Mësimdhënësit pa paga, greva vazhdon – Përplasjet e sindikatave me pushtetin nuk ndalen - NACIONALE

Mësimdhënësit pa paga, greva vazhdon – Përplasjet e sindikatave me pushtetin nuk ndalen

1 vit më parë

nga NACIONALE

Për të dytën ditë me radhë, edhe sot shumica absolute e shkollave në Kosovë nuk do t’i presin nxënësit. Mësimdhënësit do ta vazhdojnë grevën duke kërkuar 100 euro shtesë për çdo muaj, deri sa të hyjë në fuqi Ligji për Pagat. Sindikatat nuk zmbrapsen. As qeveria. Duket kjo fillimi i një beteje, që për momentin nuk ka fitues.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Gjakova vendosi t’i kritikojë ashpër Sindikatat. Tha se çdokush duhet të paguhet vetëm për aq sa punon. Sigurisht duke mos përmendur se rreth 200 zyrtarë serbë nëpër ministritë e qeverisë së tij, morën vitin e kaluar gati 1 milion euro pa shkuar kurrë në punë. Kërkesat e Sindikatës së Arsimit, Kurti i quajti krejt të paarsyshme.

“E kuptoj që greva është instrument i sindikatave, por sindikatat nuk bën të jenë instrument i bojkotit të Qeverisë e shtetit. Shkolla është shteti, nuk bën të bojkotohet. Është e drejt elementare e çdo fëmije që të edukohet, këtë e parasheh edhe Kushtetuta. Sa i përket Ligjit të Pagave, ai tashmë ndodhet në diskutim paraprak dhe pas një jave do të jetë në diskutim publik. Koeficienti për mësimdhënësit është më i mirë se kurdo herë në të kaluarën dhe është më i mirë se në kohën kur Sindikata kishte bërë grevë”, deklaroi mes tjerash Kurti.

Kryeministri duket (siç dihej) se është në linjë me ministrin e Financave, Hekuran Murati. Ai të gjithë mësimdhënësve dhe punëtorëve të komunave, nuk ua ka ekzekutuar pagat. Kjo me arsyetimin se nuk i ka pranuar listët kush është në grevë, që t’i bëjnë ndalesat për ditët që nuk kanë punuar.

E për këtë, ai do të përballet me gjykatën ku e ka dërguar Sindikata e drejtuar nga Rrahman Jasharaj.

“Ne nuk do të ndalemi. Do t’i drejtohemi instancave më të larta për të kërkuar të drejtat tona. SBASHK-u e ka dërguar në Prokurori kallëzimin penal ndaj Hekuran Muratit. Buxheti i Kosovës është edhe me djersën tonë. Ne nuk po i kërkojmë Muratit që pagën e vet t’ia japë mësimdhënësve, por t’ua japë atyre që u shërbejnë popullit”, ka thënë Jashari në konferencë dje gjatë ditës.

E ndalesa e pagave ka bërë që edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Asociacioni i Komunave të mbajnë mbledhje urgjente.

BSPK-ja tha se pavarësisht kërcënimeve, nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

“Ndërhyrja e Partnerit Social – Qeverisë në rrjedhën e grevës është joligjore dhe këtë do të duhej ta di mire Partneri ynë Social – Qeveria. Është ligji ai që të punësuarit grevist ia jep këtë të drejtë e cila nuk duhet t’I cenohet e as që mund t’i cenohet dhe as t’i merret nga askush e aq më pak nga Partneri ynë Social – Qeveria e cila e ka për detyrë t’i mbrojë dhe t’u dalë krah veprimeve ligjore duke e krijuar mjedisin e duhur dhe të shëndetshëm për funksionimin normal e ligjor të shoqërisë. Tërheqja nga greva nuk do të ndodhë e as që mund të ndodhë, se ashtë joligjore – dhe ligji për grevën detyron të punësuarin të bëhet grevist e të hidhet në grevë”, thuhej në komunikatën për media të BSPK-së.

E Asociacioni i Komunave ka kërkuar nga qeveria urgjentisht ekzekutimin e pagave.

“Ne kërkojmë dialog, sepse qytetarët dhe nxënësit janë duke pësuar, situata mund të acarohet, sektorë të ndryshëm e teknik nuk kanë marrë paga. Këto janë pasoja, është dashtë me u mëndu këto”, ka thënë drejtori i Asociacionit, Sazan Ibrahimi.

Sipas të dhënave të Sindikatave, greva pritet të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme nëpër të gjitha institucionet. Përveç disa ministrive, ku si pasojë e kërcënimeve, punëtorët kanë vazhduar punën.

