“Takimet e vështira”: Lajçaku në Kosovë kritikoi Kurtin, në Serbi lavdëroi Vuçiqin - NACIONALE

“Takimet e vështira”: Lajçaku në Kosovë kritikoi Kurtin, në Serbi lavdëroi Vuçiqin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Serbia s’e pranoi planin franko-gjerman, por pas takimit të sotëm me pesë emisarë të fuqive ndërkombëtare, u pa një qëndrim më i zbutur. Nuk dihet nëse kjo të ketë qenë arsyeja që do ta bënte diplomatin Mirsolav Lajçak të deklarohej me një ton të butë ndaj presidentit serb, Aleksandër në Vuçiq. Por para krejt kësaj, në Kosovë, ai do të deklaronte se “ka pritur më shumë mirëkuptim”. Çka ndodhi gjatë vizitave të sotme?

E premtja e 20 janarit duket të ishte një ditë mjaft e rëndësishme, tani kur thirrjet se marrëveshja finale duhet të arrihet shpejt, veçse po shtohen.

“Ekipi” që do të fliste në të dyja shtetet për planin franko-gjerman përbëhej nga emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Francesco Maria Talò dhe emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në Kosovë pritet “më shumë mirëkuptim”

Prej këtyre pesë figurave, vetëm Lajçaku foli para mediave. Të dyja takimet, u konsideruan të vështira. Por, nuk kishte si të mos dëgjohej një ton ndryshe në Kosovë, e krejt tjetër në Serbi.

Lajçak u pa jo edhe aq i kënaqur pas takimit, duke thënë se “ka pritur më shumë mirëkuptim” për mundësitë e ofruara nga propozimi franko-gjerman, që tash është edhe propozim i Brukselit.

“Jemi në mes të misionit tonë, ne do të vazhdojmë për në Beograd. S’ka shumë çka mund të them. Sidoqoftë, çka mund të them në këtë pikë është që ne kemi pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë e ofruara nga ky propozim. Shpresoj që do të arrijmë aty te mirëkuptimi i plotë dhe shfrytëzimi i plotë i mundësive të këtij propozimi. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë.” – tha ai.

Veç kësaj, Lajçak para mediave ka folur edhe për planin franko-gjerman, por theksoi se "nuk do të japë ndonjë deklaratë dramatike".

“Të gjithë këto fuqi janë vendosur prapa kësaj inciative. Dhe natyrsht, qëllimi i këtij takimi me kryeminstrin Albin Kurti ishte diskutimi i propozimit për normalizimin e marrëdhënieve që e kemi prezantuar në shtator e pastaj në dhjetor. Ne shpenzuam më shumë se dy orë me kryeministrin, që tregon se takimi ishte i gjatë, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë dhe shumë i hapur. Është shumë herët të thuhet ndonjë deklaratë dramatike” – tha ndër të tjera z. Lajçak pas takimit.

Vuçiqi konsiderohet me “qasje të përgjegjshme”

Siç raportoi mediumi serb “N1”, Lajçak pas takimit konfirmoi se do të vazhdohet të punohet rreth planit franko-gjerman.

“Ne jemi të bindur se plani që kemi prezantuar në shtator është mënyra më e mirë për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe perspektivë evropiane në rajon. Ne vazhdojmë të punojmë.” – citohet të ketë thënë ai.

Por, deklarata që tërhoqi më së shumti vëmendje, ishte mënyra se si e përshkroi Lajçaku, Vuçiqin.

“Kemi pasur një takim të gjatë, të vështirë, por bisedë të hapur. Presidenti Vuçiq tregoi qasje të përgjegjshme dhe vullnet që të marrë vendime të vështira në interest të paqës dhe përspektivës evropiane.” – ka thënë ai.

Lajçak përmbledhë vizitat me disa fjalë në Twitter

Lajçak përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Tëitter, ka thënë se gjatë vizitave me emisarin amerikan dhe këshilltarët e tjerë, diskutuan për hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Së bashku me këshilltarët e politikës së jashtme të Gjermanisë, Francës, Italiës dhe atë amerikan Escobari, kam udhëtuar sot në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre bazuar në propozimin tonë.” – shkroi ai.

Ai e ka bërë të qartë, se kjo nënkupton zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.

“Kjo gjithashtu nënkupton zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve. Kam në plan të vazhdojmë bisedimet tona së shpejti.” – tha ai në fund.

Lajme të ngjashme