Takimi i shumëpritur, nesër prindërit e Hashim Thaçit udhëtojnë për në Hagë - NACIONALE

Takimi i shumëpritur, nesër prindërit e Hashim Thaçit udhëtojnë për në Hagë

4 vjet më parë

nga Gazeta Nacionale

Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës, po mbahet i paraburgosur që nga 5 nëntori i vitit 2020-ës në Hagë nga Gjykata Speciale. Që nga atëherë, ish-shefi i shtetit nuk i ka parë prindërit e tij.

Por, duket se mallëngjimit për babain Haxhi e nënën Hyra po i vjen fundi.

Gazeta Nacionale mëson nga burimet e saja se Haxhi e Hyra Thaçi do të udhëtojnë nesër për në Hagë për ta parë djalin e tyre, për herë të parë që më shumë se një vit e gjysmë nga dita që u arrestua.

Burimi i gazetës Nacionale ka treguar se prindërit e ish-presidentit do të udhëtojnë për në Hagë nesër në mëngjes dhe do të qëndrojnë deri në ora 16:00.

Dëshirën për ta takuar djalin e tyre, e kishin theksuar edhe gjatë vizitës së Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë, në Burojë të Skenderajt.

Madje, ishte vet kryeministri shqiptar që u premtoi prindërve të Thaçit udhëtimin bashkërisht në Hagë.

Ende nuk dihet nëse kësaj radhe atyre do t’iu bashkohet në vizitën për tek ish-presidenti Thaçi.

Gjatë qëndrimit të Ramës në Burojë, vëllai i Thaçit kishte treguar se prindërit e tij do të udhëtonin së shpejti për në Hagë.

Deri tani, prindërit e Thaçit ishin takuar vetëm në formatin “online”, nëpërmjet bisave në ZOOM.

Kujtojmë që së fundimi Gjykata Speciale me seli në Hagë ka vendosur që ish-presidenti Hashim Thaçi të mbetet në paraburgim.

Në mesin e arsyetimeve pse Thaçi duhet të mbahet në paraburgim, gjyqtari ka përmendur edhe rrezikun e ikjes, ndikimit në procedura, e mundësinë e shkatërrimit të provave.

“Gjykata refuzon kërkesën për mbajtjen e një seance dëgjimore. Urdhëron vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin”, thuhet në vendimin që e ka parë gazeta Nacionale.

Gjykata Speciale nuk ka marrë parasysh as garancinë nga Policia e Kosovës se mund të zbatojë arrestin shtëpiak, e as garancinë nga shteti i tretë në rastin e Thaçit.

Arsyet për refuzimin e Thaçit

“Gjyqtari i procedurës paraprake rikujton se është konstatuar rreziku që z. Thaçi të arratiset, në bazë të ndikimit dhe autoritetit të tij që rrjedhin nga pozitat që ai i ka mbajtur në të kaluarën, e që mund t’i përdorë për të kërkuar mbështetjen e ish-vartësve të OVL-UÇK-së e që mund t’i ndihmojnë atij të arratiset, duke siguruar qasje në informata e fonde”, thuhej në vendimin e Speciales.

Në mesin e arsyeve tjera që gjyqtari i procedurës paraprake ka përmendur edhe mundësinë e shkatërrimit të provave që sipas tij, do të ndikonte në procedurën penale.

“Gjyqtari rikujton se më parë është konstatuar se Thaçi ka tentuar ta minojë Gjykatën Speciale dhe ka ofruar përfitime për personat e thirrur nga Prokuroria (REDAKTUAR). Ai vazhdon të ketë autoritet dhe ndikim në Kosovë. Ekziston gjithashtu rreziku i frikësimit të dëshmitarëve ose anëtarëve të familjes së tyre. Në lidhje me këtë, gjyqtari konstaton se heqja e masave mbrojtëse e rrit rrezikun e pengimit të drejtësisë. Së fundmi, kujtohet se ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve, ndërhyrje në procedura. Pra rreziku që Thaçi të ndikojë, ekziston ende”, thuhet në vendimin e gjyqtarit.

Në vendimin e gjyqtarit te rasti i Thaçit, përmendet edhe kërcënimi ndaj Dick Martyt, për të cilin kishte bërë disa parashtrime mbrojtja.

“Ky argument nuk ka lidhje me çështjen e lirimit me kusht. Në çdo rast, atentati është ende i paverifikuar dhe mbrojtja nuk arrin të shpjegojë se si një komplot i tillë mund të çojë në përfundimet se nuk ka rrezik që Thaçi të ndërhyjë në procedurat e Gjykatës Speciale, ose të kryejë krime të tjera”, thekson vendimi.

Lajme të ngjashme