Skandaloze: Gruaja e drejtorit të lartë në Polici e denoncon publikisht për dhunë, iku nga Kosova dhe frikësohet për jetën - NACIONALE

Skandaloze: Gruaja e drejtorit të lartë në Polici e denoncon publikisht për dhunë, iku nga Kosova dhe frikësohet për jetën

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

L. Murati nuk jeton më në Kosovë. Nga frika e hakmarrjes prej bashkëshortit të saj, Riza Murati, kapiten i Policisë së Kosovës, të cilin e ka denoncuar për dhunë në familje. Zonja L lajmërohet nga një vend evropian, ku ka kohë që është duke qëndruar. Rrëfimi i saj është histori e një gruaje që frikësohet për jetën e saj, por edhe e kurajës për të ngritur krye e për ta denoncuar burrin e dyshuar për dhunë. Krejt çfarë kërkon janë siguria dhe drejtësia për rastin e denoncuar.

Gjatë bisedës mbi 15-minutëshe për Nacionalen, ajo ka bërë akuza të rënda publike ndaj Muratit për dhunë fizike e psikike dhe për kërcënime për “zhdukjen e gjurmëve”.

Para intervistës ekskluzive me Nacionalen, L-ja ka vetëm një kërkesë: moszbulimin e fytyrës. E gjithë kjo “preventivë” është një kujdes prej nënë që fëmijët e saj të mos bullizohen në shkollë për shkak të problemeve familjare. Që në hyrje të intervistës, ajo tregon se për çfarë e denoncoi kapitenin Murati, drejtor i Drejtorisë kundër Trafikimit me Njerëz në PK, duke bërë pretendime të ashpra.

“E kam denoncu për dhunë fizike që ka ushtru, dhunë psiqike, dhunë verbale, prej dhunës më ekstreme që kam pasur prej tij. Kërcënime me vrasje dhe zhdukjen e gjurmëve. Nëse ti ma denoncon rastin në polici, s’ki mi pa fëmijët. Unë kam prokurorë, kam gjykatës, kam inspektorë, dosja jote shkon në arkivë dhe fëmijët nuk ke me i pa kurrë” – e nis rrufeshëm rrëfimin L-ja.

Duke folur për marrëdhënien e saj martesore, zonja L tregon se gjithçka ndryshoi me lindjen e fëmijës së parë.

“Me lindjen e djalit, ka filluar dhuna psikike vazhdimisht, kohë pas kohe ka pasur edhe dhunë fizike. Një debat pak i vogël, menjëherë ka ushtruar dhunë fizike. Ndoshta ka qenë 14 ose 15 vjet dhunë fizike” – thotë ajo.

“Disa herë kam tentu me paraqitë rastin, por kërcënimet dhe shantazhet e tij dmth. prej frikës prej tij, unë i kisha familjarët jashtë, isha krejt e vetme. Më bllokoi në çdo aspekt, ma kufizoi lirinë edhe të studimeve, edhe të punësimit, isha komplet e mbyllur” – vazhdon ajo.

Në pretendimet e saj, zonja L tha se Murati ka ushtruar dhunë fizike edhe në praninë e fëmijëve. Ajo rrëfen se si ndodhi rrahja e fundit, pas së cilës ajo tha se ishte “lodhur”. Tutje, zonja L pretendoi se kapiteni i policisë e kishte ndaluar nga puna.

“Ky ka ushtru dhunë në prezencë të fëmijëve. Një ditë u lodha…Mu ka drejtu “ti prej sot nuk shkon në punë. Ti je nën urdhra të nënës dhe babës tem, edhe nëse të thonë me shku në tualet me hangër jashtëqitje, ti ke me hangër. Nëse jo, ti del prej shpisë, qysh sonte të qes jashtë zhag, se kjo shtëpi s’është e jotja, por e prindërve të mi. Ti je e fisit të huaj”. Jam çu edhe kam thënë kjo është e patolerueshme. E ka marrë telefonin, e ka gju në drejtim temin, fatmirësisht e kam largu kokën, nuk ka mujtë mem godit. Mandaj është ngritë në drejtim tem, ka tentu me m’kapë për fyti, u afru afër, prindi i tij nuk e ka leju me m’lëndu. M’ka thanë “ti ja hjek bateriat gojës, të pëlqeu me nejt qështu, rri, nëse jo, zhag të qes jashtë” – vazhdoi ajo.

Tutje, L-ja ka pasur ankesa edhe për institucionet e sigurisë e sistemin e drejtësisë

Gazeta Nacionale e ka telefonuar kapitenin Murati, por porsa e dëgjoi pyetjen, Murati e ndali telefonin. Po ashtu, Nacionale ka dërguar shkresë elektronike në adresë të Muratit, por edhe të Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit të PK-së. Inspektoriati i Policisë së Kosovës, në një përgjigje për Nacionalen, e ka konfirmuar urdhrin mbrojtës për të dëmtuarën, derisa kanë shtuar se është në koordinim me Prokurorinë në Mitrovicë për veprime të mëtutjeshme.

"IPK në kuadër të veprimeve hetimore, sipas procedurave të parapara ka jnoftuar edhe Mbrojtësin e Viktimave të cilët kanë parashtuar kërkesë për Urdhër Mbrojtje në gjykatën kompetente.

IPK është e njoftuar lidhur me Urdhërin Mbrojtës nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe se ky Urdhër është dueke u implementuar nga institucionet.

IPK është duke ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe në bazë të gjeturave të hetimit do të ndërmerren masat e nevojshme” – thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte caktuar urdhrin mbrojtës për zonjën L. Në aktvendimin e siguruar nga Nacionale, ndër të tjera, thuhet: “Urdhërohet pala përgjegjëse Riza Murati nga Mitrovca, që të ndërpresë dhe të mos përsërisë asnjë veprim të dhunshëm ndaj palës së mbrojtur”. Tutje, aty i ndalohet të njëjtit që t’i afrohet më shumë se 50 metra në ambiente publike si dhe 100 metra nga vendbanimi i saj.

Për këtë rast gjatë ditës është pyetur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka theksuar se rasti është duke u hetuar.

Kur kemi të bëjmë me rastin në fjalë, ky rast është duke u trajtuar në IPK. Besoj se shumë shpejt IPK do të dalë me konkluzionet e saj."

Lajme të ngjashme