Sulmi terrorist në Ibër-Lepenc, Hill mohon të ketë parë dëshmi se e ka kryer Beogradi: “FBI po ndihmon hetimet” - NACIONALE

Sulmi terrorist në Ibër-Lepenc, Hill mohon të ketë parë dëshmi se e ka kryer Beogradi: “FBI po ndihmon hetimet”

1 vit më parë

nga Xhezair Dashi

“FBI po ndihmon në hetime...nuk shoh asnjë dëshmi që çon te Beogradi”.

Kështu tha Christopher Hill, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, duke folur për sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, përkatësisht në një prej infrastrukturave më jetike të vendit.

Hiç më larg se ditëve të fundit ishte Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të Agjencionit Kosovar për Inteligjencë, Ganimete Musliu, ndau me publikun informacione nga drejtuesi i AKI-së, se sulmi është kryer nga kryeterroristi, Milan Radojçiq, përgjegjës për sulmin paraushtarak në Banjskë.

Por, Hill mohon të ketë prova për përfshirjen e Beogradit zyrtar, së paku tash për tash.

"Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë", tha Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.

Autoritetet kosovare që po hetojmë sulmin terrorist në Ibër-Lepenc po ndihmohen në hetim nga Byroja Federale për Hetime e ShBA-së (FBI). Këtë e ripotencoi edhe Hill.

Është mirë që ne po japim mbështetje përmes FBI-së, mendoj se është e rëndësishme. Por, kjo flet edhe për faktin q mungesës së besimit dhe prirjes për akuza të ndërsjella”, tha Hill gjatë intervistës.

Më tej ai shtoi se “të dyja palët” po synojnë zbardhjen e së vërtetës për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Ambasdori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ditë më parë në një intervistë në “Rubikon” te Adriatik Kelmendi, tha se FBI-ja i është bashkëngjitur autoriteteve kosovare në hetimin e rastit.

“Kemi sjellë mbështetjen e FBI-së këtu në Kosovë për të punuar drejtpërdrejt me kohë të plotë me autoritetet për zbatim të ligjit, për të identifikuar përgjegjësit”, ka thënë Hovenier, i cili e ka dënuar edhe një herë sulmin.

Hovenier po ashtu u rezervua në identifikimin se kush mund të kenë qenë kryerësit e sulmit terrorist, për çk atha se “nuk mund ta përcaktojë” deri në kryerjen e një hetimi të plotë e të detajuar.

Emisari amerikan për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Aleksandar ‘Sasha’ Kasanof, po ashtu ditëve të fundit ka folur për sulmin terrrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Ajo që mund të them është që akte të tilla janë jo vetëm të tmerrshme por janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet dhe i refuzojmë në mënyrën më të forte”, ka thënë mes tjerash Kasanof.

Çfarë kanë thënë autoritetet kosovare?

Ndonëse s’mund të ndante informacione më të detajuara, Ganimete Musliu, pas një raportimi të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti, në komision parlamentar, tha se Radojçiqi qëndron prapa sulmit.

Gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile me provokime të mundshme nga Serbia. Folëm për sulmin në kanalin e “Ibër Lepencit” dhe për çështje të tjera. Në bazë të asaj se çfarë u tha nga drejtori i AKI-së, prapa sulmit qëndron Radojçiqi i mbështetur nga shteti serb”, tha ajo para mediave.

Qeveria e Kosovës dhe Presidenca për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit kanë thënë në mënyrë të paekuivoke se është orkestruar nga shteti serb.

Për sulmin janë arrestuar dy persona të kombësisë serbe dhe dërguar në paraburgim derisa po zhvillohet edhe proces gjyqësor ndaj tyre.

Lajme të ngjashme