T’i besojmë Bidenit apo Gërvallës: Si na “informoi” ministrja jonë, kur NATO-ja ende s’dinte gjë? - NACIONALE

T’i besojmë Bidenit apo Gërvallës: Si na “informoi” ministrja jonë, kur NATO-ja ende s’dinte gjë?

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ishte ndër zyrtarët e parë që përcaktoi se sulmi në Poloni u bë nga raketat ruse. Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar. Megjithatë, nga shpejtësia për të reaguar, Gërvalla edhe kësaj here shkaktoi panik dhe pasaktësi me reagimin e saj.

As presidenti i ShBA-së e as ai i Polonisë, besa as NATO-ja, por edhe shtetet të tjera të fuqishme evropiane nuk thanë se sulmi në Poloni u bë nga raketat ruse, ashtu siç bëri ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Gërvalla, pak minuta pas raportimeve të medieve për sulmin në Poloni, doli me një reagim në Twitter, ku përcaktoi se sulmi është kryer nga raketat ruse.

Ne vajtojmë humbjet e jetëve të pafajshme polake që janë vrarë nga raketat ruse. Mendimet tona janë me familjet, Kosova qëndron me Poloninë kundër regjimit të Putinit”- ka shkruar kryediplomatja kosovare në llogarinë e saj në Twitter.

Kritikat ndaj Gërvallës

E një reagim i tillë nxiti debat në vend, ndonëse Gërvalla nuk është tërhequr akoma nga vlerësimi se raketat ishin ruse, pasi shkrimi i saj vazhdon të qëndrojë në Twitter.

Njohësi i zhvillimeve politike, Agon Maliqi, doli me një rekomandim për Gërvallën se si duhet të veprojë para se të reagojë.

Ai i propozoi asaj që të numërojë deri në dhjetë para se të bëjë reagime impulsive teksa shtoi se Gërvalla është veç diplomate e Kosovës dhe jo si komisionare e BE-së dhe si shtetase e Gjermanisë.

Kish qenë mirë ministrja Gërvalla nja dy herë me u mbush frymë e me numëru deri në 10 para se me shkrujt tëeet-a impulsiv dhe të papjekur që e nxisin BE-në (pse BE-në e jo NATO-n?) për ta thelluar luftën me Rusinë, e që rrezikojnë me na kthy në objekt të përqeshjes. Ministrja nuk po komunikon në këtë platformë të rëndësishme as si Komisionere e BE-së, as si opinioniste, dhe as si shtetase e Gjermanisë, por si ministre e Jashtme e Kosovës - një vend që në situatë të tillë thjesht duhet ta dënojë sulmin, të shpreh solidaritet me Poloninë, si dhe të tregojë gatishmëri për ndihmë”- ka shkruar Maliqi të martën në Facebook.

Edhe politilogu Shkodran Ramadani, pas reagimit të Gërvallës, ka thënë se ajo është ministre e dështuar dhe inekzistente, ani pse, sipas tij, diplomacia kosovare duhet të jetë në kulmin e aktivitetit.

Ramadani theksoi ndër të tjera se Gërvalla “flet palidhje për Luftën e Tretë Botërore se për Kosovë nuk ka çka flet”.

Mos ja nxini per te madhe Donika Gervalles. Ne kohen kur diplomacia e Kosoves duhet te jete ne kulmin e aktivitetit, ajo eshte inekzistente. Zero njohje qe dy vite, zero anetaresime ne organizata nderkombetare dhe zero takime te rendesishme ne muajt e fundit. Ajo jo vetem qe nuk e udheheqe politiken e jashtme, por Kosova ka dy vite qe nuk ka fare politike te jashtme. Poashtu, Partia-vetevendosje nuk e respekton as si partnere ne qeverisje. Sic e deshmoi Vjosa Osmani ne rastin e Planit Franko-Gjerman, ashtu si qytetaret tjere, Lista Guxo eshte lene ne terr informativ dhe ne meshiren e informatoreve te prapaskenave. Prandaj, ajo flet palidhje per Luften e Trete Boterore se per Kosove nuk ka cka flet. Ministre e deshtuar, te cilen nga Rifat Latifi e dallon vetem urrejtja e saj patologjike ndaj UÇK-se”- ka shkruar Ramadani në profilin e tij në Facebook.

Gjithashtu, edhe opionisti tjetër, Ilir Ibrahimi, citoi një thënie të Platonin për reagimin e Gërvallës.

Qe argumenti i Platonit se dy budallë e mujnë një të menqëm. Rezultati s'ka si mos të jetë më i qartë!”- ka shkruar ai në Facebook.

Huqjet e tjera

Nuk është hera e parë që Donika Gërvalla del me deklarime skandaloze.

Që nga marrja e detyrës së ministres se Jashtme, Gërvalla shpeshherë ka bërë huqje epike për situata të ndryshme në reagime e saj në rrjetet sociale si dhe në paraqitje të dobëta në debatet televizive.

Ajo e kishte ngatërruar flamurin e NATO-s me atë të OKB-së, në një shkrim në Twitter si dhe huqje të tjera të ministrisë që ajo e udhëheq.

Donika Gërvalla është ministrja më e dobët e kabinetit qeveritar Kurti II, sipas lexuesve të Nacionales në një anketë të mëparshme.

Në grupin e Nacionale-s në "Viber", ku numërohen mbi 10 mijë anëtarë, Donika Gërvalla kishte dalë e para në pyetjen se: Cili prej ministrave të Qeverisë Kurti është më i dobëti?

Nga 1.873 anëtarë, sa morën pjesë në votim, mbi 1.000 sosh ose 55% e pjesëmarrësve mendojnë se Gërvalla e ka bërë punën më të keqe.

Kujtojmë se përveç punës si ministre e Jashtme, Gërvalla është edhe zëvendëkryeministre e Kosovës dhe kryetare e parë ose e dytë e partisë Guxo.

Lajme të ngjashme