“Shtet i vizatuar brenda shtetit”, “Gjymton Kosovën”, “Legalizim dhe bekim i Serbisë”: Reagime alarmante për Statutin e Asociacionit - NACIONALE

“Shtet i vizatuar brenda shtetit”, “Gjymton Kosovën”, “Legalizim dhe bekim i Serbisë”: Reagime alarmante për Statutin e Asociacionit

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Zajednica nuk kalon”, ka qenë thënë proverbialisht për më shumë se një dekadë nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por tash proverbialisht mund të thuhet që me Statutin e ri të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe “kalohet përtej Zajednicës”.

Statuti i ofruar më 21 tetor nga pesë emisarët euro-amerikanë më 21 tetor dhe i pranuar nga Kurti, shumë kënd e ka lënë të shamngur përnga materia vetëqeverisëse e përmbajtur përbrenda e saj, ku shija e hidhët e saj është e një krahine plotësisht autonome për dhjetë komunat të banuara me shumicë serbe.

Fillimisht qarkulloi si një faqe e vetme e ku çka të godiste mu në nerv të keq të vëmendjes ishte referenca që i bëhej Rezolutës 12/44; gjë që s’kishte qenë rasti në herët e kaluara në një draft-Statut të Asociacioanit.

Por, tash, ky draft, megjithë fshehtësinë nga Qeveria e Kosovës, dhe me gjithë hezitimin opozitar, përjashto Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, u publikua nga ish-Drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani.

Nacionale ka arritur përmes burimeve të saj të verifikojë që ky draft-Statut është autentik; dhe që të njëjtin e ka parë edhe opozita javën e kaluar në takim me ndërmjetësin sllovak, Miroslav Lajçak, ndonëse deklarativisht e mohuan.

Përveç kreut të AAK-së, i cili tha që e ka lexuar, dhe madje u deklarua edhe në intervistë televizive rreth përmbajtjes dhe skopit të saj; ai u shpreh edhe që “Serbia ka arsye për t’u ndjerë fituese” dhe që si i tillë, përnga magnituda, është tejet i gjerë në kompetencat që ofron.

I dërguari i LDK-së në takim me Lajçakun, Lutfi Hazari, në pyjeten e Nacionales rreth asaj faqeje të Statutit që ishte publikuar e mohoi se është autentik, duke thënë se “nuk kemi të bëjmë me dokument të tillë”; ndërsa Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, e evitoi diskutimin për të krjetësisht, por duke mos e mohuar se qëndron.

Madje, ish-kryeministri kosovar, Isa Mustafa, pyetur nga Nacionalja se si e ka parë atë faqe të vetme, nuk i besoi fillimisht të ishte i vërtetë, teksa uronte “që të mos jetë”; e kur për referencën që i bëhej Rezolutës 12/44 na tha që në asnjë dokument rreth Asociacionit më parë ajo s’kishte qenë për referencë.

Rezoluta 1244 nuk ka qenë referencë në asnjë marrëveshje. As të 2015-tës. Referenca janë ligjet e Kosovës dhe Karta Evropiane për vetëqeverisjen lokake. Pika 2 e 2015 dhe pika e fundit e dokumentit i referohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, tha Mustafa ditë më parë për Nacionalen.

Gazetari Lirim Mehmetaj, i cili ka qenë tejet vokal në zbërthimin e logjikës politike dhe juridike të këtij dokumenti, në një bisedë me Nacionale rreth këtij Statuti na thotë se “nuk ka nevojë të jesh ekspert i çështjeve juridike dhe konstitucionale për ta parë të vizatuar shtetin brenda shtetit”.

Është autonomi edhe më e fortë se ajo e Tirollit Jugor”, thotë i bindur Mehmtetaj, “sepse kjo ka edhe kompetencën e sigurisë”.

Është Asociacioni që vendos për komandantin e policisë, gjë që s'e ka as Tiroli. Gjykata Kushtetuese me siguri se do ta rrezojë, nëse ka kredibilitet dhe profesionalizëm; e unë besoj qe i ka të dyja”, ka thënë Mehmetaj.

Ish-Drejtori i AKI-së, Burim Ramadani, me ta publikuar draftin tha se Kosova “duhet të fitojë diçka të madhe” në rast të jetësimit të asaj që jepet në letër, ngase “ky Draft-Statut është shumë i gjerë i thellë dhe serioz që komepetencat që ia atribuon Asociacionit”.

Por, mbi të gjitha, shumë serioz në mundësinë që ia jep Serbisë që të funksionojë brenda Kosovës. Dhe kjo sidomos në arsim dhe shëndetësi, kujdes social, në financim dhe donacione, e të ngjashme”.

Për Mehmetajn, ky nuk është Draft apo Statut, “por, Kushtetutë e Asociacioanit”.

Ishte e vërtete që s'është Zajednicë e vitit 2013, por shtet etnik brenda shtetit multietnik të Kosovës. S'kish referenca shumë as në 2013 dhe as në 2015, sepse edhe 2013 edhe 2015 shumë te buta për çka ish Super Zajednica e vitit 2023. Ah po, me Nenin 42, pikat 1,2,3,4 dhe 5 vendoset qëGjykata Kushtetuese e Kosoves nuk është instanca që bën interpretimin final kur Qeveria e Asociacioni kanë mospajtime rreth Statutit dhe interpretimit te tij, por është një Komision Arbitrues që shefin e komisionit e vendos BE-ja”.

Në Nenin 43 thotë se komandanti rajonal i katër komunave serbe duhet të jetë serb, pra përzgjedhet etnikisht. Çka s'kish në këtë Statut, ç‘ka s'kish”, ka përfunduar Mehmetaj.

Për këtë statut, ka reaguar edhe Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili tha se është “i frikshëm” dhe që “gjymton funksionimin e shtetit dhe perspektivën e shoqërisë!”.

E lexova Draftin e Asociacionit të publikuar nga Burim Ramadani. Nga shumë burime po del që ky është drafti që iu është prezantuar palëve. Është i frikshëm. E gjymton funksionimin e shtetit dhe perspektivën e shoqërisë. Asnje asociacion nuk është i mirë, por ky që u publikua sot ështe katastrofë”, shkroi Molliqaj.

Ndërkaq edhe filozofi dhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, draftin e k aquajtur “legalizim dhe bekim faktik i pushtetit të Serbisë në Kosovë”.

Mbetet të shihet a është ky draft-statuti i Asociacionit. Deri më tani Qeveria e Kosovës ka heshtur. Por nëse është ky, atherë çdo gjë është e bërë e qartë edhe sa i përket konceptit te njohjes de facto. Ajo qenka legalizim dhe bekim faktik i pushtetit të Serbisë në Kosovë. Asgjë më shumë. Kurse marrëveshjet e trumbetuara më të madhe sikur se ajo e Brukselit dhe Ohrit që e parashohin zbatimin e vet menaxhimit për komunitetin serb, e pasken vetem rolin e paravanit për të njohur ndërkombëtarisht Asociacionin”, ka shkruar Kasolli në Facebook.

Lajme të ngjashme