“U lëshua urdhri për gatishmëri të ushtrisë serbe”, "Zoti na ruajt": Qysh e zbuti tonin ministri i Vuçiqit brenda një interviste?
Ministri i Brendshëm serb Millosh Vuçeviq ka bërë bujë sot me disa deklarata të çuditshme në të cilat shprehej se ishte dhënë urdhri për rritje të nivelit të gatishmërisë luftarake për ushtrinë serbe. Çka tha tjetër ky ministër dhe qysh iu zbut toni brenda një interviste?
“Presidenti i Republikës së Serbisë, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm, ka lëshuar urdhër që ushtria serbe të jetë në gatishmëri, ta ngris nivelin e gatishmërisë luftarake në atë nivel që t’i përgjigjet çdo detyre. Sigurisht, askush nuk dëshiron konflikte dhe luftëra, askush nuk mendon të bëjë lojëra e lojëra,” – tha ministri serb i Mbrojtjes në një paraqitje publike përtelevizionin Happy.
Ai po ashtu u shpreh se ushtria e serbe ishte “shumë herë më e fortë” se që kishte qenë dikur.
Kryeministri i vendit Albin Kurti, vazhdimisht ka tërhequr vërejtjen për kërcënimin e mundshëm luftarak që mund t’i vijë vendit nga Serbia.
Ai madje është kritikuar se përmes retorikës së luftës mund të dekurajojë investitorët e mundshëm të huaj që të vijnë në vendin tonë.
Kryeministri kishte bërë thirrje që të nënshkruhej edhe një traktat mos-sulmimi prej vitit të kaluar në Bruksel, por kjo kërkesë nuk ishte përfillur nga ndërmjetësuesit evropianë.
Çka tha tjetër Vuçeviqi?
Ai ishte kritik edhe ndaj kryeministrit Kurti.
“Me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, nuk mund të jesh i qartë sepse nuk i dihet kurrë,” – u shpreh më tej ai.
Por, toni i tij do të ndryshonte ndjeshëm me kalimin e kohës në intervistë duke u bërë më paqësor.
“Më mirë të negociosh për 1000 ditë se sa të jesh në llogore lufte vetëm për një orë,” – u shpreh më tej z. Vuçeviq.
“Ushtria serbe është e gatshme të zbatojë çdo urdhër të Presidentit të Serbisë si Komandant Suprem, duke mbrojtur shtetin e Serbisë dhe duke mbrojtur të gjithë qytetarët e saj dhe duke u kujdesur për sigurinë e serbëve në Kosovë dhe Metohi. Kjo është detyrë e ushtrisë serbe dhe askush nuk duhet të dyshojë për këtë,” – argumentoi ministri.
Ndryshimi i tonit vazhdoi edhe më shumë, kur ai i hyri temës së rritjes së pagave për ushtarët serbë.
“Pagat janë rritur për 25 për qind për pjesëtarët e ushtrisë,” – u shpreh ai duke përmendur edhe nevojën që të investohet edhe në sektorin civil.
Ndërkohë, toni iu zbut krejtësisht në pjesën e mëposhtme:
“Por e përsëris, kur flasim për këtë, vërtet s’dua që askush ta kuptojë se po përgatitemi për luftë, por nuk mund të jemi një shoqëri krejtësisht e papërgatitur për disa situata që po ndodhin ose kanë ndodhur... Ushtria është gjithnjë e para kur ka përmbytje, tërmete, trazira.” – vazhdoi ai.
"Zoti na ruajt," - tha ai për mundësinë e skenarëve të këqij.
