit ndoshta edhe mund ta fitojnë ndonjë sprint, por Kosova dhe qytetarët e saj përfundimisht do ta fitojnë maratonën, siç e kanë fituar në vitet e 90-ta. Në mos për asgjë tjetër, atëherë për hir të sakrificës së dhimbshme dhe kolosale në rrugën tonë drejt lirisë.” – ka përfunduar Gërvalla.

Lajme të ngjashme