Vuçiq për konceptin evropian: E bëra të qartë rezervën për një çështje të rëndësishme
Pas takimit me “pesëshen” ndërkombëtare, të udhëhequr nga i dërguari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Kosovo Online raporton se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ishte një bisedë e vështirë.
"Ajo për të cilën jemi dakord është se një konflikt i ngrirë nuk është zgjidhje, dhe kur keni një konflikt të ngrirë, është çështja se kur dikush do ta shkrijë atë dhe se kur individë të papërgjegjshëm do të shembin paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor," – raportohet të ketë thënë Vuçiq.
Bëhet e ditur se Vuçiq, ka kërkuar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që të ndihmojnë në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, ndërsa duke folur për propozimin franko-gjerman, ai ka shprehur gatishmëri për të punuar drejt zbatimit të tij.
“Jemi të gatshëm ta pranojmë konceptin dhe të punojmë për zbatimin e marrëveshjes së propozuar, me faktin se një gjë e bëra shumë të qartë dhe tregova gjithë shqetësimin dhe rezervën për një çështje të rëndësishme, sepse sigurisht që unë nuk mund të flasim për këtë, sepse propozimi nuk është publik”, tha Vuçiq.
Ndër të tjera, raportohet se Vuçiq ka thënë se nuk ka ditë të lehta përpara.
Kujtojmë se, përveç Lajçakut dhe Escobarit, delegacioni ndërkombëtar përbëhej nga këshilltari për politikën e jashtme dhe sigurinë e kancelarit gjerman, Jens Plettner, këshilltari i politikës së jashtme të presidentit francez Emmanuel Bonn dhe këshilltari i politikës së jashtme dhe sigurisë së kryeministrit italian Francesco Talo.
