Draft-Statuti i Asociacionit prezantohet të hënën e ardhshme, më 30 janar, nga FES-i - NACIONALE

Draft-Statuti i Asociacionit prezantohet të hënën e ardhshme, më 30 janar, nga FES-i

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një ditë para se Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë të mbajë takimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, FES-i gjerman do të prezantojë draft-statutin e saj të përfunduar.

Nacionales i ka arritur tashmë ftesa që të marrë pjesë në këtë organizim, që mbahet në Hotel Prishtina prej orës 13:30.

“Friedrich Ebert Foundation (FES) në Prishtinë ka kënaqësinë që të iu ftojë juve të merrni pjesë në ngjarjen publike ku do të prezantojmë dhe diskutojmë punën tonë mbi draft-statutin e “Asociacionit të Komunave në Republikën e Kosovës në të cilat komuniteti serb është shumicë”, të draftuar në bashkëpunim me Institutin Evropian për Paqe.” – shkruan ky institut.

Ata shkruajnë se publikimi në fjalë duhet të shihet si një pikë e fillimit të një kontributi të bazuar në prova.

“Përgjatë 23 viteve në Kosovë, Zyra në Prishtinë e Friedrich-Ebert-Stiftung ka kontribuar në diskutimin publik dhe politikëbërjen në shumë çështje të ndryshme politike, ekonomike dhe sociale. Si pjesë e programit tonë, ne synojmë të forcojmë Kosovën si partnere për paqe dhe siguri në rajon dhe të mbështesim agjendën e saj politike për integrim në BE,” – thuhet tutje në këtë ftesë.

FES-i e bën të qartë se nuk ka palë të tretë të përfshirë në punën e tyre apo në këtë publikim.

“Procesi i draftimit të statutit ka përfshirë konsultime me ekspertë, akademikë dhe profesionistë që punojnë mbi apo janë përfshirë në dialogun e Brukselit.”

Nacionale ka kontaktuar me Rene Schlee, përfaqësuesin e këtij instituti për ta pyetur në lidhje me pjesëmarrjen e tyre eventuale në diskutimin në Ambasadën e ShBA-ve më 31 janar për Asociacionin por ai deri në këtë moment nuk ka kthyer përgjigje.

FES para disa javësh e kishte konfirmuar se puna e tyre për draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kishte përfunduar dhe se do të organizonin një prezantim të tij.

Nuk dihet nëse data kur do të bëhet mbahet ky takim lidhet me takimin e organizuar nga Ambasada e ShBA-ve për Asociacionin një ditë më vonë.

Lajme të ngjashme