'Tërmeti' që shkaktuan fjalët e ambasadorit Hill ishte i paralajmëruar nga huqja tmerruese e Bislimit
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka dhënë deklarata të forta për takimin e 18 gushtit në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit. Ai lavdëroi qasjen e Serbisë dhe kritikoi qasjen e Kosovës, duke nxitur shumë reagime në vendin tonë. Por, a kishte paralajmërime për një gjë të tillë?
Në fakt, ambasadori Hill kritikën e tij ndaj palës kosovare, e edhe lëvdatën për palën konkrete, e kishte shumë konkrete: mungoi qasja specifike.
“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika," – ishte shprehur z. Hill për sajtin serb N1.
Ai ripotencoi rëndësinë e specifikave edhe më pas: “"Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika.”
Qeveria anti-specifike
Është e vështirë të kuptohet se çka është thënë prej palës kosovare gjatë rundeve të negociatave më 18 gusht në Bruksel.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës me anë të zv.Kryeministrit të saj ka shprehur në të kaluarën një qasje që ka shpërfillur specifikat, ose çështjet teknike, në dialog.
Në një intervistë televizive pas nënshkrimit të udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë më 2013 dhe 2015, Bislimi do të tregonte se kishte shpërfillur në mënyrë skandaloze edhe specifika apo teknikalitete shumë të rëndësishme.
Bëhej fjalë për banorët shqiptarë që jetonin në katër komunat me shumicë serbe.
Përgjigja e Bislimit në atë intervistë kishte qenë jashtëzakonisht domethënëse në kontekstin e fjalëve të ambasadorit Hill.
I pyetur nga gazetari nëse banorët shqiptarë mund të kishin furnizim jo nga Elektroseveri por nga Kesco, Bislimi ishte përgjigjur si vijon:
“Po du me thonë që kena rrëshqit në debat teknik, për të cilat nuk marrim vesh asnjani prej neve... duhet me i thirrë ekspertat, me i pytë se qysh funksionon kjo në rrafshin teknik... Me mu duhet me folë politikisht,”
“Banorët e veriut i kam pasë në studio, kanë thënë: a mundemi me pasë ne kyçje, jo në Elektrosever por në Kesco?” – insistonte gazetari por nuk merrte përgjigje nga z. Bislimi, që kishte negociuar dhe nënshkruar marrëveshjen në fjalë.
"Unë atje kam qenë si kryeministër i Kosovës, jo si polic, si gjykatës etj." - u shpreh z. Kurti gjatë ditës së sotme në mbledhjen e Qeverisë duke adresuar çështjen e ngritur nga ambasadori Hill për shpëfilljen e temave specifike.
Qeveria e Kosovës, në bazë të këshillës së dhënë nga ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier, kishte premtuar se do të zbatonte edhe një ‘specifikë’ tjetër sa i përket vendimit për reciprocitet në letërnjoftime.
Për fat të keq, duket se as kjo nuk ka ndodhur përgjatë kësaj periudhe kohore, me 1 shtatorin që tashmë është vetëm tetë ditë larg.
Për dallim nga ambasadori amerikan Hill në Serbi që kishte vlerësuar palën serbe, ambasadori Hovenier deri tash nuk ka dhënë vlerësimet e tij për konstruktivitetin e palës kosovare.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, në Kosovë po qëndron përfaqësuesi i administratës amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.




