Çka tha të rëndë Vuçiqi në fjalimin që u paralajmërua si prej më të “rëndëve” për Serbinë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur një konferencë për media pas takimit me serbët e Kosovës. Ai ka folur gjërë e gjatë e për shumë tema, në fjalimin të cilin vartësit e tij e quajtën më të rëndin për “popullin serbë”. Si zakonisht, fjalimi u theksua me tone viktimizuese e dramaticitet të shtuar...dhe, natyrisht, ishte e mbushur me shumë propagandë.
Vuçiq foli për dialogun Kosovë-Serbi, e posaçërisht për takimin e 18 gushtit, të cilën tha se kishte disa detyra kryesore.
Duke folur për tensionet e fundit në veri të shtetit kosovar, Vuçiq tha se në Kosovë po persekutohen populli serb, duke shtuar se do të shpëtojë serbët në Kosovë.

Por, Vuçiq tha se dëri më 1 shtator shpreson të arrihet një marrëveshje për reciprocitetin për targa dhe dokumente.
Ndryshe, në takim janë parë edhe zyrtarët e Listës Serbe, e madje Dalibor Jevtiq, kryetar i Shtërpcës, foli në konferencë, dukë thënë se serbët po vihen në pozitën më të vështirë, me qëllim për t’u detyruar të largohen nga Kosova.
Dramatiku Vuçiq
Presidenti i Serbisë në fjalimin e tij të gjatë është treguar si gjithmonë dramatik. Duke folur për takimin e 18 gushtit mes tij dhe kryeministrit Albin Kurti, ai ka thënë se kishte katër qëllimë në dialog.
“Dua të them për hir të botës se ne kishim katër detyra themelore. E para ishte të bënim gjithçka që mundëm për të ruajtur paqen,e dyta ne duhej të shmangnim dënimin e plotë nga perëndimi, e treta ishte që të kujdeseshim se si do të dukej në të gjitha anët e botës dhe e katërta për të siguruar mbijetesën e popullit tonë në Kosovë” ,ka thënë Vuçiq, shkruan B92.
Vuçiq deklaroi se Serbia është vendosur në qoshe, duke dërguar një mesazh të qartë për serbët e Kosovës.
“Nuk kemi ku të shkojmë, jemi në qoshe. Sido që të jetë, mesazhi ynë për popullin e Kosovës është se nuk do të ketë kolona refugjatësh, do ta shpëtojmë popullin tonë nga pogromet dhe persekutimet”, ka thënë Vuçiq.

Ndërsa për reciprocitetin e targave dhe dokumenteve, Vuçiq kërkoi që të tilla dokumente të mos u lëshohen serbëve, por vetëm atij kurdo që viziton Kosovën.
“Shqiptarët thonë se duam t’ju japim një dokument si ky i yni i lëshuar nga Serbia qendrore. Ne themi pa problem. Kur Aleksandar Vuçiq të hyjë në Republikën e Kosovës, jepini ato letra, por nuk mund t’u lëshoni letra të tilla njerëzve që jetojnë në veri të Republikës së Kosovës. Por ata nuk u interesuan që ta zbatojnë atë për mua dhe për ju, u interesuan vetëm për ta shkatërruar jetën e qytetarëve që jetojnë në veri. Dhe ata refuzuan, sepse pika e vetme është torturimi i popullit tonë në Kosovë dhe dëbimi i tyre”, tha tutje Vuçiq.
Tutje, shefi i Serbisë tha se shpreson në një marrëveshje për reciprocitetin për targa dhe dokumente më 1 shtator. Madje, ai tregoi edhe parimet e përgjithshme të marrëveshjes përfundimtare të cilat sipas tij i propozoi Kurti.
“Parimet e përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe: njohja reciproke dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare; Zgjidhja e problemeve nga e kaluara: zgjidhja e problemit të të pagjeturve, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, të zhvendosurve, shkatërrimi i pronës private dhe publike dhe kthimi i objekteve, dëmshpërblimet e luftës që Serbia duhet t'i paguajë të gjitha. Pastaj bashkëpunim në të ardhmen; Respektim reciprok për të drejtat e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës; Rishqyrtimi i marrëveshjeve të dakorduara më parë dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe dispozitat përfundimtare”, ka thënë Vuçiq në konferencën për media.

Përkundër kësaj, Vuçiq tha se serbët nuk janë budallenj dhe se dinë se çka është NATO.
“Serbët nuk janë budallenj dhe ata e dinë se çka është NATO, tashmë kanë vuajtur nga NATO dhe nuk iu shkon mendja që ta përjetojnë më”, tha Vuçiq.
Ndërsa kryetari i Shtërpcës, Delibor Jevtiç duke gënjyer tha se Qeveria Kurti po synon t’i largojë serbët nga Kosova.
“Nuk është thelbi i targave dhe dokumenteve, por se për një kohë të gjatë ka qenë nevoja që serbët të vihen në pozitën më të vështirë, që të largohen nga Kosova”, tha Jevtiq.
Kujtojmë që më 18 gusht, përkundër takimit të gjatë 5 orësh nuk u arrit asnjë marrëveshje mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.