“Situatë e pazakontë”, lufta në Ukrainë e dallavere: Historia e gjatë e pasaportave dhe dështimi i Qeverisë Kurti
Ka kohë që kosovarët po përballen me mungesë të pasaportave. Dhe madje për një arsye krejtësisht banale: mungesën e letrës, pasi Ministria e Punëve të Brendshme nuk arriti për gati 1 vjet të kryejë një tender në mënyrë të suksesshme. Ndërsa, vikendi i kaluar, solli një lajm tepër qesharak, por edhe të dhimbshëm.
Ministri Xhelal Sveçla, për shkak të mungesës së letrës, i kërkoi Gjermanisë të lejojë hyrjen në shtetin gjerman të kosovarëve me pasaporta të skaduara.
“Për shkak të kësaj një numër i qytetarëve kosovarë nuk mund të pajisen me pasaporta të reja ose t’i rinovojnë ato me afat të skaduar” – thuhej në letrën e 21 dhjetorit të 2022 të dërguar nga Sveçla në adresë të shtetit gjerman.
Ndërsa, këtë gjendje Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, e ka quajtur të pazakontë.
“Ministria e Punëve të Brendshme për shkak të mungesës së materialit për pasaporta është gjendur në një situatë të pazakonshme, cila nuk është e pa zakonshme në raport me shtetet e tjera të cilët po ashtu kanë pasur vështirësi të tilla. MPBP-ja po bënë më të mirën e mundshme që sa më shpejt ta kaloj këtë problem.” – theksoi z. Kurti.
Por historia e pasaportave është jashtëzakonisht interesante, pasi përveç dështimeve aktuale, përfshin edhe korrupsion milionësh, e për të cilën janë dënuar 4 persona nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
E për shkak të korrupsionit, kompania austriake, e cila kishte fituar të drejtën e prodhimit të pasaportave biometrike, e ndërpreu kontratën në vitin 2012. Edhe pas 10 viteve, kosovarët vazhdojnë të kenë probleme me pajisje me pasporta, pasi gjatë vitit të kaluar dështoi një herë tenderi për këtë çështje.
Ndërsa pushteti aktual ka premtuar që në fund të janarit të këtij viti do të fillojë lëshimi i pasaportave të reja. Por cila është historia e skandaleve me pasaporta?
Viti 2011
Republika e Kosovës, kishte nënshkruar një marrëveshje me vlerë prej 14 milionë e 127 mijë e 3.24 euro në datën 17 qershor 2011, më kompaninë austriake OESD, e cila do të merret më prodhimin e pasaportave biometrike për qytetarët e Kosovës.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tashme i ndjerë, ishte present në Viene, kur pasaporta e parë ishte prodhuar.
Prodhimi i pasaportave biometrike do të afronte Kosovën një hap para, për procesin e liberalizimit të vizave, ku kjo pasaportë do të ishte e njëjte me pasaportat e BE-së, për nga cilësia dhe siguria.
Prodhimi i pasaportave do të behej në Austri, ndërsa personalizmi i pasaportave biometrike do të bëhet në Departamentin për Prodhimin e Dokumenteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Rexhepi, kishte deklaruar se do të prodhoheshin 1 milionë e 300 mijë pasaporta, që do të mjaftojnë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Viti 2012
Kur çdo gjë dukej se po ecte mirë më prodhimin e pasaportave, kompania austriake kishte vendosur që të ndalojë bashkëpunimin me Kosovën nën arsyetimin e vonesës së pagesave.
Në fakt MPB-ja, kishte kryer pagesën prej 1,4 milionë euro, mirëpo këto para nuk kishin shkuar asnjëherë në adresën e kompanis austriake, pasi që kompania e nënkontraktuar në Kosovë, “Consulting EU Sh.p.”, në pronësi të shtetases gjermane Natalie Velijaj, e kishte avulluar këtë shumë parash.
Gjersa përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, mundoheshin të bindnin qytetarët se kompania austriake nuk ka ndaluar prodhimin e pasaportave, kompania OeSD, më 3 dhjetor pati njoftuar se ka suspenduar kontratratën më republikën e Kosovës, për prodhimin e pasaportave biometrike.
“Për shkak të vonesave të vazhdueshme të pagesave nga ana e Republikës së Kosovës për ofrimin e pasaportave, OeSD është detyruar që të pezullojë, tani për tani, shërbimet që ofron kontrata”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.
Në anën tjetër Behar Haziraj, zyrtar i lartë për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, atëbotë i tha radios “Evropa e Lirë” se prodhimi i pasaportave po vazhdon normalisht.
“Gjendja është shumë normale. Ne kemi sasi të mjaftueshme të pasaportave në depo, për asnjë rast prodhimi i pasaportave nuk është ndalur. Qytetarët e Kosovës kanë aplikuar si çdo herë dhe ata i kanë marrë pasaportat e tyre sipas udhëzimeve administrative në fuqi. Pasaportat prodhohen në Austri, ndërsa personalizimi i tyre bëhet në Departamentin për Prodhim të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, tha Haziraj.
Asokohe avullimi i 1,4 milionë euro ishte konsideruar si një ndër skandalet më të mëdha Brenda Qeverisë së Kosovës, ku në këtë rast ishin dënuar disa persona. Natalije Velijaj si e dyshuara kryesore si dhe Fisnik e Betim Blakaj,
Në skandalin e pasaportave janë dënuar gjithsej tetë persona.
