Pasaporta më e dobët në Evropë tash edhe "pa afat": Ku është Xhelal Sveçla? - NACIONALE

Pasaporta më e dobët në Evropë tash edhe "pa afat": Ku është Xhelal Sveçla?

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Shteti i Kosovës ka pasaportën më të dobët në Evropë. Raporti i fundit i “Henley Global” e rëndit shtetin tonë në vendin e 104, nga gjithsej 112 shtete. Pasaporta e Kosovës, përveç se e dobët, aktualisht për shumë persona është edhe me afat të skaduar, derisa nuk dihet se kur mund të pajisen me një të re. Në krejt këtë situatë, shtrohet pyetja, ku është ministri Xhelal Sveçla?

Ministri Xhelal Sveçla këto ditë ka bërë një kërkesë.

Të njëjtën nuk e bëri publike vetë, por u desh që mediat të raportojnë për të, ku “Kallxo.com” publikoi një letër që ministri ua ka nisur autoriteteve gjermane, ku u kërkohet që shtetasve kosovarë t’u lejohet hyrja me pasaportë të skaduar, për shkak të pamundësisë që ta pajisen me të reja aktualisht.

Ku është ministri?

Sipas raportit të “Henley Global”, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë vetëm në 41 shtete pa vizë.

Sidoqoftë, edhe ata që janë të pajisur me viza, duhet të presin për përgjigjen e shtetit gjerman, pasi që shumë qytetarëve, veç u ka skaduar afati i pasaportës.

Deri më tani, pavarësisht raportimeve dhe reagimeve të shumta në opinion publik, ministri Sveçla nuk ka thënë ndonjë fjalë. Jo vetëm për këtë çështje, por as edhe për ndonjë tjetër.

Postimi i fundit i ministrit në llogarinë e tij në Facebook, është bërë me datë pesë janar, ku njoftonte për takimin e tij me emisarin britanik për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Në këtë postim, veç se kanë nisur të bëhen komente nga qytetarët pikërisht për çështjen e pasaportave.

“Paska harru t’i kërkojë që t’i lejojë qytetarët e Kosovës të hyjnë në Britani me pasaporta të skaduara siç i kërkoi Gjermanisë.” – shkruan një qytetar poshtë postimit të ministrit.

Një tjetër, ka thënë si vijon: “Ti burr ishte definitivisht i lujt, pasaportë pa afat”.

Në një tjetër rrjet social, Twitter, Sveçla postimin e fundit e ka bërë më datë gjashtë janar, ku dënon sulmin ndaj dy qytetarëve në Shtërpcë dhe njoftonte se është arrestuar i dyshuari.

Në anën tjetër, në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duket se nuk ka pasur ndonjë lëvizje sa i përket komunikatave që nga dhjetori i vitit që lamë pas.

Njoftimi kryesor, në ballinën e faqes zyrtare, është ai i 22 dhjetorit 2022 ku njoftohet për një konferencë për media të ministrit Sveçla, pas zhvillimeve në veri të vendit.

Reagimet vazhdojnë

Shumë reagime ka pasur në lidhje me këtë situatë të krijuar, sidomos nga opozita dhe analistët.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se shumë mërgimtarëve u ka skaduar afati i pasaportave, dhe se Qeveria, nuk arriti që t’ua sigurojë të paktën materialin.

“Asnjë arsyetim nuk i shfajson qeveritarët e paaftë për të qeverisur në lidhje me mungesën e materialit për prodhimin e pasaportave. Janë bërë muaj të tërë dhe kjo tufë inkompetente nuk është në gjendje ta zgjidhë një problem të thjeshtë furnizimi. A di të tregojë ndokush nga Qeveria e fjalamanëve pse vetëm Kosova në tërë Evropën nuk ka material për pasaporta?” – ka shkruar ai.

Ndërkaq, në lidhje me këtë, Nacionales i foli zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, e cila ka thënë se “është e pabesueshme që qeveria nuk ka arritur ta zgjidhë një problem kaq bazik”.

“Shumë shtete kanë hasur në probleme me furnizim në shumë artikuj—përfshirë letrën që përdoret për shtypjen e pasaportave dhe dokumenteve tjera; mirëpo nuk kanë arritur në nivele të tilla paaftësie. Pra, nuk është problemi te pandemia, por te paaftësia. Përveç pengesave në udhëtim për shtetasit tanë, kjo papërgjegjësi dëmton rëndë imazhin e Kosovës në sytë e një shteti mik si Gjermania.” – na tha ajo.

Ndërkohë, mëngjesin e së hënës, analisti Imer Mushkolaj, ironizoi me këtë situatë, duke i thënë ministrit Sveçla se kërkesa ishte “ide Xheniale”.

“Në pritje t'përgjigjes së Gjermanisë për me udhëtu me pasaporta të skadume. Bravo Xhelal, ide Xheniale.” – ka shkruar ai.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, të dielën tha se ky pushtet “do të mbahet mend edhe për këtë akt të pashembullt të abuzimit”.

Ndërkaq, pak më parë, ka ironizuar edhe profesori Avdi Smajljaj, i cili tha se “shteteve që nuk na kanë njohur, do të duhej kërkuar edhe se a mund të na japin letër për pasaporta”.

Lajme të ngjashme