Sveçla dhe Haxhiu me dy letra për Borrellin pas raportit të Serbisë për “keqtrajtim dhe rrahje” të serbëve të arrestuar - NACIONALE

Sveçla dhe Haxhiu me dy letra për Borrellin pas raportit të Serbisë për “keqtrajtim dhe rrahje” të serbëve të arrestuar

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Pas “shqetësimeve” të shfaqura nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell rreth arrestimeve ne veri, si dhe raportimit të zyrtarit të Zyrës Ndërlidhëse serbe në Prishtinë, Dejan Paviqeviq, ku ky i fundit pretendon se të arrestuarit serbë kohëve të fundit janë “keqtrajtuar dhe rrahur” në përmasa “çnjerëzore” nga Policia e Kosovës dhe në qendrat e paraburgimit, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i kanë nisur dy letra Borrellit. Për raportin e Paviqeviq-it, Sveçla dhe Haxhiu thonë se përmban të pavërteta, është tejet i njëanshëm, si dhe “asnjë nga pretendimet e tij nuk janë valide” teksa provojnë të shpjegojnë se si qëndrojnë gjërat – prej arrestimeve, te mbajtjet e tyre në qendra të paraburgimit, akuzat që rëndojnë mbi to dhe të drejtat që i gëzojnë.

Sveçla i shpjegon në rend të parë Borrellit se si ushtrohet përdorimi i forcës gjatë arrestimit të të dyshuarve nga autoritetet e rendit dhe ligjit. “Autorizimi ligjor i Policisë së Kosovës në kuptimin e ushtrimit të kontrollit të arsyeshëm mbi persona dhe prona brenda juridiksionit për mbrojtjen dhe sigurinë është drejtpërsëdrejti i lidhur me vetë personin i cili është subjekti që rrezikon ose mund të rrezikojë rendin dhe sigurinë publike”, shkruan Sveçla.

Bazuar në raportin e marrë nga Policia e Kosovës, në veçanti në çështjet e ngritura në letrën e Zyrtarit Ndërlidhës, asnjë nga pretendimet e tij të përmendura në atë letër nuk janë valide, sepse të gjitha veprimet e marra nga Policia e Kosovës kanë qenë në përputhje të plotë me procedurat ligjore në fuqi, dhe janë marrë në koordinim të plotë me Prokurorinë Shtetërore”, shkruan më tej Xhelal Sveçla.

Ndërsa sa i përket rastit të Millun “Lune” Milenkoviq, ministri i brendshëm ka më së shumti për të thënë; kjo ngase raporti i zyrtarit serb pretendon se “më i rrahuri e më i dëmtuari” ishte Milenkoviq. Këtu Sveçla ofron një profil të dyshuar kriminal të tij: thotë se dyshohet se ai është Zëvendës Komandant i “Severna Brigadës”.

Roli i tij në dhunën gjatë protestave më 29 maj, ku dhjetëra ushtarë të KFOR-it është i mirë-dokumentuar nga Policia e Kosovës. Po ashtu, Policia e Kosovës ka dyshim të bazuar se ai është Zëvendës Komandant i Severna Brigadës. Bazuar në këto fakte, Policia e Kosovës ka vlerësuar rrezikun që përbën ky individ, si RREZIK I LARTË”, shkruan më tej ai.

Rezistenca aktive e zotit Milenkoviq, si dhe sulmi mbi zyrtarët policorë të përfshirë, të kryera nga ai dhe ata që e shoqëruan, bënë të nevojshme përdorimin e forcës së nevojshme dhe proporcionale për ta futur në kontroll”, thotë më tej ai.

Si rezultat i arrestimit të tij, i shpjegon ministri kosovar kryediplomatit evropian, “dy zyrtarë policorë u lënduan dhe një numër veturash të Policisë së Kosovës u dëmguan”.

Edhe për të arrestuarin me mbiemer Vllashkoviq, Sveçla thotë se “shfaqi rezistencë dhe agresion gjatë kohës së arrestimit” dhe se si rezultat i kësaj një polic u lëndua dhe morri trajtim mjekësor. Po ashtu për të arrestuarin me mbiemër Bozhoviq, Sveçla thotë se autoritetet e rendit “hasën në vështirësi që lehtësisht ta vendosin nën kontroll”.

