Takimi me Blinkenin e marrëveshja me MCC-në, këtë javë vëmendja në Amerikë
Kjo javë i gjeti krerët më të lartë të shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri e Presidentja bashkë me ministren e Ekonomisë, udhëtuan drejt Amerikës për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në për energjinë. Megjithatë, atje e zhvilluan një takim që mori po aq vëmendje.
Presidentja Osmani e kryeministri Kurti, për herë të parë u pritën në një takim të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë. Ata e takuan sekretarin e shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken.
Një takim që zgjati rreth një orë, ishte kryefjala e zhvillimeve politike të kësaj jave në Kosovë, raporton Nacionale.
Raportet Kosovë – Amerikë, lufta në Ukrainë, dialogu me Serbinë e investimet, u thanë se ishin disa nga temat kryesore që u diskutuan bashkë me Blinkenin. Megjithatë, dje pas kthimit nga Amerika, Kurti e Osmani e pranuan se në takim është diskutuar edhe për Manastirin e Deçanit.
Osmani ka thënë se tema e Manastirit të Deçanit është diskutuar siç është bërë në të kaluarën, pa folur se çfarë i është kërkuar.
“Sa i përket Ballkanit të Hapur, nëse i referohemi takimit me Blinken-in, kjo temë fare nuk është shtruar. Për Manastirin e Deçanit, është ftuar në kontekstin që gjithnjë është dëgjuar edhe më herët, në kontekstin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Osmani, raporton Nacionale.
Se është përmendur kjo temë, konfirmoi edhe Kurti. Megjithatë, ai tha se pjesa më e madhe e takimit ka qenë për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
“Rreth 80% të vëllmit kohor të atij takimit ka pasur të bëjë me raportet bilaterale Kosovë - Amerikë dhe kontekstin ndërkombëtar. ShBA-ja e njeh Kosovën siç i ka shpallur kufijtë. Shtet i pavarur dhe sovran. Raportet tona me Serbinë nuk janë normale dhe duhet t’i normalizojmë. Si duket, për formulën e normalizimit të raporteve me Serbinë, pajtohemi me Amerikën. Është marrëveshje e obligueshme për normalizim të raporteve me njohje reciproke. Është përmendur Manastiri i Deçanit. Por 80% kemi folur për kontesktin ndërkombëtar të Kosovës”, tha Kurti.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se takimi me sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, ishte shumë i veçantë.
Pas kthimit nga ShBA-ja, në një konferencë të përbashkët me presidenten Osmani, ai tha se ky takim ishte një hapje e një kapitulli të ri.
“Takimi me sekretarin Blinken ishte fort i veçantë, sepse, në njërën anë, është konfirmim i aleancës tonë të fortë, por, në anën tjetër, është edhe hapje e një kapitulli të ri, ku reformat demokratike në Kosovë dhe sfidat para se cilave ndodhet i gjithë kontinenti, pas invazionit rus në Ukrainë, kërkojnë një shtim të bashkëpunimit të Kosovës me ShBA-në. Ne këtë e synojmë si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në atë të integrimit ndërkombëtar”, tha Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën për media, të mbajtur në aeroport pas kthimit nga Amerika, foli për takimin me sekretarin Antony Blinken.
Ajo tregoi për temat që kanë biseduar me Blinken-in, por e la krejt nga fundi dialogun Kosovë - Serbi.
Marrëveshja me MCC-në
E pikërisht gjatë kësaj jave, Kosova nënshkroi një nga marrëveshjet që u vlerësua prej më të rëndësishmëve që pas shpalljes së pavarësisë. Në Amerikë, u hodh firma në marrëveshjen Kompakt ndërmjet Kosovës dhe MCC-së, nga e cila Kosova pritet të përfitojë mbi 200 milionë euro.
Krerët e shtetit, këtë marrëveshje e vlerësuan si tejet të rëndësishme.
Në emër të Kosovës, nënshkrimin në marrëveshje e ka hedhur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ndërsa nga pala amerikane, nënshkruese ishte Alice Albright, udhëheqëse e MCC-së dhe vajza e ish-sekretares Medeline Albright.
Në takim u thanë fjalë të mëdha për ndikimin që do të ketë kjo marrëveshje.

E para foli Albright, e cila falënderoi palët për bashkëpunimin e mirë, duke thënë se disa nga të pranishmit janë për herë të parë në dhomën ku mbahej takimi.
“Ekipa ime ka bërë shumë punë, faleminderit shumë që jeni sot këtu me ne në këtë sallë të bukur. Disa nga ne s’kanë qenë kurrë në këtë dhomë, për këtë arsye është nder të jemi këtu. ... SHBA ka lidhje të thellë me Kosovën. Shumë kanë punuar për këtë marrëveshje, dua të falënderoj ekipin. Që nga viti 2004, MCC ka punuar me shumë vende, duke investuar miliarda dollarë për shumë programe e shtete”, ka thënë ajo.
Albright tutje ka thënë se marrëveshjet e MCC-së sjellin dobi për miliona njerëz, derisa ka thënë se qytetarët e Kosovës po përballen me probleme me energjinë.
“Këto investime pritet të sjellin dobi, për miliona njerëz. Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë kompaktin prej 263 milionë dollarësh. 4 nga 10 shtëpi në Kosovë, aktualisht janë duke u përballur me një formë të problemeve me energjinë”, tha ajo.
Ndërsa, nga pala kosovare, e para foli presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se marrëveshja me MCC-në do të krijojë stabilitet në sektorin e energjisë.
Tutje, ajo tha se ky investim do të jetë trashëgimia më e mirë për gjeneratat e ardhshmë në Kosovë.
“SHBA po na ndihmon edhe më tutje për ekonomi me këtë marrëveshje, duke qëndruar pranë nesh dhe për të parë këtë sukses të veçantë, që ne të arrijmë edhe më shumë gjatë viteve në vazhdim. Duke parë sfidat e tranzicionit të energjisë, duke formuar vende pune, por edhe siguria e energjisë është një çështje e rëndëishme. Këtë herë, këto investime do të bëhen trashëgimia më e mirë e gjeneratave në vazhdim”, tha Osmani.

Gjatë fjalës së saj, Osmani rikujtoi historinë e gjatë të marrëdhënieve të shkëlqyera të Kosovës dhe SHBA-së.
E pas shefes së shtetit, fjalën e mori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se dita e nënshkrimit është një përkujtim për punën e madhe që është bërë.
Tutje, shefi i ekzekutivit tha se marrëveshja me SHBA-në do të shkojë në Kuvend për ratifikim.
“Nënshkrimi i marrëveshjes është shenjë e dedikimit dhe punës sonë. Marrëveshja që po e nënshkruajmë ne, do t’i propozohet Kuvendit për votim”, tha ai.
Marrëveshja u ratifikua në Kuvend nga të gjitha partitë opozitare, që u bënë bashkë duke i thënë po këtij zhvillimi.
Përderisa java që kaluam ishte me vëmendje në Amerikë, java qëpo hyjmë po del se vëmendjen do ta ketë kah veriu. Kjo pasi që nga nesër fillon afati për regjistrimin e veturave në tabela RKS për serbët që bartin targa ilegale si KM, PR etj. Gjithashtu, do të fillojë së zbatuari edhe reciprociteti në letërnjoftimë.