Gjykata në Prishtinë dënoi tetë persona për nëntë vepra të ndryshme penale, duke përfshirë krimin e organizuar, pastrimin e parave, vjedhjen e rëndë, mashtrimin, shmangien nga tatimi, shpërdorimin, keqpërdorimin e besimit, falsifikimin dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.
Me 11 vjet burg dhe 25 mijë euro gjobë është dënuar i akuzuari i dytë kryesor, në këtë rast, Fisnik Blakaj, ndërsa Gjykata e kishte urdhëruar Natali Veliajn dhe Fisnik Blakajn që së bashku t’i kompensojnë kompanisë OeSD shumën prej 1.4 milion euro.
Vëllai i Fisnikut, Betim Blakaj ishte dënuar me tetë vjet burg dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa Ergyn Dogani me tetë vjet burg. I akuzuari i pestë, Ymer Fazlia , është dënuar me 5 vjet burg dhe 8 mijë euro gjobë. Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar edhe tre persona tjerë, lidhur me këtë rast. Nazmi Thaçi u dënua me 4 vjet burg, ndërsa me nga 1 vit burg u dënuan Jakup Blakçori edh Sefedin Shala.
Për ketë skandal, pati reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, ku e kishte cilësuar si një ndër skandalet më të mëdha si dhe kishte akuzuar MPB-në, si vendi ku lulëzon krimi i organizuar.
"Skandali i fundit ku janë arrestuar tre persona tregon për marrëveshjen e kompanisë austriake me Qeverinë e Kosovës për të fituar kontratën me ryshfet. Kjo u zbulua vetëm pas raportimit të mediave se njëri nga këstet i është paguar përfaqësuesit të kompanisë në Prishtinë, e cila pastaj ka transferuar këto mjete tek zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kompanitë e tjera tenderuese që atëherë ishin ankuar për parregullsi të mëdha në tender, të cilat janë dokumentuar edhe në raportin e auditimit.” - raporton REL
Skandali i pasaportave u harrua me burgosjen e te dyshuarve, edhe pse kishte akuza nga të dyshuarit se paratë janë dhënë si ryshfet më kërkesën e kompanisë austriake.
Sipas të dënuares Velijaj, paratë i janë dhënë dy zyrtarëve brenda MPB-së, si dhe një zyrtari austriak në ambasadën e Austrisë në Kosovë.
Pas dënimeve dhe fashitjes së skandalit të pasaportave, edhe viti 2018 është i rëndësishëm në historinë e pasaportave.
Akuzat nga njëra palë tek tjetra se kush ka shkëputur kontratën i pari ka bërë që MPB-ja, t’i paguajë kompanisë austriake OeSD, shumën prej 4 milionë e 950 mijë euro, si dëmshpërblim i shkëputjes së kontratës pas skandalit të pasaportave.
Edhe pse ishte kompania austriake e cila kishte paralajmëruar këtë shkëputje të marrëveshjes për shkak të vonesës së pagesave nga Qeveria e Kosovës, më sa duket më të papërgjegjshëm qenë MPB-ja, duke i shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës afro 5 milionë.
Por, Kosova nuk është duke u rehatuar as tani në vitin 2023.
Tash e disa muaj, qytetarët e Kosovës nuk po arrijnë të pajisen më asnjë mjet identifikues.
Në fillim ishte pandemia, që kishte bllokuar furnizimin më letër ku qytetarët ishin detyruar që të prisnin më muaj për t’u pajisur më certifikata të lindjes dhe letërnjoftim. Por kur u duk se ky problem kishte kaluar, në skenë doli përsëri problemi më furnizim më pasaporta.
Tash e një vit MPB-ja, është duke tentuar që të fillojë me shtypjen e pasaportave, mirëpo pasukses.
Hapja e tenderëve të njëpasnjëshëm e mos aplikimi i asnjë kompanie, ka shtyrë MPB-në që të nënshkruaj kontratë një burimore më kompaninë, “Veridos Gmbh”.
Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, i cili në një seancë të Kuvendit, ka treguar arsyet se pse ka mungesë të pajisjet me letërnjoftim, pasaporta dhe me patent-shoferë.
Ai kishte thënë se situata e krijuar për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë ka vështirësuar furnizimin me lëndën e parë për prodhimin e këtyre dokumenteve.
“Ka vështirësuar furnizimin më lëndë të parë... Për shkak të mungesë së lëndës së parë, furnitori ka kërkuar afat shtesë.”, ka thënë ai.

A po rehatohemi me pasaporta ketë muaj?
Fillimi i prodhimit të pasaportave ishte premtuar në janar të vitit 2023, mirëpo tashmë kanë kaluar më shumë se 10 ditë që askush nuk është duke treguar datën e saktë se kur do të filloj prodhimi i pasaportave.
Problem i vetëm nuk është vetëm prodhimi i pasaportave por edhe mungesa e kartave të identitetit si dhe patente shoferëve, pasi që personave të cilëve i u ka skaduar afati nuk mund të vozisin jashtë territorit të Kosovës, madje disa nga ta nuk mund as të vizitojnë apo kalojnë transit në vended fqinjë.
Kurdo që të fillon prodhimi i pasaportave, kosovarët do të mund të përballen me vonesa, pasi Kosova ka 1 vit që nuk ka prodhuar asnjë pasaportë, e lista e pritjes kuptueshëm mund të jetë e gjatë.



