Përfundojnë projektet për kujdesin ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara: Pushteti nuk e përfilli paralajmërimin - MD s'përgjigjet - NACIONALE

Përfundojnë projektet për kujdesin ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara: Pushteti nuk e përfilli paralajmërimin - MD s'përgjigjet

1 muaj më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Tre muaj më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministria e Financave e Ministria e Drejtësisë, ishin paralajmëruar nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) për rrezikun e mbylljes së shërbimeve sociale nga muaji janar 2024 për shkak të mosndajres së fondeve për këto shërbime. Tashmë mbylljet janë bërë reale. Kësisoj Qendra e Kujdesit Ditor – PEMA ka përfunduar projektet në të gjitha qendrat e saj, në Pejë, Prizren, Ferizaj e Gjilan.

Qendra e Kujdesit Ditor – PEMA, që mbështet fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët e cenueshëm dhe familjet e tyre në Kosovë, tashmë ka përfunduar me projektet dhe fëmijët që kanë pranuar kujdes ditor kanë mbetur pa të.

Krejt kjo për shkak të mungesë së sigurimit të fondeve, e ndër to edhe për fondet që ndan shteti për këto institucione joqeveritare të licencuara për kryerjen e shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet.

Në një përgjigje për Nacionale, PEMA ka konfirmuar mbylljen e qendrave të saj në katër qytetet më të mëdha të vendit; Pejë, Prizren, Ferizaj e Gjilan.

Fatkeqsisht PEMA ka përfunduar me zbatimin e të gjitha projekteve në Dhjetor, 2023, në të gjitha Qendrat e Kujdesit Ditor, pra në Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Edita Nuhiu Bajrami, zyrtare për komunikim në PEMA i ka thënë Nacionales, se përpjekjet e qendrës së tyre po vazhdojnë në gjetjen e donatorëve si Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë e donatorë të tjerë.

Ata kanë paralajmëruar se do të jetë një vit i vështirë për të gjithë ofruesit e shërbimeve sociale dhe familjare në sigurimin e fondeve.

Ne jemi duke bërë përpjekje, në bashkëpunim edhe me nivelin qendror, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe donator të tjerë potencial, në sigurimin e mbështetjes dhe vazhdimin e shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara, mirëpo po duket që do të jetë një vit i vështirë për të gjithë ofruesit e shërbimeve sociale dhe familjare në sigurimin e mbështetjeve të plota financiare (fondeve).” – ka thënë ajo.

Megjithatë, urojmë të kemi sukses dhe të vazhdojmë të ofrojmë shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuara!” – ishte thirrja e saj.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave ka thënë për Nacionale se nga viti 2023 shërbimet sociale kanë kaluar në Ministrinë e Drejtësisë.

Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë që udhëhiqet nga ministrja Albulena Haxhiu, as pas gati dy javë pritje, nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e Nacionales, se kur do të bëjë ndarjen e fondeve për ofruesit e këtyre shërbimeve.

Ndërkohë, KOMF në thirrjen e tyre të bërë më 28 dhjetor 2023 deklaronin se “mbështetja financiare nga Ministria e Drejtësisë ka qenë për periudhën Prill 2023 - Janar 2024 dhe si rrjedhojë shërbimet posedojnë financimin vetëm deri në Janar 2024. Në mungesë të fondeve për mbështetje të mëtutjeshme shërbimet rrezikojnë të mbyllen.”

Gjithashtu, KOMF paralajmëronte se mbyllja e qendrave do të rëndonte e jetën e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe do të pësonin regres në zhvillimin e tyre.

Me situatë të njëjtë, do të përballen edhe ofruesit e shërbimeve që ofrojnë shërbime në baza ditore për fëmijët e cenueshëm përmes qendrave ditore. Në mungesë të shërbimeve sociale, fëmijët e cenueshëm, e sidomos fëmijët më aftësi të kufizuara do të mbesin të mbyllur në shtëpi dhe do të pësojnë regres në zhvillimin e tyre fizik, psikologjik dhe emocional. Kjo situatë, do të rëndojë edhe gjendjen ekonomike dhe emocionale të familjeve të fëmijëve të cenueshëm, të cilët do të detyrohen që të marrin shërbime me pagesë, në bazë të mundësive të tyre financiare.” – thuhej në reagimin e tyre.

"Kosova vlerësohet me notë të ulët 2.35 në kujdesin ndaj fëmijëve"

Në një raport të KOMF-it të publikuar më 7 mars 2024, Kosova vlerësohet me notë të ulët 2.35 në kujdesin ndaj fëmijëve.

Tek fusha e mirëqenies sociale, Kosova është vlerësuar me notën 2.6.

Aty përmendet edhe financimi i paqëndrueshëm për shërbimet sociale për fëmijët dhe familjet.

Mirëqenia sociale: 2.6 - Transferet sociale kanë ndikim shumë të kufizuar në uljen e varfërisë së fëmijëve dhe familjeve; - Financim i paqëndrueshëm që rrezikon mbylljen apo uljen e cilësisë së shumë shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet;” – thuhet në të gjeturat e Raportin e parë të Monitorimit “Karta e Vlerësimit”.

Mbrojtja e fëmijëve: 2.5, Shëndeti i fëmijëve: 2.25, Zhvillimi në fëmijërinë e hershme: 2.25, Arsimi: 2.5, Drejtësia për të mitur: 2.0” – janë notat më të cilat është vlerësuar Kosova.

(Vlerësimi i fushave në këtë raport bazohet në sistemin e notimit sikurse notimi i nxënësve në shkollat e Kosovës, nga nota një deri në notën pesë.)

Lajme të ngjashme