A do të lëshojë pe ‘Baba i grevave’? Nga Ministria e Arsimit thonë se mësimi do nis me 1 shtator
Quhet “baba i grevave”, por grevën kurrë s’e ka bërë vetë. Rrahman Jasharaj kreu i SBASHK-ut bashkë me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës nga data 24 gusht janë në grevë.
Kërkesa kryesore e sindikatave, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi projektligji për pagat.
Por zëvendës ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, është shprehur i bindur se mësimi do të fillojë nga 1 shtatori.Kjo pavarësisht grevës nga Sindikata e Arsimit.
“Po, mund të konfirmoj se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e procesit mësimor. Është duke u bërë edhe shpërndarja e teksteve shkollore dhe çdo gjë është gati që mësimi të fillojë më datë 1 shtator”, tha ai.
Ai thotë se të gjitha kërkesat e SBAShK-ut, i kanë adresuar në Ligjin për Paga.
“Nëse e shihni në raport me atë Ligjin e kaluar, të cilin e pat anuluar Gjykata Kushtetuese, ne kemi faktikisht ngritje të koeficienteve për të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe përmirësim të atyre përpjesëtimeve në mes të pagës së një mësimdhënësi dhe pagës më të madhe në Kosovë, që ka qenë një problem me rastin e Projektligjit të kaluar, dhe kjo vlen edhe për stafin tjetër të shkollave. Sa i përket grevës, ne jemi deklaruar edhe më herët se veprimet për ndërprerjen e procesit mësimor nuk kanë arsyetim”, ka thënë Pupovci për Radio Kosovën.
Në grevë janë edhe mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Por SBASHK-ut këto deklarime të zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit sic duket pak po u interesojnë.
“Baba i Grevave” – Rrahman Jasharaj, në një intervistë për Gazetën Nacionale, ka thënë se grevat nuk do të ndalen derisa kërkesat e Bashkësisë së Sindikata të Pavarura të Kosovës (BSPK) të plotësohen.
“Le ta dijë krejt anëtarësia e BSPK-së, nuk do t’i tradhtojmë, çka të thonë ata do të bëjmë dhe greva do të zgjatë gjersa thonë ata (BSPK-ja). Ose gjersa qeveria të thotë ‘ejani burra këtu’ dhe i kryejmë punët...” – ka thënë Jasharaj.
Në sytë e tij, pala që s’po i bën hesap as ndërmjetësuesin as “pleqnarin” mes tyre, është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Në të kaluarën, kur s’ka pasur ligje dhe njerëzit kanë qenë të pashkollë, odën e burrave e kanë mbajtur çel dhe ka ardhur një pleqnar i njohur e i ka bashkuar të dyja palët për të mos u bërë më keq. Ky (Kurti) as grevën, as protestën, as këtë pleqnarin – ndërmjetësuesin ligjor, as Ligjin për Greva...” – shprehet Jasharaj.
Greva për rritje page e punëtorëve në sektorin publik të enjten, ka nxitur reagimin e Qeverisë së Kosovës.
Zëvendëssekretari në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Enis Spahiu, tha se nëse edhe për një orë një zyrtar është në grevë, ai nuk do të paguhet për atë orë.
Spahiu është thirrur në nenin 18 të Ligjit për greva, i cili thotë se, gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.
Me projektligjin e ri për pagat, mësimdhënësit në institucionet parashkollore është caktuar të kenë koeficientin 5.2, ndërkaq edukatorët koeficientin 5.
Me projektligjin e ri për pagat, mësimdhënësit në institucionet parashkollore është caktuar të kenë koeficientin 5.2, ndërkaq edukatorët koeficientin 5.
Në Ligjin për greva të Kosovës thuhet se ‘organizatat sindikale, apo gjysma e të punësuarve të një organizate të caktuar punuese, ku nuk ka organizim sindikal, kanë të drejtë të organizojnë greva, për t’i mbrojtur interesat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale’.
Sipas Ligjit për greva, ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme, është i kundërligjshëm.
E sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova po përballet me një inflacion të lartë.
Norma e inflacionit në muajin korrik ka arritur në 14.2 për qind, nga 0.9 për qind sa ka qenë në korrik të vitit të kaluar.
Rritja e çmimeve ka nisur nga viti i kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Hov, pastaj, u ka dhënë edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila ka nisur më 24 shkurt./Nacionale.com/


