E konfirmuar: Edhe instituti gjerman që hartoi draft-statutin e Zajednicës merr pjesë në tubimin e Dragodanit - NACIONALE

E konfirmuar: Edhe instituti gjerman që hartoi draft-statutin e Zajednicës merr pjesë në tubimin e Dragodanit

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Foundation”, (FES), pritet që të marrë pjesë në takimin e 31 janarit në Ambasadën Amerikane në Kosovë, ku do të diskutohet çështja e Asociacionit. Nacionales, tashmë i është konfirmuar se përfaqësuesi për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Rene Schlee, është ftuar si pjesëmarrës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka nisur punën për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Në deklarimin publik të Ambasadës ku konfirmohet takimi i të martës që vjen, thuhet kështu: “Ne jemi duke organizuar këtë diskutim, në përputhje me synimin tonë për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, por edhe si reflektim i miqësisë sonë për kohë të gjatë, dhe mbështetjes për popullin e Kosovës.”

Mes shumë pjesëmarrësve emrat e të cilëve do t’i gjeni më poshtë në këtë artikull, është ftuar edhe Rene Schlee.

FES-i ka përfunduar hartimin e statutit, por “s’e di nëse do ta prezantojë”

FES-i gjerman e ka konfirmuar se të hënën, më 30 janar, do të prezantohet draft-statuti i hartuar rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Një ditë më vonë, drejtori Rene Schlee do të marrë pjesë në takimin në Dragodan, dhe këtë, ia ka konfirmuar gazetës Nacionale.

“Po, do të marrë pjesë në takim.” – na tha ai.

Pyetur nga Nacionale nëse do ta prezantojë draft-statutin e fondacionit që e përfaqëson, ai na u përgjigj si vijon: “Kam marrë ftesën si pjesëmarrës. Nuk di detaje të tjera rreth këtij eventi”.

Ndërkohë, siç raportuam edhe më herët, tashmë duket se ka rrjedhur nëpër media draft-statuti i përfunduar nga FES-i.

Siç raportoi më herët “RTV Dukagjini”, statuti përmban 18 nene. Sipas asaj që shkruan në artikullin e këtij mediumi, duke të ketë dukshëm ngjashmëri me dokumentin e parë të hartuar rreth kësaj çështje.

Qysh në nenin e parë thuhet që Asociacioni është si subjekt i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Republikës së Kosovës.

Mes tjerash, thuhet se statuti do të miratohet nga Kuvendi Themelues ndërsa edhe do të miratohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe do të marrë verifikim nga Gjykata Kushtetuese.

“Në përmbushjen e këtyre objektivave, Asociacioni/Bashkësia nuk do të dëmtojë ose anashkalojë autoritetin dhe kompetencat e parashikuara me kushtetutë dhe ligj të bashkësive pjesëmarrëse dhe në asnjë mënyrë nuk do të zëvendësojë apo cenojë kushtetutshmërinë dhe marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve qendrore dhe atyre lokale në Republikën e Kosovës,” – pretendohet se thuhet në nenin katër të draft-statutit.

Kush merr pjesë në “tubimin në Dragodan”?

Deri më tani, dihet se pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar dy zyrtarë të lartë të Qeverisë Kurti. Bëhet fjalë për ministrin Nenad Rashiq dhe zëvendëskryeministrien, Emilija Redzepi.

Nacionale ka pyetur disa organizata të shoqërisë civile nëse kanë marrë ftesë për 31 janarin dhe ka marrë një varg mohimesh.

“Jo deri tash,” - i kanë thënë Nacionales nga KDI-ja, KIPRED-i, ÇOHU dhe Instituti Musine Kokalari. Ndërsa, se është ftuar dhe do të marrë pjesë e ka konfirmuar Naim Rashiti i Grupit të Ballkanit.

Ndonëse në media u raportua se janë ftuar edhe partitë parlamentare në takim, asnjëra nga këto nuk ka konfirmuar një gjë të tillë.

Nacionale ka pyetur LVV-në, LDK-në, PDK-në dhe AAK-në nëse kanë marrë ftesë, dhe nëse do të jenë të pranishme, por asnjëra nga to nuk ka mundur të konfirmojë një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme