Shumëçka e re nga fronti i Perëndimit – ja vendet të cilat favorizohen për anëtarësim
Bashkimi Evropian ka hyrë në një epokë të paparë për sa i përket projektit të zgjerimit të bllokut për shkak të sfidave që po i sjell lufta në Ukrainë. Bllokimi i Ukrainës nga vetoja hungareze ka bërë që plot shtete ta shtyjnë përpara kandidaturën e Moldavisë – anëtarësimi i saj në BE po shihet edhe si mënyrë për ta vulosur trajektoren proevropiane të presidentes moldave Maia Sandu. Kurse në Ballkan gjasat po i favorizojnë vetëm Shqipërinë dhe Malin e Zi, kurse Kosova as që bëhet hesap...
Disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian e kanë ndarë mendjen që të shtyjnë përpara idenë e hapjes së bisedimeve për anëtarësimin e Moldavisë pa Ukrainën, nëse Hungaria vazhdon ta bllokojë përparimin e Kievit.
Siç shkruan tash së fundmi European Pravda, medium që mbulon çështjet rreth anëtarësimit të Ukrainës në BE, diplomatët në Bruksel e në kryeqytete të ndryshme evropiane nuk janë shumë shpresëplotë se do të ketë anëtarësim të Ukrainës dhe Moldavisë nëse kryeministri hungarez Viktor Orbán vazhdon me veton e tij.
Qeveritë që janë më së shumti pro Ukrainës, përfshirë edhe ato në Baltik, kanë dhënë shenja se po përgatiten ta mbështesin njëanshëm Moldavinë.
“Jemi në një pozitë të vështirë. Po, ne e mbështesim Ukrainën në negociatat dhe ne e dimë se Ukraina do të pëlqente që të ruhej paketa e tanishme. Por, ne mbështesim edhe Moldavinë dhe po iu ndihmojmë atyre...Nuk do t’i vëmë veto negociatave me Moldavinë”, ka bërë me dije një zyrtar nga shtetet baltike.
Sprovë për proevropianizmin në skajet e Evropës
Është thënë se gatishmëria e BE-së për avancimin e Moldavisë motivohet jo pak edhe nga zgjedhjet parlamentare në këtë shtet që janë paraparë të mbahen me 28 shtator.
Në Komisionin Evropian, por edhe në shtete anëtare veç e veç, votimet e sivjetme shihen vendimtare sidomos për trajektoren proevropiane të presidentes, Maia Sandu.
Simbas burimeve diplomatike, rezultati do të ketë peshë strategjike edhe për vetë Ukrainën.
Meqë bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës janë pezulluar për shkak të kundërshtimit të Orbánit, tani ‘topi’ ka kaluar në duart e aleatëve të Kievit që po përgatiten ta shpeshtojnë trysninë diplomatike mbi Hungarinë.
Siç ka mësuar European Pravda, këto vende po përgatiten për përpjekje të bashkërenduara në vigjilje të samitit të BE-së që mbahet më 26-27 qershor ashtu që të bindet kryeministri hungarez për ta hequr veton.
Qeveria e tij ka nxjerr vëng për çështje të tilla si të drejtat e pakicës hungareze që jeton në Ukrainë, ashtu sikurse edhe për shqetësimet mbi korrupsionin ukrainas.
Qasja e Orbánit, kësisoj, është në kundërshti me pjesën tjetër të bllokut, e cila në mënyrë dërmuese e mbështet kandidaturën e Ukrainës në kushtet e invazionit të gjerë rus.
Një zyrtar nga Brukseli i përfshirë në procesin e zgjerimit citohet të ketë thënë: “Vendimi mbi Moldavinë nuk duhet të vonohet. Ne do të bëjmë çmos që të sigurohemi që edhe Ukraina lëviz, por ne nuk mund ta frenojmë një vend i cili është gati.”
Favorizohet zgjerimi
Përndryshe, tash së fundmi analiza të rëndësishme kanë këshilluar që Bashkimi Evropian, për shkak të ballafaqimit me një botë gjithnjë e më të destabilizuar dhe me kompeticion gjeopolitik, blloku duhet të përqafojë një agjendë të dyfishtë për zgjerim e reforma të brendshme.
Raporti i fundit i afishuar nga Qendra Politike Evropiane (EPC) ka bërë thirrje që BE-ja të heqë dorë nga qasja e saj cikërrimtare dhe ngurruese e t’i përkushtohet asaj që analistët e kanë quajtur ‘permachange’: një gjendje e përhershme e adaptimit si përgjigjje ndaj krizave në rritje.
Ndryshe sa i përket rajonit, Ballkanit Perëndimor, oguret e vetme shpresëdhënëse janë për Shqipërinë dhe Malin e Zi që mund të anëtarësohen madje gjer në 2030 në BE.
Ky mesazh që bërë i ditur më 7 prill prill kur udhëheqja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e vizitoi Podgoricën dhe Tiranën zyrtare, me ç’rast zhvilloi takime me instancat më të larta.
Vizita e saj u konsiderua si mesazhdhënëse për rajonin: Ballkani Perëndimor mbetet vendosshmërisht nën radarin e BE-së.
Edhe zgjdhja e këtyre vendeve nuk ishte rastësore: Shqipëria dhe Mali i Zi si kandidatët në ballë për anëtarësim në BE, kurse Bosnja si vend që ka potencial për destabilitet në shkallë të gjerë rajonale.
Në vizitën e saj në Tiranë, Kallas e kishte cilësuar Shqipërinë si “partnere të fuqishme të Bashkimit Evropian.”
Pyetjes nëse 2030-a është vit realist për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ajo iu përgjigj pozitivisht duke thënë se kjo varet edhe nga fakti nëse Shqipëria i ndërmerr hapat e duhur.
Mesazhe të tilla shpresëdhënëse ka dhënë edhe komisionerja për zgjerim, Marta Kos: “Mali i Zi dhe Shqipëria mund të anëtarësohen më 2026 ose 2027. Por, bisedimet për zgjerim bëhen vetën nëse rajoni është stabil. Tani, ai nuk është i tillë. Dhe kjo përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për synimet strategjike të BE-së.” /NACIONALE/
C.M