Reagimi i Presidentes

E pas një kohe të gjatë që kishte zgjedhur heshtjen për temat kryesore në Kosovë, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka kërkuar nga të gjitha palët të ulen dhe ta zgjidhin këtë çështje me dialog, duke theksuar se greva nuk shkon në të mirën e nxënësve.

“Për këtë arsye, institucionet e Kosovës janë duke realizuar reforma për përmirësimin e sistemit arsimor, rritjen e cilësisë, aftësimin e të rinjve për tregun e punës, sikurse edhe për përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënësve. Prandaj edhe është proceduar Projektligji për pagat, i cili parasheh përmirësimin e pozitës për mësimdhënësit. Të gjitha palët kanë të drejtë t`i adresojnë propozimet e tyre për përmirësimin e këtij Projektligji, i cili është i hapur për diskutime paraprake dhe shumë shpejtë pritet të jetë në diskutim publik. Pra, në vend të grevës, e cila i dëmton nxënësit, duhet t`i jepet mundësi dialogut, i cili është në dobi të nxënësve, mësimdhënësve, institucioneve dhe organizatave të tjera”, ka shkruar presidentja e vendit.

Osmani bëri të ditur se ka kontaktuar me të gjitha palët e përfshira në këto mosmarrëveshje.

“Fillimi i procesit mësimor për nxënësit tanë duhet të jetë i pakushtëzuar. Secili veprim i institucioneve dhe sindikatave duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor. Ne i detyrohemi nxënësve, ndaj secili punonjës arsimor, sikurse edhe sindikata e arsimit duhen të jenë, në radhë të parë, në funksion të interesit të nxënësve. Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve. E drejta u takon vetëm atyre! Atyre duhet t`ua ofrojmë dhe mbrojmë të drejtën për edukim dhe arsimim! E grevës duhet t`ia zë vendin dialogu!”, ka shkruar më tutje ajo.

Kush mbajti grevë në Prishtinë?

Hajde, hajde ecim se paska grevë..... Këto ishin fjalët e disa personave të moshuar të cilët prisnin në radhë para komunës së Prishtinës të cilët kishin ardhur për t'u pajisur më dokumentacione të ndryshme.

Radha ishte e gjatë, të vetmin dokument që arrinin ta merrnin ishin certifikatat e lindjes në mënyre digjitale, aparat i vendosur nga komuna i cili punon pa asistencën e askujt.

’Të mërkurën e kam terminin për vizë në ambasadën Gjermane, më duhet certifikata e bashkësisë familjare, këtu nuk po e lëshojnë, më thanë se nëse jam në sistem të shkoj në Podujevë pasi që komuna atje nuk është në grevë, nuk e di a me shku a jo, çka nëse nuk punojnë as ata’’, tha një qytetare e cila ishte duke u përpjekur që të gjente një zgjedhje së bashku me rojën e ndërtesës pasi që asnjë zyrtar nuk ishte në vendin e punës.

Ankesat ishin nga më të ndryshmet por ajo se çfarë i shqetësonte qytetarët më shumë ishte mospajisja me certifikata të cilët iu pamundësonin pajisjen më vizë si dhe regjistrimin e automjeteve.

’Motër çka me fole, kerrit mi ka dalë regjistrimi nëse me zen policia në rrugë pa regjistrim unë e marr dënimin jo kta që nuk janë duke punuar’’, tha Beka i cili nuk tentoi të flas më askënd nga komuna vetëm kishte ardhur për të parë nëse ende janë në grevë.

Kurse, punëtorët e shkollës së mjekësisë ‘’Ali Sokoli’’ në kryeqytet, edhe pse ishin duke mbajtur mësim, jozyrtarisht i thanë Nacionales së pagat ende nuk kanë dalur, pasi që as ata vet nuk e kishin të qartë nëse do të dilnin në punë deri një ditë më parë.

Ndërsa, nxënësit e kësaj shkolle thanë se janë njoftuar dje me faktin se shkolla nuk është pjesë e grevës.

‘’Ne dje jemi njoftuar se nuk ka grevë’’, thanë 5-6 nxënës njëzëri.

Edhe pse insistuam që të takoheshim më ndonjë nga përfaqësuesit e shkollës, ishte e pamundur pasi që roja pranë hyrjes së shkollës nuk na lejonte që të futeshim brenda objektit të shkollës e as të na mundësonte kontaktin me drejtorin e kësaj shkolle.

Në të njëjtin objekt gjendet shkolla e mesme e muzikës ‘’Prenk Jakova’’, por kjo shkollë ishte në grevë.

Mësim nuk do të ketë, mësimdhënësit janë pa paga, e fundi i kësaj sage duket ende larg.

Lajme të ngjashme