31 janari i Asociacionit: A po realizohet 'kërcënimi' i Escobarit ndaj Kurtit dhe çka dihet për takimin në Ambasadë? - NACIONALE

31 janari i Asociacionit: A po realizohet 'kërcënimi' i Escobarit ndaj Kurtit dhe çka dihet për takimin në Ambasadë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në Kosovë thuhet me sarkazmë se muaji Janar zgjat më shumë se sa që shkruan në kalendar. Por, për ta bërë edhe më të gjatë duket se po përkujdeset Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë, që në ditën e fundit të këtij muaji ka organizuar një takim për... Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Çka dimë për këtë takim?

Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë e ka konfirmuar tashmë organizimin e këtij takimi për të martën e 31 janarit.

“Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi,” – kanë thënë nga Ambasada dje për media.

Qëllimi i takimit

Në deklarimin publik të Ambasadës thuhet fjalia si vijon:

“Ne jemi duke organizuar këtë diskutim, në përputhje me synimin tonë për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, por edhe si reflektim i miqësisë sonë për kohë të gjatë, dhe mbështetjes për popullin e Kosovës,”

Por, dihet gjerësisht diskutimi në fjalë do të jetë konkretisht për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Nacionale ka mësuar me anë të burimeve se do të flitet konkretisht për “Modalitetet për themelimin e Asociacionit”, ndërsa pjesëmarrësit do të japin idetë e tyre (brainstorming) për një gjë të tillë.

Realizimi i një “kërcënimi”

Përfaqësuesi i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, paraprakisht e kishte bërë një ‘kërcënim’ ndaj kryeministrit Kurti në lidhje me çështjen në fjalë.

“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit,”ishte shprehur ai.

Escobari kishte folur për një gjë të tillë në mes të muajit dhjetor, dhe tash duket se kemi realizimin e këtyre fjalëve.

Partnerët alternativë të përmendur nga Escobari janë po ata që janë ftuar të marrin pjesë nga Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë për 31 janar. Përveç, zyrtarëve qeveritarë... që janë shtuar.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, e kishte quajtur Asociacionin si “kërkesë urgjente dhe specifike” të ShBA-ve. Ndërkohë që së fundi, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka lënë të nënkuptohet se Asociacioni do të jetë paraprijës i planit franko-gjerman për të cilin Serbia dha sinjale se do ta pranonte.

Kush merr pjesë nga Qeveria?

Deri tash, pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar dy zyrtarë të lartë të Qeverisë Kurti. Bëhet fjalë për ministrin Nenad Rashiq dhe zëvendëskryeministrien, Emilija Redzepi.

Nacionale ka pyetur Qeverinë nëse ka pasur edhe të tjerë të ftuar por deri tash nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ambasadori gjerman u shpreh i gëzuar që edhe ministri Rashiq merr pjesë në këtë diskutim, por gjithçka duket mjaft e çuditshme deri tash.

Të dy pjesëmarrësit e konfirmuar nga Qeveria Kurti deri më tash – Rashiqi dhe Redzepi - janë nga komunitetet etnike pakicë, serbët dhe boshnjakët. Nuk dihet nëse kjo përzgjedhje është bërë nga Kurti apo nga organizatorët e diskutimit.

Tjetër?

Nacionale ka pyetur disa organizata të shoqërisë civile nëse kanë marrë ftesë për 31 janarin dhe ka marrë një varg mohimesh.

“Jo deri tash,” - i kanë thënë Nacionales nga KDI-ja, KIPRED-i, ÇOHU dhe Instituti Musine Kokalari. Ndërsa, se është ftuar dhe do të marrë pjesë e ka konfirmuar Naim Rashiti i Grupit të Ballkanit.

Nacionale ka pyetur për këtë çështje edhe dy partitë më të mëdha opozitare në vend, por të cilat kanë kërkuar më shumë kohë që të përgjigjen.

Lajme të ngjashme