Përparim Rama punët e përditshme i prezanton si suksese - NACIONALE

Përparim Rama punët e përditshme i prezanton si suksese

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy ditë më parë, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar raportin e punës 120-ditore. Në këtë raport janë evidentuar të gjitha punët dhe aktivitetet që komuna ka bërë gjatë kësaj periudhe kohore.

Si suksese të kryetarit të ri të kryeqytetit janë prezantuar edhe punët e përditshme që bëjnë zyrtarët komunalë.

Filluar nga e përgjithshmja, raporti është i mbushur me arritje, të cilat, në të vërtetë janë punë të përditshme që i bëjnë drejtoritë e të gjitha komunave në Kosovës.

Dy nga dhjetë arritjet e mëdha, siç shkruan raporti, flasin për një thellim bashkëpunimi për projekte ekzistuese, si projekti i MCC-së, dhe së dyti me EBRD dhe Trafikun Urban, ‘thellim’ ky për blerje e autobusëve të rinj.

Gjatë këtyre 120 ditëve të para, sipas raportit, komuna ka bashkërenduar projektet me ‘GIZ’ dhe ‘KFW’.

Po ashtu, aty si arritje janë evidentuar edhe vendime krejt të zakonshme si lirimi nga pagesa për trafikun urban për pjesëtarët e Policisë, FSK-së dhe zjarrfikësve, ose lirimi i hapësirave publike nga uzurpuesit, si për shembull, hapësira me lodra jofunksionale.

Më tej, si arritje paraqitet vendimi për ngritjen e çmimit të taksive ose vendimin për përditësimin e listës së pronave komunale.

Kësisoj, duke u bazuar në raportin e komunës së Prishtinës, si veprime të suksesshme llogaritën: takimin me 350 qytetarë, mirëpritjen e 16 ambasadorëve, pjesëmarrjen në 6 konferenca, 17 takime ose vizita të komunitetit të sportit, 12 intervista në media, takimin e 12 agjencive dhe donatorëve, bashkëpunimin me 36 organizata, 40 ‘pjesëmarrje’ në aktivitete të ndryshme.

Raporti, punën mbi 15 orë bisedime në kuvendin e komunës, e ka përshkruar si ‘standard’ të ri në qeverisjen e Ramës.

Të gjitha këto të dhëna e ngjarje krejt të zakonshme, raporti 120-ditor i vë në renditje suksesi. Më tej, raporti evidenton punët e të gjitha drejtorive që janë bërë gjatë kësaj kohe.

Në veçanti aty evidentohen punët e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit. Raporti shkruan se kjo drejtori ka renditur sukseset si menaxhimin e rrugëve, menaxhim mbeturinash, rregullim ashensorësh, monitorim semaforësh.

Derisa zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit kanë përfunduar disa punë të tjera.

“Plotësonte objektivat e vënë, të vizitojë 60 herë institucionet edukativo-arsimore për t’i mbikëqyrur, të vizitojë suksesshëm edhe 15 herë tjera institucionet edukativo-arsimore, por në një formë më të ‘specializuar’ dhe për çështje të ndryshme”, është thënë në raport.

Raporti vazhdon duke përmendur punët tjera që i ka kryer kjo drejtori, si organizimet për ditën e mësuesit, ceremoninë për ndarjen e mirënjohjeve për nxënësit, organizim garash, takimesh e trajnimesh, organizimin e klasës së skijimit, organizimin e aktiviteteve si në kor e valle.

Sipas raportit, drejtoria e Sportit ka kryer këto punë: 50 aktivitete të ndryshme, 20 projekte shoqërore, pranimin e 50 raporteve financiare, shpalljen e ‘laureatëve’ të vitit.

Ndërsa zyrtarët e drejtorisë se Inspekcionit, po ashtu sipas raportit, në mënyrë të suksesshme kanë kontrolluar taksitë, kanë mbyllur deponitë, kanë liruar sheshet nga shitësit ambulant dhe trajtuan 245 ankesa.

Lajme të ngjashme