S'ka njohje të plotë: Zyrtari i BE-së tregon detaje për versionin e fundit të propozimit franko-gjerman që iu dorëzua Kurtit - NACIONALE

S'ka njohje të plotë: Zyrtari i BE-së tregon detaje për versionin e fundit të propozimit franko-gjerman që iu dorëzua Kurtit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Portali evropian Euractiv ka shkruar për versionin e fundit të propozimit franko-gjerman që kryediplomati Josep Borrell tha se i është dorëzuar edhe Kosovës edhe Serbisë. E një zyrtar i BE-së tashmë ka folur për këtë propozim.

Borrell në samitin e Tiranës u shpreh se i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte dorëzuar tashmë versionin e fundit të propozimit franko-gjerman te lidershipi kosovar dhe ai serb.

Por, çka thotë versioni i fundit?

Euractiv ka folur me një zyrtar të Bashkimit Evropian në margjinat e samitit gjatë ditës së sotme, dhe i cili foli për ta nën kushte anonimiteti.

“Ka një pritje që dy palët do të arrijnë marrëveshjen finale në më pak se një vit,” – ka thënë ai mes tjerash. Në këtë pikë, duhet të kujtojmë se kryeministri Kurti e kishte përmendur afatin e fillimit të pranverës 2023.

“Pasi kemi dëgjuar dy palët, ne ridraftuam propozimin (...) e që janë të akorduara mirë,” – shtoi më tej ky zyrtar i lartë evropian. Në këtë pikë, duhet të kujtojmë se kryeministri e kishte pranuar se kishte dërguar komente për draftin e mëparshëm.

Sipas këtij diplomati, propozimi përmban një shtojcë me një kalendar të qartë me veprime se kur dhe se si duhet të ndodhin gjërat,” – u shpreh diplomati anonim.

Më tutje, ai deklaroi edhe se në propozim ka gjërat të cilat e bëjnë “hap të madh përpara në raport me situatën aktuale.

Nuk ka njohje e plotë (...) por është një normalizim i plotë i marrëdhënieve,” – shtoi ky zyrtar.

Se është marrë versioni i fundit i propozimit franko-gjerman u konfirmua edhe nga zv. Kryeministri Besnik Bislimi gjatë ditës së sotme. Por, ai nuk dha asnjë detaj në lidhje me përmbajtjen e tij, ashtu siç nuk dha as kryediplomati evropian Josep Borrell apo vartësi i tij Mirosllav Lajçak.

Kryeministri Kurti fillimisht e kishte vlerësuar si “bazë të shëndoshë drejt rrugës së duhur” propozimin që e kishte marrë më 9 shtator të këtij viti në zyren e tij. Ai besohet që e mori draftin e ri po në zyren e tij sot nga Lajçak.

Ndërkohë, ishte po i njëjti portal, Euractiv, i cili kishte publikuar nenet e propozimit franko-gjerman para një muaji.

Në terren

Situata ndërkohë është përkeqësuar në terren, me shpërthime dhe sirena që raportohet se kanë ndodhur në veri të Kosovës. E gjitha ka të bëjë me zgjedhjet e parakohshme lokale të 18 dhjetorit.

Gjatë ditës u lëshua sirena në Mitrovicë të Veriut por edhe në Zubin Potok ku Kosovo Online raportoi se zyrtarët KQZ-së kishin provuar të hynin në ndërtesën e komunës për të kryer punën e tyre.

Për fat të mirë, deri tash nuk ka raportime për ndonjë qytetar të lënduar.

Por, për fat të keq, autoritetet vendore janë bërë të paqasshme për mediet ose kur kanë qenë të qasshëm nuk kanë qenë në dijeni të këtyre raportimeve.

Lajme të ngjashme