4 ditë heshtje: Prej që foli me Vuçiqin, Kurti s'i foli më për asgjë popullit të Kosovës - NACIONALE

4 ditë heshtje: Prej që foli me Vuçiqin, Kurti s'i foli më për asgjë popullit të Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Prej që foli me Vuçiqin, Kurti nuk po i flet më popullit të Kosovës - jo vetëm për dialogun, por për asnjë çështje tjetër. Pse po ndodh kjo?

Albin Kurti kritikonte një nga një të gjithë kryeministrat e mëparshëm për mos-transparencë në dialog. Por, sot po shënojmë ditën e pestë që nga 18 gushti i takimit me Vuçiqin në Bruksel, dhe Kurti nuk e ka çelur gojën ende.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli (22 gusht, 10:50), Kurti nuk ka bërë asnjë postim në llogarinë e tij në Facebook, prej datës 17 gusht.

E njëjta heshtje e gjatë shihet edhe në llogarinë e tij në Twitter, me postimin e fundit po ashtu më 17 gusht (pa përfshirë publikimin e intervistës me El Pais më 19 gusht, por e cila po ashtu ishte zhvilluar më 17 gusht).

Pra, dialogu i 18 gushtit, e la Kurtin ‘pa gojë’ edhe për çështje tjera të brendshme të Kosovës, që nuk lidhen me dialogun.

Për fat të keq, pala serbe ka folur vazhdimisht përgjatë këtyre ditëve duke ngritur pretendime të çuditshme në daljet e tyre para medieve. Gjatë ditës së djeshme, foli edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një fjalim tjetër që ndjellte frikë në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës.

“E para detyrë themelore ishte të bënim gjithçka që ishte e mundur për të ruajtur paqen”, u shpreh z. Vuçiq, mes shumë e shumë fjalësh tjera dramatike.

Qeveria e udhëhequr nga Kurti, në anën tjetër, dha sqarime tepër të përgjithshme për këtë çështje duke i lënë qytetarët e Kosovës të mësonin më shumë vetëm nga fjalët e udhëheqësve serbë.

Dhe kur flasim për qytetarët e Kosovës, flasim sidomos për qytetarët serbë të Kosovës që kanë rënë pre e dezinformimit nga Serbia në vazhdimësi dhe për të cilën Qeveria Kurti është zotuar të bëjë një fushatë dezinformimi e sensibilizimi.

Përveç Kurtit, edhe kryenegociatori i negociatave teknike, Besnik Bislimi, nuk ka folur asgjë për medie. Ai madje, në një rast u pa duke ikur nga një gazetar kosovar në Bruksel me fjalët “S’muj me folë, s’muj me folë!”

Partitë opozitare kosovare kanë kritikuar Kurtin për mos-transparencë në negociata, duke i kërkuar më shumë detaje për takimin pesë-orësh.

E në anën tjetër, mbështetësit e Kurtit kanë qenë të zëshëm në komentimin e disa simbolikave gjatë takimit, siç ishte kthimi i lules kah ai, mos-shtrëngimi i duarve me Vuçiqin, mos-kontakti me sy, etj..

Strategjia e Qeverisë Kurti në dialog ka ndryshuar gjatë muajve të fundit, duke kthyer vëmendjen te marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe duke hequr atë nga marrëveshjet teknike – të cilat kishte premtuar t’i rishikonte.

Besohet se pikërisht kjo strategji është ndjekur edhe në takimin e fundit në Bruksel, pasi në reagimin e Qeverisë më 18 gusht temë diskutimi thuhej të kishte qenë Korniza e Përgjithshme e Marrëveshjes.

“Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër”, shkruhej në komunikatë.

1 shtatori është vetëm dhjetë ditë larg - dita kur pritet të hyjë në fuqi reciprociteti për targa dhe letërnjoftime. Përpjekjet për arritje të një marrëveshjeje për çështjet, besohet të jenë arsyeja pse Kurti dhe vartësit e tij nuk kanë folur ende.

Lajme të ngjashme