Udhërrëfyesi: Analisti Gogiq i thotë Nacionales se pret pasoja të rënda sociale për serbët në veri - NACIONALE

Udhërrëfyesi: Analisti Gogiq i thotë Nacionales se pret pasoja të rënda sociale për serbët në veri

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Më 20 qershor u nënshkrua nga Kosova dhe Serbia një udhërrëfyes që pritet të ketë impakt të menjëhershëm në jetën e shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, por edhe në procesin e dialogut në Bruksel. Për të na rrëfyer udhën drejt impaktit të udhërrëfyesit biseduam me aktivistin serb nga veriu, Ognjen Gogiqin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij politike si opozitar i dialogut me Serbinë. Ky opozitarizëm i dendur i tij prej 2005-s e deri më 2020-n, me raste ishte tepër radikal, dhe veprimet e tij si kryeministër del se nuk po habisin vetëm shoqërinë civile shqiptare në Kosovë por edhe shoqërinë civile serbe.

Një befasi

Gogiq menjëherë përmend qëndrimet refuzuese të mëhershme të kryeministrit Kurti ndaj marrëveshjeve, derisa tregon se si respektimi i “çdo pike e çdo presjeje” siç tha Besnik Bislimi, ka bërë që të shmangej precedenti i rishikimit të marrëveshjeve (siç ishte premtuar nga partia në pushtet).

“Marrëveshja e Energjisë e arritur në Bruksel të martën nuk është marrëveshje e re por udhërrëfyes për zbtimin e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Është shumë me rëndësi të mbahet në mend ky dallim. Arritja e një marrëveshjeje të re do të krijonte precedent sipas të cilit të gjitha marrëveshjet e reja do të rishikoheshin gjatë negociatave. Kjo u shmang. Është disi befasuese që kryeministri Kurti ishte i gatshëm të vazhdonte me këto marrëveshje pasi i ka refuzuar ato në të kaluarën. Për më tepër, ai dukej se ishte refuzues i krejt procesit të dialogut pasi donte që negociatat me Serbinë të nisnin nga fillimi. “

Kjo që na tha më lart Gogiq mund të konfirmohet edhe nga fjalët e kryenegociatorit Besnik Bislimi, i cili në një intervistë të dhënë mbrëmë përmendi edhe togfjalëshin “marrëveshje gjithëpërfshirëse (finale)”. Ai u shpreh se rinegocimi i marrëveshjes i konvenonte vetëm palës serbe mënyrë që të shtyhej arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Ishte hera e parë që një anëtar i Vetëvendosjes i dilte kundër status quo-së në raportet me Serbinë duke bërë thirrje që të ecej përpara.

Udhërrëfim i udhërrëfyesit

Analisti Gogiq pretendon se pala kosovare në negociata madje edhe e kishte kërcënuar palën serbe që t’i çonte forcat e armatosura për të marrë infrastrukturën e energjisë në veri të Kosovës nëse nuk nënshkruante udhërrëfyesin në fjalë.

“Udhërrëfyesi ishte një rezultat i pritur pasi u paralajmërua nga të dyja palët paraprakisht. Duket se Prishtina bindi Beogradin që të pranonte udhërrëfyesin duke kërcënuar që të çonte forcat për të marrë infrastrukturën e energjisë në veri. Kjo në mënyrë indirekte u konfirmua nga zyrtarët serbë në deklaratat e tyre.” – tha ai.

Një gjë e tillë nuk është përmendur nga asnjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës, përfshirë edhe kryenegociatorin Bislimi.

Fundi i një kukame, fillimi i një tjetre

Për vite me radhë, shqiptarët e Kosovës janë ankuar se po paguanin padrejtësisht edhe rrymën që e harxhonin serbët në veri të Kosovës. Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjeve e ka në qendër fundin e kësaj ankese nga shqiptarët dhe fundin e rrymës pa pare për serbët.

Operatori serb “Elektrosever” do të kryejë shërbimet që do të duhej t’i kryenin operatorët e licencuar jopolitikisht në mbarë Kosovën.

Analisti Ognjen Gogiq, sidoqoftë, parasheh pasoja mjaft të rënda për serbët tanë në veri për shkak të faturave të rrymës.

“Serbët në veri, siç mund të parashikohet, nuk janë të lumtur me faktin që do t’ju duhet të paguajnë për fakturat e rrymës tash e tutje. Ata janë të shqetësuar se do t’ju kërkohet të paguajnë edhe borxhet për konsumine e rrymës në të kaluarën. Politikanët serbë nuk kanë ofruar asnjë shpjegim se çfarë vjen pas, pra kur pritet të nis ardhja e faturave. Problemi është se nuk ka as ngrohje qendrore. Njerëzit në veri varen nga rryma për t’u nxehur. Dhe, pritet që faturat e rrymës t’ju vijnë të fryra gjatë dimrit.” – thotë fillimisht për çështjen ai.

Por, çfarë problemesh sociale e politike pritet të shkaktojnë këto fatura në jetën e serbëve të veriut? Gogiq nuk është aspak optimist në përgjigjen e tij:

“Krejt kjo do të ketë pasoja të mëdha sociale për komunitetin serb. Beogradi do të përballet me një sfidë të madhe për të ruajtur “paqen sociale” në veri të Kosovës. Faturat e rrymës do të afektojnë drastikisht standardin e jetesës për serbët e veriut, dhe disa prej tyre është e mundshme të mendojnë që të emigrojnë. Elektriciteti “i lirë” ka shërbyer për kohë të gjatë si një incentivë ekonomike për serbët në veri që të qëndrojnë aty, por po ashtu për serbët nga Serbia qendrore, si studentët, që të vijnë në veri. Kjo tash do të ndryshojë dramatikisht përveç nëse Beogradi gjen ndonjë mënyrë për të “subvencionuar” jetën e serbëve në veri të Kosovës.“

Nëse Serbia do të gjejë ndonjë formë për të “subvencionuar” jetën e serbëve mbetet të shihet. Por, mbetet të shpresohet që në ndihmë këtyre qytetarëve – qytetarë të saj – do t’ju dalë edhe shteti i Kosovës.

Sot në Mitrovicë të Veriut është planifikuar të mbahet edhe një protestë kundër nënshkrimit të udhërrëfyesit, e për të cilën do t'ju mbajë të informuar gazeta Nacionale.

Lajme të ngjashme