Të shtunën vjen në Prishtinë drafti final i marrëveshjes me Serbinë
Drafti final i propozimit franko-gjerman për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, pritet që të arrijë në Kosovë të shtunën, më 17 dhjetor, mëson ekskluzivisht gazeta Nacionale. Këshilltarët kryesorë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz e presidentit francez, Emmanuel Macron, qëndrojnë po ashtu në vendin tonë gjatë asaj dite.
Ditëve të fundit, propozimi franko-gjerman ka qenë një prej çështjeve më të përfolura nga diplomatët e lartë amerikanë e evropianë, në mes të tensioneve të veri të Kosovës.
Nacionale nga burime të saj, ka mësuar se 17 dhjetori, e shtunë, do të jetë data e ardhjes së draftit final të këtij propozimi.
Po ashtu, në të njëjtën ditë, Nacionale meson se në Kosovë do të qëndrojnë edhe këshilltarët francezë e gjermanë, Emmanuel Bonne e Jens Plotner.
Palët kishin dorëzuar komente mbi draftin e parë, që u është dorëzuar më 9 shtator. Megjithatë, nuk dihet nëse ka ndodhur njëjtë edhe për versionin tjetër, i cili arriti në duart e kryeministrit Albin Kurti gjatë javës së kaluar.
Përkrahet nga ShBA-ja dhe 27 vende të BE-së
Ajo që po konsiderohet si një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, që këto ditë kanë pasur shumë tensione, po përkrahet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Fillimisht në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës para pak ditësh, nënsekretari amerikan dhe Këshilltari Special i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, konfirmoi se shteti që ai e përfaqëson e mbështet fuqishëm këtë propozim.
“Për sa u përket bisedimeve që janë në vazhdim e sipër dhe do të ketë një raund të ri bisedimesh në javët e ardhshme në Bruksel. Ne e mbështesim shumë këtë proces. Nuk dua të hyj në detaje, por një nga gjërat për të cilat do të flas kur të vizitoj Prishtinën dhe më pas Beogradin, do të jetë se si Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të mbështesin Bashkimin Evropian në përpjekjet e tij për të pasur negociata të suksesshme.” – deklaroi ai.
Planin franko-gjerman, e ka përmendur edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili njëkohësisht, po qëndron edhe për një vizitë në Kosovë, ku para pak minutash, ka përfunduar takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një deklaratë para mediave, pas përfundimit të këtij takimi, Escobar la të kuptohet se kjo çështje është diskutuar, aty ku i pranishëm ishte edhe emisari evropian për dialogun, Mirsolav Lajçak.
“Shpresoj qe presionet mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojnë shumë shpejt…Jam i lumtur që emisari Lajçak është kështu, e mbështesim planin franko-gjerman.” – shtoi Escobar.
Ndërkaq, në një deklaratë për media pas takimit të djeshëm të Ministrave të Jashtëm, kryediplomati evropian, Josep Borell, konfirmoi se inciativa, po përkrahet nga 27 shtetet anëtare, duke e quajtur këtë edhe “propozim të tyre”.
“Ne e kemi ofruar atë propozim dhe duhet ta shtyjmë para urgjentisht. Jam i lumtur që kemi marrë përkrahjen e fortë të të gjithë ministrave për këtë iniciativë. Tash është propozim i 27 shteteve të BE-së.” – tha ai.
Çfarë thuhet në propozim, sipas REL-it?
Të dielën, media e afërt me ShBA-në, Radio Evropa e Lirë, ka publikuar disa pika, për të cilat thuhet se janë pjesë e këtij propozimi.
Sipas këtij plani, të paktën ashtu siç edhe e ka siguruar media në fjalë, nuk përmban njohje reciproke, por është shumë afër njohjes.
Një prej pikave, flet për të drejta të barabarta Kosovës dhe Serbisë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë janë elementet kyçe të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara - për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë - por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.
Tutje thuhet se propozimi i BE-së thotë se, sa i përket “nivelit përkatës të vetëqeverisjes” për serbët e Kosovës, “të dyja palët obligohen që të vendosin aranzhime të posaçme dhe garanci në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës, duke u bazuar në përvojat ekzistuese evropiane”.
Sipas dokumentit, palët do të duhej të rrisnin bashkëpunimin në disa fusha, përfshirë: ekonominë, shkencën, teknologjinë, transportin, drejtësinë, postën dhe telekomin, shëndetësinë, kulturën, religjionin, sportin dhe mjedisin.
Në këtë plan, përmendet edhe rregullimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe aranzhimet për komunitetin serb në Kosovë.
Dokumenti gjithashtu përmend bashkëpunimin për çështjen e të pagjeturve nga lufta e viteve 1998/99 dhe të drejtat e personave të zhvendosur.
Në fund, parashihet edhe krijimi i komisioneve të përbashkëta për të monitoruar zbatimin e vetë propozimit të BE-së.



