Si është të jetosh me afatet e vendimeve të politikanëve në pjesën veriore të vendit? - NACIONALE

Si është të jetosh me afatet e vendimeve të politikanëve në pjesën veriore të vendit?

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Qytetarët shqiptarë dhe serbë të Kosovës që jetojnë në pjesën veriore të vendit, tash e sa vite jetojnë herë pas herë me afate përcaktuese nga politikat e qeverive, ajo e Kosovës dhe Serbisë me anë të struktuarve paralele, për gjendjen në qytetin tyre. Por, qysh po ndihen këta qytetarë?

Tash së fundi, shtyrja e vendimit për targa është një afat tjetër më të cilin ballafaqohen qytetarët në Mitrovicës Veriore por edhe komunat tjera në veri. Ata janë në pritje, megjithatë zgjidhja nuk duket afër.

Por çfarë do të thonë 48 orët, tashmë më pak se 24 orët e shtyrjes së masë së dytë të vendimit për targat, atë të gjobitjes së shoferëve me targa ilegale?

“Ankthi pjesë e jetës”

Nacionale ka biseduar me qytetarin E.D (emër i njohur për redaksinë) që jeton në anë veriore të Mitrovicës afër urës së Ibrit, e i cili ka rrefyer për jetën atje në kushte të pritjes së zbatimeve të vendimet që kanë afatë kohore sipas vendimeve qeveritare.

E.D ka thënë se jeta për ta ngjason si një ankth për shkak të mungesës së sigurisë që është krijuar atje pas situatës me targat.

Jeta në afate përcaktuese ne veri është, nuk e di nese mund ta quaj si një "ankth" në vete, për shkak se jemi të izoluar nëpër shtëpia tona dhe nuk ka asnjë patrullë apo ndonjë pikë ku Policia e Kosovës është e vendosur, dhe lëvizja në këto kohë është bërë shumë e limituar duke e ditur se rrezikshmëria për të hasë në ndonjë problem është shumë i madh, sepse kur në Veri mbizotëron qetësia atëherë të lënë të kuptosh që nuk është diçka në rregull.” - ka thënë ai për Nacionalen.

Ai ka treguar se çfarë priste para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të merrte vendim për shtyrjen e afatit për gjobitjen për shoferët për targat ilegale.

Të them të drejtën në datën 21 nëntor pak orë para se Kryeminstri doli me deklaratë se do shtyhet vendimi per 48 orë, kam qenë shumë i bindur se në mëngjesin e 22 nëntorit do të zgjohemi në sirenë në atë zërin tmerrues sepse duke i njohur "komshijtë" ishte zgjedhja e vetme që ata e kishin - dhe e kanë.” - u shpreh ai.

E.D theksoi se janë mësuar të jetojnë në një vend ku situata herë pas herë është e tensionuar.

Sa i përket ndikimit, thënë të drejtën jemi te sprovuar dhe jemi të mësuar me keso raste të cilat i kemi kaluar, duke e pasur parasysh që kanë ndodhur edhe shumë trazira e shumë probleme në kohë të cilave iu kemi rezistuar, por një gjë që është shumë e rëndësishme për ta cekur, është që këtu gjumi kurrë nuk është gjumë sepse në asnjë çast nuk ndihesh i sigurt.” - ka thënë bashkëbiseduesi i Nacionales.

Në anën tjetër, Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Komunës së Mitrovicës, Skender Sadiku, për Nacionalen, ka thënë se janë në pritje që niveli qendror të gjejnë një zgjidhje për të kthyer stabilitetin në veri të vendit.

Ai shtoi se aktualisht situata është e qetë.

Situata është e qetë, është mbi nivelin e politikanëve dhe ata janë duke e ruajtur qetësinë po flas për dy komunitetite. Jemi duke e pritur që niveli qendror që të gjej një zgjidhje që definitivisht na sjell qetësinë, stabilitetin, por edhe t’i kthehemi jetës së përditshme që i takojnë qytetarëve. 23 vite janë pritje dhe lodhje që Mitrovica Veriore ka përjetu çaste të rënda dhe të trishta me sirena e alarme.” - ka thënë ai.

“Qytetarët në veri dhe në jug, janë vetëm kolateral i këtij procesi”

Abit Hoxha, ligjerues i medias dhe konfliktit në Universitetin e Agder në Norvegji për Nacionalen ka treguar se çfarë ndikimi kanë afatet e tilla në jetën e qytetarëve të zakonshëm që jetojnë në këto troje.

Hoxha i ka thënë Nacionales se afatet e tilla mbajnë pezull njerëzit në të dyja anët e Ibrit dhe kontribuojnë në përshkallëzim të situatë teksa vendimi për konvertimin e targave është më shumë vendim politik.

Afatet e tilla i mbajnë pezull njerzit në të dyja anët e Ibrit si dhe kontribojnë në përshkallëzimin e mosdëgjueshmërisë qytetare. Duke e ditur se sa është delikate situata në veriun e Kosovës, është e cuditshme sjellja e tillë që jep 48 orë. Për 48 orë, askush nuk mund t’ regjistroj veturat edhepse afati për regjistrim ka qenë hapur me vite. Por, duhet kuptuar se regjistrimi i veturave nuk është teknik por më tepër politik si vendim dhe praktik si veprim.” - ka shpejguar Hoxha.

I pyetur se çka thonë për qytetarët atje këto 24 orët e mbetura për zbatimin e vendimit, duke e pasur parasysh situatën e tensionuar, ligjeruesi universitar Hoxha u përgjigj kështu:

Nuk do të thotë shumë pasiqë nuk do të ndryshoj asgjë për 24 orë apo 48 orë. Është e cuditshme pritja që për 24 orë të ndryshoj situata në teren në kontekstin e një vendimi të tillë. Por duhet thënë edhe një tjetër çështje se vendimet dhe këto lëvizje janë vetëm taktika të vakta për negociata në Bruksel. Qytetarët në veri dhe në jug, janë vetëm kolateral i këtij procesi.

Çka ndodhi?

Të hënën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, patën një takim në Bruksel, por nuk arritën që të gjejnë një zgjidhje për targat, teksa zbatimi i vendimi ishte shtyer në heshtje nga Qeveria për disa orë.

Pas mosmarrëveshje, kryeministri Kurti shtyu për 48 orë zbatimin e masë së dytë të vendimit për targa. Shtyrja erdhi pas kërkesë së ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia, konkretisht negociatorët e këtyre shteteve janë takuar për të gjetur një zgjidhje, ndërkaq orët e skadimit të shtyrjes po afrohen.

Mbetët të shihet nëse Kosova dhe Serbia do të pajtohen për ndonjë zgjidhje për targat.

Lajme të ngjashme