Ndizen sirenat në Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut, raportohet edhe për shpërthime - NACIONALE

Ndizen sirenat në Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut, raportohet edhe për shpërthime

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mediumi serb nga Kosova, Kosovo-Online, ka raportuar se anëtarët e Komisionit Zgjedhor Komunal kanë hyrë ‘me forcë’ në objektin e komunës së Zubin Potokut të shoqëruar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës. Kjo sipas tyre ka bërë që të shpërthejë rebelimi nga disa qytetarë.

Siç mëson kjo gazetë, janë dëgjuar dy shpërthime ndërsa nga ndërtesa kanë dalë anëtarët e komisionit në fjalë dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Sipas asaj që mësuam në vend, anëtarët e Komisionit Komunal, me asistencën e Policisë, kanë hyrë me forcë në ambientet e komunës, kanë thyer dyert dhe kanë ndërruar bravat, para se të dalin nga ndërtesa,” – shkruan ky medium.

Sot ishte e planifikuar që të vendoseshin anëtarët e komisionit nëpër zyret e tyre. Nuk dihet nëse operacioni i tyre deri tash është kryer me sukses. Nacionale po provon të kontaktojë me organet kompetente për të marrë më shumë informacione.

Redaksia deri në këtë moment nuk ka arritur të konfirmojë në mënyrë të pavarur informacionet mbi shpërthimet në këtë qytet.

Ndërkohë, portali mitrovicas Mitropol, ka bërë të ditur se janë sulmuar zyret e KQZ-së në komunën e Mitrovicës së Sveriut.

“Zyra e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut është sulmuar nga persona të panjohur mbrëmjen e së hënës së pesë dhjetorit. Dritaret e kësaj zyreje janë thyer. Siç bëjnë të ditur burime të “Mitropol” qendra është sulmuar me shok bombë e jo me granatë. Sipas banorëve të asaj pjese, disa persona janë munduar që t’i vënë flakën.” - shkruan ky portal.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme në Kosovë ka ardhur i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në medie u raportua mes tjerash edhe se ai kishte kërkuar shtyrjen e afatit të zgjedhjeve, e të cilat pritet të mbahen më 18 dhjetor.

Përveç kësaj, kryediplomati evropian Josep Borrell, njoftoi në Tiranë se Lajçaku kishte dorëzuar edhe versionin më të fundit të propozimit franko-gjerman. Kjo është konfirmuar edhe nga zv.kryeministri Besnik Bislimi.

Përditësim | 15:25 | Fotoreporteri Vudi Xhymshiti ka thënë se të shtëna me armë zjarri po dëgjohen edhe aktualisht.

Ai në Twitter ka publikuar edhe një video, ku shihet duke dalë tym nga pjesa veriore e Mitrovicës.

“Ngritet tymi pas katër shpërthimeve në bregun verior të qytetit të trazuar verior të Kosovës, Mitrovicës. Të shtëna me armë zjarri dëgjohen pikërisht tani, pasi shumë dëshmitarë okularë pohojnë se serbët e veriut mund të kenë synuar zyrën e komisionit qendror të zgjedhjeve.” - ka shkruar ai.

Përditësim | 14:41 | Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është shprehur pas këtij lajmi me këto fjalë:

“Është demostrimi më brutal i forcës dhe po shkakton tensione e provokime të reja nga ana e Prishtinës, që po tenton të implementojë masa ilegale me dhunë dhe të shkaktojë destabilizim të situatës në terren.” - citohet të ketë thënë ai.

Përditësim | 14:59 | Portali tjetër serb nga Kosova, Kossev, pretendon se në vend-ngjarje ndodhen edhe katër vetura të policisë së EULEX-it, derisa situata është e qetë dhe nuk ka të lënduar.

Lajme të ngjashme