LDK nuk bëhet e gjallë për zhvillimet në Kuvend, deputetët e vet kritikojnë heshtjen e Abdixhikut - NACIONALE

LDK nuk bëhet e gjallë për zhvillimet në Kuvend, deputetët e vet kritikojnë heshtjen e Abdixhikut

1 orë më parë

nga NACIONALE

Vendi është ngrirë me vendim të Vetëvendosjes, e cila ka konsumuar tri shkelje të mëdha, dy kushtetuese dhe një procedurale të Kuvendit.

Nga Vetëvendosje kanë thënë se “Është në dorë të Avni Deharit”, duke dhënë të nënkuptuar se synojnë ta mbajnë gjendjen pezull.

Kjo, sipas tyre, do të vazhdojë deri në përmbushjen e asaj që e quajnë “marrëveshje politike”, duke mos e konstituar Kuvendin.

Kushtetuta ka përcaktuar që kjo duhej të përfundonte më 7 gusht, në afatin e fundit.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë hyrë demonstrativisht në Kuvend, duke protestuar ndaj pushtetit të Vetëvendosjes për “uzurpim të shtetit dhe shkelje kushtetuese”.

Ndërkohë, vetëm një parti opozitare nuk është bërë e gjallë gjatë gjithë ditës: Lidhja Demokratike e Kosovës.

Edhe deputetë të LDK-së kanë shprehur padurimin e tyre ndaj heshtjes së partisë, të udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, për zhvillimet në Kuvend.

Përplasjet mes deputetëve të PDK-së e AAK-së me ata të VV-së kanë qenë të ashpra dhe situata gati ka kaluar në përleshje fizike.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar ndaj situatës në Kuvend dhe ka kritikuar lidershipin e partisë në një postim në Facebook.

Sipas tij, Kosovës po i mungon një pozicionim i qartë dhe i fortë i LDK-së.

“Situata në Kuvend po shkon drejt përplasjeve fizike, ndërsa insistimi për bllokimin e tij vazhdon. Në këtë moment kritik, po mungon një pozicionim i qartë dhe i fortë i LDK-së.”

“Në fakt, Kosovës po i mungon LDK-ja. Po i mungon fryma Rugoviane. Sepse kur institucionet bllokohen dhe tensionet rriten, Kosovës i duhet më shumë dialog, maturi, shtet dhe Republikë. Është koha që LDK-ja të flasë”, ka shkruar ai.

Edhe deputeti Armend Zemaj ka thënë se “bllokada” po ndodh qëllimisht nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Bllokada e qëllimshme sjell tension, dëmton edhe më shumë imazhin e brishtë të Kosovës dhe thellon polarizimin në shoqërinë tonë”, tha Zemaj.

Ai ka shtuar se marrëveshjet politike nuk arrihen përmes bllokadës, presionit dhe tendencës për t’i nënshtruar të tjerët.

“Ata që heshtin dhe pranojnë këtë lloj politike, nuk ia duan të mirën as LDK-së e më së paku Kosovës”, tha Zemaj.

Sipas tij, shumica ka obligim ta thërrasë seancën dhe t’i japë hapësirë krijimit të institucioneve të reja, në respekt të Kushtetutës dhe vullnetit politik të qytetarëve.

Lajme të ngjashme