Tenderi 12-milionësh i Përparim Ramës, VV e quan skandaloz e të dyshimtë
Komuna e Prishtinës ka hapur një tender prej 12 milionë eurosh, duke synuar të marrë konsulencë për themelimin e shërbimit të arkitektit të Prishtinës. Zyrtarët komunalë e përkrahin idenë e kryetarit të kryeqytetit, ndërsa opozita e vlerëson si projekt të dyshimtë.
Në fakt, themelimi i zyrës së arkitektit ishte në mesin e 206 premtimeve që Përparim Rama i kishte dhënë gjatë fushatës së vitit të kaluar.
12 milionë euro pritet të kushtojë ky projekt, ose në total 5 për qind e buxhetit prej 90 milionë eurosh që e ka Prishtina.
Por, çfarë realisht është ky projekt?
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Arbër Sadiki, jep detaje për gazetën rreth këtij projekti.
Sadiki thotë se me anë të këtij projekti, për herë të parë do të dihet komplet planifikimi i qytetit.
"Komplet shërbimet dixhitale që mungojnë në Prishtinë janë të parapara me u përfshi përmes këtij prokurimi. Me anë të këtij projekti do të dihet komplet planifikimi i qytetit. P.sh. kur aplikohet për leje ndërtimore e kur arkivohen ato pjesë. Me një fjalë, të gjitha lidhen me procesin e dixhitalizimit të proceseve të planifikimit të qytetit, nuk lidhen veç me urbanizmin por edhe me drejtorinë e planifikimit, kadastrit, e shumë të tjera”, tha Sadiki për gazetën.

Sipas Sadikit kjo vlerë e parave nuk është e madhe, sepse do të bëhet shumë punë.
Ai në cilësinë e një profesionisti, si arkitekt, thotë se pagesa katastrofale sjell rezultate katastrofale.

“Shërbimet e kësaj natyre nuk kanë ekzistu në Prishtinë, po lypen për herë të parë. Por, një numër janë edhe shërbime që janë marrë ma herët, por që fatkeqësisht janë pagu me çmime katastrofale dhe kanë rezultu me cilësi katastrofale. Po e them këtë si profesionist, e jo si drejtor i Urbanizmit. Në masë të madhe na rezultatet e këqija i kemi për shkak që janë pagu pak pare për ekspertizë teknike. Nuk po e them këtë me mbrojtë çmimin, por me tregu se pse nuk është e mirë pagesa e lirë dhe marrja e shërbimit të keq”, tha drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki.
Opozita e cilëson si projekt të dyshimtë
Nga Lëvizja Vetëvendosje në komunën e Prishtinës, këtë projekt e cilësojnë si të dyshimtë.
Asamblisti i VV-së, Rashit Gashi, deklaroi për Nacionalen se Rama po vepron në mënyrë sekrete.
“Është një vendim i pakuptueshëm, skandaloz kisha me thënë. Në një Prishtinë me shumë probleme elementare e emergjente të ndahet një shumë e tillë, kaq e madhe, për konsulencë, për këshilla, është papërgjegjësi totale, është abuzim dhe keqmenaxhim me paratë publike. Asnjëherë nuk është përmendur një kontratë e tillë. Vetë fakti që është vepruar në mënyrë kaq sekrete, me mungese totale të transparences, na bën me pasë dyshime të forta se kemi të bëjmë me një rast shumë të dyshimtë”, është shprehur Gashi.
Gashi thotë se grupi dhe ekspertët e VV-së kanë filluar të hulumtojnë për këtë kontratë 12-milionëshe.
Gazeta ka kontaktuar edhe me asamblistët e PDK-së në komunën e Prishtinës, por të njëjtit nuk kanë qenë të gatshëm të flasin.
Ndërsa nga AAK-ja, asmblisti Bahri Gashi thotë se Rama kishte deklaruar që dëshiron të jetë ende arkitekt e urbanist, por sipas tyre më shumë po shihet si biznesmen.
“Në programin e Përparim Ramës në garën për të parin e Prishtinës në faqen 7 thuhet decidivisht, citim “Unë ende dua të jem arkitekt e urbanist”, ama tash më shumë po shihet si biznesmen. Po ashtu në faqen 19 të këtij programi ku folë për ridefinimin e Qendrës së Prishtinës, ai thotë, citim “Ne do të: Krijojmë Zyrën e Arkitektit të Qytetit, e cila do të ketë kompetenca të zgjeruara për ridizajnimin e qytetit”. Pra me idenë Zyrja e Arkitektit të Qytetit, ky ka kërkuar nga qytetarët e Prishtinës votën, dhe besimi i dhënë nga qytetarët keqpërdoret tash dhe del në një tender 12-milionësh, dhe pa procedura të privatizimit, kjo zyrë privatizohet”, tha Gashi për gazetën.
Ky projekt do të kapë vlerën prej 12 milionësh, për 3 vjet gjithsej validitet sa do të ketë kontrata.
Ndryshe, për tenderin 12-milionësh, dyshime kishte hedhur edhe aktivisti i VV-së nga Prishtina, Enis Sulstarova. Njeriu i afërt i Kurtit kishte aluduar se Rama po dëshiron të paguajë borxhet e tij.


