Vehement: Martin Berishaj shpik një fjalë të re për ta prezantuar shefen Donika Gërvalla - NACIONALE

Vehement: Martin Berishaj shpik një fjalë të re për ta prezantuar shefen Donika Gërvalla

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci, ambasadori kontrovers Martin Berishaj pati rastin të takohej me shefen e tij, Donika Gërvalla Schwarzin. Dhe, ky takim si duket ishte aq i rëndësishëm sa Ambasada e Kosovës në Zagreb nuk dinte se si t’i vendoste një cilësor adekuat përfaqësimit të saj.

Forumi i 15 Ndërkombëtar i Dubrovnikut nuk zgjoi ndonjë interes të madh medial. Sidoqoftë, aty e pranishme ishte edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla Schwarz.

Përveç saj, të pranishëm edhe 40 ministra dhe zyrtarë tjerë qeveritarë nga vende të Evropës.

Motoja e këtij forumi ishte “Përpjekja për balans në një botë të përçarë!”

Sipas asaj që thotë Ambasada, znjë Gërvalla ka shpalosur të arriturat e Qeverisë së Kosovës “në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar” por edhe synimet e (sic) palëkundura të diplomacisë së Kosovës.

Sipas Ambasadës, kjo është “dëshmi që ngjalli interes për takime të shumta bilaterale me homologë të saj”.

Sidoqoftë, ata nuk kanë bërë të ditur se kush shfaqi interes konkretisht me znj. Gërvalla, dhe se si këto shpalosje arritën ta bënin një gjë të tillë.

Për më tepër, ambasada ka cilësuar përfaqësimin që i ka bërë Gërvalla Kosovës së “vehement”, fjalë kjo që nuk ndodhet në fjalorin e gjuhës shqipe.

Nëse e përkthejmë nga gjuha angleze, kjo fjalë ka kuptimin si vijon: “të shfaqësh ndjenja të forta; të fuqishme, pasionante apo intenzive.”

Etimologjia e fjalës është nga frëngjishtja e vjetër dhe nënkupton sjellje të “rrëmbyer” e të “dhunshme”.

Nuk dihet nëse gjuhëtarët shqiptarë e kosovarë kanë plane për ta futur mbiemrin “vehement” në fjalorin e Gjuhës Shqipe me rastin e 50 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit që festohet sivjet.

Kujtojmë se Martin Berisha, drejtuesi i Ambasadës në Kroaci, është përfshirë në një skandal të madh në Slloveni pasi ishte zënë duke marrë para kesh në një institucion financiar në vlerën që shkonte në 600 mijë euro.

Ai është caktuar në pozitën e ambasadorit pikërisht nga znj. Donika Gërvalla Schwarz.

Statusi i plotë:

Prezentim vehement i ministres Gërvalla në Dubrovnik
Në Forumin e 15-të Ndërkombëtar të Dubrovnikut, Kosova u prezantua me ministren e Puneve të Jashtme dhe të Diasporës znj Donika Gërvalla, ku moren pjesë rreth 40 ministra dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, kryesisht nga vendet e Evropës Jugore, Juglindore dhe Qendrore, si dhe përfaqësues të disa institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe të sektorit të biznesit. Konferenca tradicionale ndërkombëtare e Forumit të Dubrovnikut me moton “A quest for balance in a world disrupted”. Forumin e sivjetëm të Dubrovnikut e hapi kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe kryeparlamentari kroat Gordan Jandrokoviq.
Kryeministri Plenkoviq në veçanti foli për gjendjen e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për temat që janë veçanërisht të rëndësishme për pjesën tonë të botës dhe Evropës.
Ministrja Gërvalla ishte pjesë e panelit kryesorë krahas ministrit kroat Gordan Grliq Radman, atij grek Nikos Dendias, malazez Ranko Krivokapiq, Zv ministri boshnjak Josip Brkiq, Miroslav Lajçak, etj.
Në këtë panel fjala e ministres Gërvalla u prit me interes të madh, ku ajo shpaloi të arriturat e Qeverisë së Kosovës në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar si dhe synimet e palëkundura të diplomacisë së Kosovës Dëshmi kjo që ngjalli interes për takime të shumta bilaterale me homolog të saj.

Lajme të ngjashme