Propozimi i fundit i planit franko-gjerman: Çka fshihet prapa kësaj ngutie? - NACIONALE

Propozimi i fundit i planit franko-gjerman: Çka fshihet prapa kësaj ngutie?

1 vit më parë

nga NACIONALE

I dërguari special i Bashkimit Evropian për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka ardhur sot në Prishtinë dhe sipas fjalëve të shefit të tij, Josep Borrellit, ai ka pasur një dërgesë mjaft serioze me vete. Bëhet fjalë për propozimin franko-gjerman, versionin më të fundit të tij. Por, çka fshihet prapa tij?

Ai në samitin e sotëm të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor ka deklaruar se “versioni i fundit i propozimit është vendosur në tavolinë” nga i dërguari Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe pse e kishte komentuar si “bazë të mirë për ecje përpara” ishte shprehur edhe se kishte gjetur ‘vërejtje’ në të, për ta përdorur më pas një term tjetër ‘mangësi’.

Ai kishte thënë edhe se kishte dërguar komentet e Qeverisë së Kosovës për planin që i ishte dorëzuar më 9 shtator, nga një këshilltar në Qeverinë federale të Gjermanisë dhe nga një këshilltar i Presidencës së Franës.

Por, kryeministri i kishte dhënë zor të madh planit në fjalë më pas, duke e shfrytëzuar sidomos çështjen e targave.

Sipas tij, Serbia përmes tensioneve kishte provuar të ‘maskonte refuzimin’ e planit franko-gjerman. Bashkimi Evropian për Nacionalen e kishte mohuar këtë pretendim të tij. Megjithatë, Ivica Daçiq përnjëmend kishte bërë komente negative për këtë plan/propozim duke e quajtur edhe ‘të papranueshëm’.

Edhe më larg

Kryeministri i Kosovës gjatë krizës pas mos-arritjes fillestare të marrëveshjes së targave, ishte shprehur se Josep Borrell kishte hequr dorë nga plani franko-gjerman më 21 nëntor. Më 21 nëntor ishte thirrur në një takim urgjent për të evituar eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës në lidhje me çështjen e targave.

Më pas, kryeministri Kurti e kishte parë si pozitive nisjen e bisedimeve mbi atë plan, derisa e kishte përmendur edhe mundësinë e takimeve mujore me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin.

Pse kaq shpejt?

Kanë kaluar vetëm dy javë prej 23 nëntorit kur u arrit marrëveshja për targa. Por, deri tash asnjë takim i vetëm nuk është zhvilluar mes kryeministrit të Kosovës Kurti dhe presidentit të Serbisë Vuçiq.

Arritja e këtij versioni të fundit besohet të jetë e bazuar edhe në komentet e palëve, por bisedime publike nga palët nuk ka pasur.

Konteksti

Situata në veri të Kosovës është qetësuar politikisht. Por, megjithatë atje ka një vakum të sigurisë me gati 600 policë serbë që janë dorëhequr nga funksionet e tyre. Përveç tyre, dorëheqje kanë dhënë edhe të tjerë zyrtarë nga institucione të tjera të rendit.

Ndërkohë, një afat tjetër po e pret Kosovën: 18 dhjetori. Në këtë datë, e diele, parashihet të mbahen zgjedhjet e parakohshme komunale. Asnjë politikan serb nuk ka kandiduar për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, me Aleksandër Arsenijeviqin që tërhoqi kandidaturën gjatë ditës së djeshme.

Besohet që Bashkimi Evropian do të kërkojë edhe shtyrjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore me shumicë serbe për një datë tjetër.

Lajme të ngjashme