Shteti, punëdhënës i keq: Pse nuk respektohet Marrëveshja Kolektive ndaj punëtorëve të administratës? - NACIONALE

Shteti, punëdhënës i keq: Pse nuk respektohet Marrëveshja Kolektive ndaj punëtorëve të administratës?

3 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Qeveria e Kosovës përveç që po ia ndalë pagat, nuk po përmbush as obligimet ndaj shërbyesve civilë të cilat ishin paraparë në Marrëveshjen e përgjithshme kolektive. Punëtorët e administratës po kërkojnë që të kompensohen edhe për shpenzimet e ushqimit gjatë punës, gjë që edhe iu takon.

Qeveria e Kosovës në vitin 2014 kishte nënshkruar Marrëveshjen e përgjithshme kolektive me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Odën Ekonomike e Kosovës dhe Aleancën Kosovare të Biznesit. Tash e 8 vjet shërbyesit civilë po tentojnë që përmes gjykatave të fitohet e drejta e tyre për shujta.

Marrëveshja e përgjithshme kolektive parashikonte rregullimin e marrëdhënies së punës, orarin dhe pushimet, pagat, kompensimet dhe të ardhurat tjera personale, informimin e të punësuarve, ndërprerjen e kontratës së punës dhe të drejtat dhe obligimet e palëve dhe mënyrën e zgjedhjes së kontesteve.

Mirëpo, nga kjo marrëveshje jo të gjitha nenet janë respektuar.

Neni 54, “Kompensimi i shpenzimeve për ushqim gjatë punës”, vazhdon të sjellë pakënaqësi tek punëtorët e sektorit publik të administratës shtetërore të Kosoëvs.

Neni 54 i marrëveshjes të përgjithshme kolektive theksonte se të punësuarve u sigurohet kompensimi për ushqim gjatë punës dhe vlera e kompensimit të ushqimit në punë, për një ditë pune, ishte e paraparë të jetë 2 euro.

1. Të punësuarve, u sigurohet kompensimi për ushqim, gjatë punës (prej 8 orë), për ditët e pranisë në punë. Vlera e kompensimit të shpenzimit të ushqimit në punë, për një ditë pune, është dy (2) euro, varësisht nga rrethanat dhe mundësitë për rastet konkrete. 2. Aty ku nuk ka shtesa mbi pagën bazë dhe ka mundësi financiare, mund të paguhet kompensimi për ushqim gjatë orarit të punës. 3. Punëdhënësi, i cili ka të rregulluar ushqimin e të punësuarve, përmes restorantit, kuzhinës, ose në një formë tjetër, nuk ka obligim pagese (2 euro), të të punësuarve për ushqim.”, thuhet në nenin 54.

Një punëtor do të duhej të kompensohej për shpenzimet e ushqimit rreth 540 euro në vit, sipas nenit 54.

Në anën tjetër, sindikalisti i shërbyesve civilë, Ali Sefaj, për Nacionale, ka bërë të ditur se procesi i kompensimit nuk është përfunduar akoma ndërsa kanë bërë padi ndaj ministrive për mos-përmbushjen e obligimeve.

Marrëveshja Kolektive nuk është në fuqi. Për obligimet e papermbushura, shujta dhe udhetime i kemi paditur ministritë dhe presim qe të kompensohemi. Kërkesa për kompensim bëhet me qëllim që institucionet ta dinë që sindikatat nuk do leshojnë pe për asnjë kërkesë të administratës publike.”, ka thënë ai.

Më tej, Sefaj ka thënë se përveç që qeveritë paraprake nuk e kanë përmbushur obligimet, edhe Qeveria Kurti po vazhdon të njejtën gjë.

Qeveritë paraprake nuk i kanë përmbushur obligimet që rrjedhin nga Kontrata Kolektive. Ne që të mos e humbim afatin ligjor i kemi paditë ministritë. Jo hala s’jemi pagu. Jemi në procedura gjygjësore. Ato obligime janë të ministrisë dhe do duhej të na paguheshin edhe nga qeveria Kurti dhe jo t’i padisim ministritë veç e veç”, ka theksuar ai.

Përveç mospërmbushjes së këtyre obligimeve, punëtorët e administratës shtetërore, po kërkojnë që edhe Projekligji për Zyrtarët Publikë të mos miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Ky Projekligj është njëra nga arsyet e grevës që ka filluar me 25 gusht.

Disa nga nenet në këtë Projektligj po dalin të jenë problematike dhe me tendencë të politizimit të adminstratës shtetërore.

Qeveria Kurti, në këtë Projektligj ka bërë disa ndryshime rrënjësore sa u përket shërbyesve civilë me pozita të mesme dhe të ulëta udhëheqëse.

Neni 46 i Projektligjit për Zyrtarët Publikë, parasheh që nëpunësit civilë që kanë pozita të mesme dhe të ulëta udhëheqëse do të emërohen me mandat 4-vjeçar.

Kandidati për pozitën e nivelit të ulët apo të mesëm drejtues, i vlerësuar nga komisioni i pranimit me pikët më të larta dhe mbi pragun minimal të 70% të pikëve të përgjithshme të vlerësimit, konsiderohet kandidat fitues dhe emërohet në pozitën përkatëse, për një mandat me kohëzgjatje prej katër (4) vite”, thuhet në nenin 46 “Emërimi dhe mandati në pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues”, pika 1.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, në një deklarim për Nacionale ka thënë se do të kundërshtojnë Projektligjin e ri për Zyrtarët Publikë, pasi sipas tij, projektligji është i dëmshëm dhe degradues për administratën shtetërore.

Ndryshe në Kosoë është shpallur grevë e përgjithshme me 25 gusht. BSPK e SBASHK, kanë nënvizuar se pa plotësimin e kërkesave të tyre, greva nuk do të ndalet.

Në anën tjetër, pushteti ka kërkuar që greva të ndalet duke ndalur rrogat të gjithë zyrtarëve publikë që janë në grevë.

Gjithashtu nga BSPK kanë bërë të ditur se do të bëjën kallëzimin penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Nuk dihet sa do t’i bëjnë ballë punëtorët e administratës dhe mësimdhënësit presionit nga pushteti.

Lajme të ngjashme