Komplikohet edhe më shumë puna për Gërvallën, MPJD obligohet të zbulojë një dokument publik nga API-ja
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ishte dënuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi me 13 mijë euro për shkak të mos-ofrimit të qasjes në një dokument publik që do të zbulonte shpenzimet e Zotëriut të Parë, Prindon Sadriut. Por, kjo ministri rrezikon të dënohet sërish në rast të mos-publikimit të një dokumenti tjetër publik shumë të rëndësishëm. Për çka bëhet fjalë?
Agjencia për Informim dhe Privatësi (API) ka lëshuar një vendim gjatë ditës së sotme përmes të cilit obligon që brenda një afati shtatë-ditor të ofrojë qasje në një dokument publik.
Bëhet fjalë për mbulimin e shpenzimeve të banesës së Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar (Londër).
Bëhet fjalë për ambasadorin Ilir Kapiti, për të cilin ishte raportuar se paguan nga 4230 euro qira në muaj për një banesë në Londër. Kjo kërkesë i ishte aprovuar sipas raportimeve në mënyrë të kundërligjshme nga Ministria e udhëhequr nga Donika Gërvalla Schwarz.
Kufiri i lejuar me Udhëzim Administrativ kishte qenë 2400 euro për qira në muaj, ose 1830 euro më i lartë.
Kjo përgjigje ishte dhënë nga vetë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës më 30 gusht të këtij viti. Ndërkohë, vlen të përmendet se kërkesa ishte bërë nga avokatja Nafije Muqaj, që ka përfaqësuar në proces diplomatin Viskont Jakupi.
Pse është dokumenti i rëndësishëm?
Se kjo ka ndodhur tashmë dihet, por ajo që nuk dihet është se kush e ka nënshkruar vendimin e kundërligjshëm.
Ky vendim i kundërligjshëm do të mundësonte që personi në fjalë që punonte në Ministrinë në fjalë potencialisht të ndiqej penalisht.


Pse vendimi i API-së është i rëndësishëm?
API-ja ka obligura Ministrinë që brenda afatit të lartpërmendur të ofrojë qasje në dokumentin në fjalë.
Përveç kësaj, MPJD është obliguar edhe që të njoftojë me shkrim Agjencinë për marrjen e vendimit.
“Dokumenti objekt kërkese (kërkesa për mbulim shpenzimesh), pa paragjykuar nëse është i aprovuar dhe nëse janë shpenzuar paratë publike, si rezultat i aprovimit eventual të saj, është dokument publik, i cili nëse nuk hyn në kategorinë e dokumenteve të klasifikuara, nuk e plotëson asnjërin nga kriteret nga paragrafi 2 i nenit 17 të LQPD-së për t’u kufizuar apo refuzuar.” – thuhet në arsyetimin e bërë ngra drejtori i Departamentit për Qasje në Dokumente Publike, Jeton Arifi.
Donika Gërvalla Schwarz si ministre ishte akuzuar vazhdimisht për gafa të ndryshëm që kishte bërë nga ky pozicion prej kohës kur e kishte marrë mandatin.
Por, veçanërisht të rënda ishin vlerësuar shkarkimet që i kishte bërë. Një muaj më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim për detyrimin e Ministrisë që t’i paguante 20 mijë euro dëme një diplomati të shkarkuar në mënyrë arbitrare, Viskont Jakupit, i cili kishte qenë në një mision diplomatik pikërisht në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo ministri ishte detyruar edhe që ta kthente në punë këtë diplomat.
