Instituti që përfundoi statutin e ri të Asociacionit, i afërt politikisht me... Albin Kurtin - NACIONALE

Instituti që përfundoi statutin e ri të Asociacionit, i afërt politikisht me... Albin Kurtin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës së sotme, përfaqësuesi i Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Kosovë e ka konfirmuar se puna për hartimin e draftit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ka përfunduar dhe se gjatë javës do të vendosej se kur do të mbahej një organizimin publik për prezantimin e tij.

“Ne kemi përfunduar hartimin e statutit. Ne do të mblidhemi këtë javë për të diskutuar se kur do të organizojmë një prezantim publik...” – ishte shprehur Rene Schlee për gazetën Express.

Kryeministri i Kosovës, në tjetrën anë, edhe sot e mohoi kategorikisht një Asociacion mbi baza etnike që sipas tij do të “territorializonte të drejtat”. Në një intervistë për La Stampan ai ishte edhe më i ashpër se rëndom:

““Paraardhësit e mi i kanë nënshkruar 33 marrëveshje për dhjetë vjet në bisedimet në Bruksel. Një prej tyre është Asociacioni... e vetmja që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese... Besoj që Kosova garanton të drejtat e pakicave në shkallën më të lartë. Veçanërisht për komunitetin serb... Një Asociacion etnik i komunave shkon kundër frymës së Kushtetutës tonë,” – tha ai kur u pyet për këtë çështje.

Por, FES-i në Kosovë – që thotë se e ka përgatitur statutin e Asociacionit - në fakt nuk është më i afërt me asnjë politikan kosovar se sa me Albin Kurtin.

Kurti kishte marrë pjesë në shumë forume të organizuara prej kësaj organizete që është e afërt me Partinë Social-Demokrate (SPD) të Gjermanisë.

Frank Hatke në marsin e vitit 2020 në cilësinë e Drejtorit të Zyrës në Kosovë do të shkruante një opinion të titulluar “Gjërat po dalin në dritë” e ku do të sulmonte ashpër oponentët e kryeministrit Kurti dhe do ta lavdëronte atë.

Në muajin shtator të vitit 2020, Kurti madje do të ishte pjesëmarrës edhe në një darkë të shtruar nga FES-i në Berlin me deputetë tjerë socialdemokratë.

Në nëntor të vitit 2021, FES do të organizonte një diskutim me Kurtin të titulluar “Kosova – një rreze shprese për Demokracinë në Evropën Juglindore?”

Duhet të kujtojmë se ky institut gjerman e kishte konfirmuar se bashkë me një institut tjetër kishin qenë autorë edhe të draftit të mëhershëm të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Edhe asokohe ata paralajmëronin një draft të ri të Asociacionit.

Kujtojmë se kryeministri Kurti është i lidhur edhe ideologjikisht me këtë institut.

Lajme të ngjashme