Ndërkaq Sveçla kontrastin e vendos te i arrestuari me mbiemër Spasiq, për të cilin thotë se nuk ka bërë rezistencë gjatë arrestimin, dhe se prandaj përdorimi i forcës ndaj tij nuk ka qenë i nevojshëm, përveç prangosja.

Sveçla, mes tjerash, e garanton Borrellin se Policia e Kosovës “i respekton të gjitha procedurat e brendshme dhe standardet e vëzhgimit, kontrollit dhe vlerësimit për përdorim të forcës”.

Letra e Haxhiut

Për rastin e “Llunes” Albulena Haxhiu thotë se ndryshe nga të tjerët ai është vendosur në Burg të Sigurisë së Lartë, për shkak të akuzave për terrorizëm dhe rrezik për sigurinë që rëndojnë mbi të; ndërsa për raportin e zyrtarit serb thotë se “është tejet i anshëm”.

Duhet të refuzojmë tendencën që personat ligjërisht të ndaluar të paraqiten me gjuhë politike që nuk i shërben sundimit të ligjit në shoqëritë demokratike. Çdokush që ka qëlluar mbi Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe gazetarët duhet të ndjeket nga ligji para institucioneve gjyqësore. Të gjitha shkeljet kriminale, pavarësisht etnisë së kryerësit, duhet të dënohen bazuar në ligj”, i ka shkruar Haxhiu, Borrellit.

Haxhiu, thotë se edhe në bazë të raportit të Paviqeviqit “asnjë nga të ndaluarit nuk kanë pasur ankesa rreth trajtimit të tyre në qendrat korrektuese” derisa vlerëson se të gjithë ata gëzojnë të drejtat e tyre bazike.

“Pasi që ata janë dërguar në qendrat përkatëse, të ndaluarit u njoftuan me të drejtat e tyre, u vizituan nga avokatët e tyre dhe familjet si dhe u bënë të gjitha vlerësimet mjekësore. Rojtarët e burgut ishin prezentë gjatë vizitave, prezent në kuptimin fizik, duke ua lejuar privatësinë e nevojshme të bisedave dhe komunikimin me palët respektive”, thotë Haxhiu.

Çfarë ka raportuar zyrtari serb?

Mediat serbe, ditë më parë, kanë botur një raport të Shefit të Zyrës Ndërlidhëse serbe në Prishtinë, Dejan Paviçeviq, ku ky i fundit ka regjistruat pretendime të ashpra për gjoja rrahje dhe keqtrajtime të të arrestuarve serbë të kohëve të fundit në Kosovës. Ky raport u është dërguar Bashkimit Evropian nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Raporti i këtij zyrtari s’ka se si të mos jetë me brutal ku akuzon policinë kosovare se “po i rrah dhe fyen” të arrestuarit mbi baza “kombëtare dhe fetare”.

Për të arrestuarit më famëkeq, Milun Luna Milenkoviq, në këtë raport shkruhet se “ka plagë të dukshme prapa kokës së mbështjellur me fashë, nën të cilën ka të qepura të bëra pas dhunës së shkaktuar nga Policia e Kosovës me pjesën e prapme të pushkës”.

Ka nxirje mbi synin e djathtë dhe dy të nxira në qafë dhe brinj, prapa shpine dhe nën brinj i duken. Të qarat të shkaktuara nga lidhja i duken në kyçet e dy duarve, të cilat janë duke iu sjhëruar, por ai ankohet për mpirje të gishtave në dy duart si rezultat i të qënit i lidhur për kohë të gjatë”, shkruan ai në raport. Ky zyrtar për Llunën thotë se e ka gjetur “në një gjendje tejet të keqe mendore” dhe “në ankth e në depresion”.

Për të arrestuarin Nemanja Vllashkoviq, ky zyrtar thotë se nuk ka gjetur “shenja të dukshme të dëmeve fizike” ndërsa për Dalibor Spasiq shkruan se “nuk ka lëndime serioze”. Milovan Bozhoviq, gjithashtu, sipas tij, “nuk ka lëndime të dukshme, përveç në krahun e djathtë” ndërsa citon deklarimet e tyre e tij se “nuk është malltretuar”. Për të arrestuarin Dushan Obrenoviq, ai shkruan se “ka shenja të dukshme në kokë dhe fytyrë”.

Lajme të ngjashme