Shtëpi, para të gatshme, biznese – Sa janë të pasur kryetarët e VV-së që udhëheqin komunat? - NACIONALE

Shtëpi, para të gatshme, biznese – Sa janë të pasur kryetarët e VV-së që udhëheqin komunat?

1 vit më parë

nga Eriola Cacaj

Agjencia Kundër Korrupsionit ka deklaruar pasurinë e zyrtarëve publikë për vitin që lamë pas. Në kuadër të kësaj liste gjendet edhe katër kryetarët që radhitën nga partia në pushtet, pra nga Lëvizja Vetëvendosje.

Duke filluar nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka deklaruar një pasuri mjaftë të majme, ku tek pasuritë e paluajtshme ai posedon një shtëpi me vlerë 25 mijë euro të cilën e ka të trashëguar, dy banesa që janë në pronësi të bashkëshortes dhe kapin vlerën e 103 mijë eurove.

Nga trashëgimia Bulliqi ka deklaruar një truall me vlerë 12 mijë euro, një tokë me vlerë 13 mijë euro dhe një arë me vlerë 5 mijë euro.

Ndërsa tek pasuria e luajtshme, Bulliqi ka deklaruar dy makina, njëra në vlerë 16 mijë euro që është në pronësi të tij dhe tjetra me vlerë 9 mijë euro që është në pronësi të bashkëshortes.

Tek parat e gatshme, kreu i Podujevës ka deklaruar katër xhirollogari bankare, ku dy prej tyre janë në pronësi të tij dhe kapin vlerën e 28 mijë e 100 euro. Një tjetër xhirollogari të deklaruar i përket gruas së tij dhe ka vlerën e 2 mijë e 500 euro dhe e fundit është xhirollogaria e fëmijëve që ka vlerën 6 mijë e 500 euro.

2 mijë euro janë të ardhurat vjetore të Bulliqit të cilat kanë rrjedhë nga dy pagat e tij, njërën si kryetar i komunës dhe tjetra si punëtorë në Universitetin e Prishtinës. Tek të hyrat e Bulliqit janë të deklaruar edhe paga e gruas së tij 400 euro dhe paga e fëmijës me vlerë 450 euro.

Edhe kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka deklaruar pasurinë e tij, ku tek pasuritë e paluajtshme ai posedon dy toka të blera dhe që janë në pronësi të tij, ku vlerat e tyre janë 2 mijë e 800 euro dhe 1 mijë e 700 euro, që së bashku kapin vlerën e 4 mijë e 500 euro.

Ndryshe nga Bulliqi, Hyseni nuk ka të deklaruara pasuri të luajtshme dhe as para të gatshme, mirëpo ka të deklaruar një kredi ku vlera e saj fillestare ishte 10 mijë euro, ndërsa vlera e mbetur është 8 mijë e 884 euro. Hyseni ka deklaruar se kredinë e ka marrë për të hapur një biznes gruas së tij.

Sa i përket të hyrave vjetori, i pari i Gjilanit ka deklaruar pagën e tij si kryetar ku vlera e saj është 1 mijë e 287 euro, dhe i njëjti ka deklaruar se tek të ardhurat personale posedon vetëm pagën si kryetar.

Ndryshe nga Bulliqi dhe Hyseni, kreu i Shtimes, Qemajl Aliu posedon pasuri më të madhe.

Vetëm tek pasuritë e paluajtshme Aliu posedon 3 banesa, ku vlera e tyre është 162 mijë euro, 2 garazhda me vlerë 16 mijë euro, 4 ara me vlerë 77 mijë e 356 euro, livadh me vlerë 210 euro dhe oborr me vlerë 50 mijë euro.

Tek pasurit e luajtshme Aliu ka deklaruar një veturë që është në pronësi të tij dhe ka vlerën e 22 mijë e 500 euro.

Kreu i Shtimes ka edhe 83 mijë e 507 euro para të gatshme te deklaruar në AKK, të ndara në dy xhirollogari, ku njëra është në Kosovë dhe tjetra në Shqipëri.

Tek të hyrat vjetore, Aliu ka deklaruar vetëm pagën që e merr si kryetar i komunës, ku vlera e saj është 14 mijë e 65 euro.

Ajo çfarë bije në sy nga deklarimi i pasurisë të katër kryetarëve është tek kreu i Kamenicës Kadri Rahimaj, i cili tek rubrika e pasurisë së paluajtshme nuk ka deklaruar asnjë pasuri, mirëpo në fund i ka cekur si referenca, pasi që asnjë nuk është në emër të tij, por të prindit.

Rahimaj ka deklaruar 14 pasuri të paluajtshme, ku janë 10 toka, 2 pyje, një shtëpi dhe një lokal.

Tek pasuritë e luajtshme ai ka deklaruar një makinë në vlerë 9 mijë e 350 euro në pronësi të bashkëshortes.

Tek zotërimi i aksioneve në shoqëri tregtare del që Rahimaj është pronar i një biznesi me emrin Zing Sh.P.K ku vlera e tij është 1 mijë.

Tek paratë e gatshme, Rahimaj posedon 7 mijë e 730 euro, ndërsa bashkëshortja e tij posedon 5 mijë e 889 euro.

Kreu i Kamenicës tek të hyrat vjetore ka deklaruar pagën si kryetar me vlerë 13 mijë e 784 euro, si dhe të bashkëshortes 930 euro të ardhura këto nga pushimi i lehonave.

Lajme të ngjashme