Stuhia amerikane, Kurti "cullak": Ambasada e ShBA-së s’më ftoi në tubimin e Asociacionit, insistoi Escobar për takimin
Zakonisht para ngjarjeve të rëndësishme, jemi mësuar të dëgjojmë shprehjen “qetësia para stuhisë”. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se nuk është i qetë para takimit të javës së ardhshme, ku Ambasada Amerikane do të mbajë një “tubim” ekskluzivisht për Asociacionin. Çka tha ai në intervistën e fundit?
Na ndajnë pak ditë tashmë nga takimi që do të mbahet më 31 janar, i thirrur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Shumë persona janë ftuar të marin pjesë në këtë takim, por siç duket, jo edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Shefi i Qeverisë s’është ftuar në takim
Në intervistën e tij të publikuar të premten, dhënë për Radio Evropën e Lirë, te fjalët e folura nga kryeministri veç qetësi nuk u pa, nuk pati asnjë tërheqje apo qasje diplomatike, siç ndodhë zakonisht kur flitet për çështje të ndjeshme si kjo.
Fillimisht, ai konfirmoi se nuk është ftuar tani, për të vijuar më pas me një shprehje paksa shpërfillëse, ““ata që janë ftuar, le të shkojnë në takim e le të diskutojnë”.
Deklarata në vazhdim e dhënë nga kryeministri Kurti duket se kishte të bënte për diplomatin e njohur amerikan tashmë për qëndrime mjaft direkte, emisarin Gabriel Escobar.
Shefi i ekzekutivit, ka treguar një qasje ku e lë “fajtor” pikërisht të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për takimin që do të mbahet të martën.
“Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet.” – citohet të ketë thënë tutje ai.
Madje, Kurti e ka bërë të qartë se pritshmëritë e tij për Escobarin, kanë qenë krejtësisht tjera.
“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni.” – tha ai.
Kryeministrit iu bë edhe një pyetje tjetër për Escobarin, duke rikujtuar deklaratën e këtij të fundit se nëse nuk përfshihet Qeveria e Kosovës, mund të bëhen diskutime me partnerë alternativë.
“Kush mund të jenë partnerët alternativë, sipas jush, dhe a është ky një mesazh për ju?” – u pyet Kurti.
“Unë mendoj që duhet ta pyesni atë. Duhet ta pyesni z.Escobar se çfarë ka menduar. Unë i di shumë gjëra, por nuk është në rregull të flas se çfarë kanë menduar të tjerët kur kanë folur diçka. Besoj që më mirë është t’i pyesim ata.” – u përgjigj ai.
Kush është i ftuar në takimin e 31 janarit?
Deri më tani, dihet se pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar dy zyrtarë të lartë të Qeverisë Kurti. Bëhet fjalë për ministrin Nenad Rashiq dhe zëvendëskryeministrien, Emilija Redzepi.
Ndërkohë, të enjten për Nacionalen u konfirmua se Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Foundation”, (FES), do të marrë pjesë në këtë takim.
FES-i gjerman e ka konfirmuar se të hënën, më 30 janar, do të prezantohet draft-statuti i hartuar rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Një ditë më vonë, drejtori Rene Schlee do të marrë pjesë në takimin në Dragodan, dhe këtë, ia tha gazetës Nacionale.
“Po, do të marrë pjesë në takim.” – na tha ai.
Pyetur nga Nacionale nëse do ta prezantojë draft-statutin e fondacionit që e përfaqëson, ai na u përgjigj si vijon: “Kam marrë ftesën si pjesëmarrës. Nuk di detaje të tjera rreth këtij eventi”.
Nacionale ka pyetur disa organizata të shoqërisë civile nëse kanë marrë ftesë për 31 janarin dhe ka marrë një varg mohimesh.
“Jo deri tash,” - i kanë thënë Nacionales nga KDI-ja, KIPRED-i, ÇOHU dhe Instituti Musine Kokalari. Ndërsa, se është ftuar dhe do të marrë pjesë e ka konfirmuar Naim Rashiti i Grupit të Ballkanit.
Ndonëse në media u raportua se janë ftuar edhe partitë parlamentare në takim, asnjëra nga këto nuk ka konfirmuar një gjë të tillë.
Nacionale ka pyetur LVV-në, LDK-në, PDK-në dhe AAK-në nëse kanë marrë ftesë, dhe nëse do të jenë të pranishme, por asnjëra nga to nuk ka mundur të konfirmojë një gjë të tillë.