Intervistë me “shqiptaren e LinkedIn”, Maloku: Në ShBA s’kam vështirësi pse e mbaj shaminë - NACIONALE

Intervistë me “shqiptaren e LinkedIn”, Maloku: Në ShBA s’kam vështirësi pse e mbaj shaminë

1 vit më parë

nga Blendrita Avdiu

Hava Maloku është shqiptarja e vetme që punon në rrjetin social LinkedIn, që është platforma më e madhe e biznesit dhe punësimit në botë. Maloku, që është grua me mbulesë, ka vite që jeton në ShBA, ndërsa në LinkedIn punon si menaxhere e marketingut.

Në intervistën e saj për gazetën Nacionale, Maloku ka treguar në detaje për shkollimin dhe rrugëtimit drejt majës së rrjetit social “LinkedIn”. Në rrëfimin e saj, ajo ka treguar se për të arritur aty ku është, i janë dashur shumë përpjekje. Për shkak të prejardhjes etnike, ajo ka treguar se ndihet si ambasadore e shqiptarëve.

Zonja Maloku është grua e mbuluar, pra mban shaminë. Por, siç ia sqaroi Nacionales, ajo asnjëherë nuk ka përjetuar diskriminim në Amerikë për shkak të përkatësisë së saj fetare, përfshirë përzgjedhjen në vendin aktual të punës.

Derisa përmendi përparësitë e këtij rrjeti social, Maloku ka theksuar se një nga mangësitë është vështirësia e avancimit për shkak të numrit të madh të punëtorëve. Megjithatë, “shqiptarja e LinkedIn”-it thekson se gjërat janë shumë sistematike dhe ka më pak hapësirë për kreativitet krahasuar me kompani të vogla. Tutje, Maloku ka treguar se edhe rinia kosovare ka filluar ta shfrytëzoj me të madhe këtë rrjet social sidomos në vitet e fundit.

Nacionale: Si ka filluar karriera e juaj, nga hapat e parë deri më tani, pra që sa kohë punoni aty?

Maloku: Shkollimin fillor dhe të mesëm e kam përfunduar në Prishtinë. Pas përfundimit të gjimnazit kam fituar një bursë për studime në “Graceland University” që gjendet në Ioëa të SHBA-ve. Për tri vite kam përfunduar dy drejtime në fakultet: Marrëdhënie të Biznesit dhe Biznes Internacional me orientim në Teknologji Informative. Për studimet e masterit vendosa të shkoj në San Francisco edhe pse nuk e kisha vizituar asnjëherë, por Silicon Valley sa kishte filluar të bëhej edhe mendova që është një mundesi e mirë për të qenë aty. Masterin në Biznes dhe Administrim (MBA) e kam përfunduar në “University of San Francisco” dhe me të përfunduar kam filluar me punë në San Francisco. Në ndërkohë kam përfunduar edhe doktoratën në “Golden Gate University” në drejtimin e Marketingut.

Në fillimet e para të karrierës kam punuar për disa startups në fushën e edukimit dhe financave si “Quinstreet” dhe “Adchemy”. Pastaj kam ndërruar produktin dhe kam vazhduar të punoj për “Expedia”, që është një nga brendet kryesore të udhëtimit në botë. Kam punuar edhe shkurt për një kompani në fushën ligjore të quajtur “Legalzoom” dhe se fundi në “LinkedIn”.

Nacionale: Zonja Maloku, meqenëse jeni ndër shqiptaret e vetme që punoni në LinkedIn, a mund të na tregoni se si keni depërtuar deri tek punësimi në këtë rrjet social?

Maloku: Për të arritur deri këtu është dashtë një punë e përvojë e madhe. Kur kam aplikuar kam pasë një përvojë të gjerë në fushën e marketingut dhe një shkollim të duhur. Dihet që punësimi në LinkedIn nuk është i lehtë, duhet të kalojmë nëpër shumë intervista, deri në dhjetë prej tyre. Por mendoj që është edhe pak fat se shumë e shumë njerëz të kualifikuar aplikojnë në çdo çast e nuk përzgjidhen për intervistë. Ndonjëherë për një rol të vetëm numri i aplikuesve shkon në mbi 1500 persona. E kuptohet që shumica prej tyre janë të aftë dhe të suksesshëm. Nganjëherë ndodhemi në vend të duhur dhe në kohë të duhur.

Nacionale: A e keni pasur problem punësimin për shkak të bindjeve fetare, përkatësisht posedimit të shamisë?

Maloku: Jo nuk kam pasur asnjë vështirësi. Në Amerikë secili respektohet dhe vlerësohet për punën që bën e jo për prejardhjen, fenë, apo racën. Në kompaninë që punoj kemi dhomën e lutjeve, ku mund t’i kryejmë obligimet e namazit. Edhe për ushqim kemi shenja të ndryshme se çfarë përbërës ka që të jetë sa me konform besimeve tona. Në Amerikë të pranojnë ashtu siç je, në fakt të çmojnë edhe me shumë nëse je vetvetja.

Nacionale: A mendoni se do të reflektonit dhe do të kishit këtë sukses edhe në Kosovë meqenëse bartni shaminë?

Maloku: Nuk e di për arsye se nuk kam punuar asnjëherë në Kosovë. Besoj që secili duhet të vlerësohet për atë që di dhe sjell në vend të punës e jo për shkak të bindjeve fetare.

Nacionale: Çka konsideroni si përparësi dhe mangësi të punoni në një rrjet social të madh siç është ky i LinkedIn?

Maloku: Përparësi e konsideroj kulturën e punës, balanci midis punës dhe kohës së lirë sepse shumë kompani presin të punosh 24 orë për ta. E dyta është fokusi që ka në diversitetin e klasës punëtore, secili respektohet dhe vlerësohet për punën që bën e jo për prejardhjen, fenë, apo racën. E treta shtrirja horizontale e përgjegjësive të menagjerëve dhe sistemit jo-burokratik që mbretëron brenda kompanisë. Dhe në fund me pëlqen fokusi në filantropi. Për çdo dollarë që i dhurojmë organizatave joprofitabile ata e plotësojnë 100% deri në 15,000 dollarë. P.sh nëse unë i jap $1,000 për një organizatë jo-profitable, kompania i jep 1,000 dollarë në emër timin.

Ndërsa mangësitë si çdo kompani e madhe është ma vështirë me u avancu për shkak se ka një numër të madh të punëtorëve, gjërat janë shumë sistematike dhe ka më pak hapësirë për kreativitet krahasuar me kompani të vogla.

Nacionale: A mendoni se po shfrytëzohet sa duhet ky rrjet social, përfshirë këtu edhe kosovarët?

Maloku: Rinia kosovare ka filluar ta shfrytëzoj me të madhe këtë rrjet social sidomos në vitet e fundit. E di kur e kam krijuar profilin tim në vitin 2008 nuk ka pasur shqiptarë fare në platformë. Kanë filluar ngadalë të shtohen në fillim shqiptarët në diasporë e mandej edhe ata në Kosovë. Por sidomos vitet e fundit mendoj që janë vetëdijsu shumë për benefitet e të qenurit pjesë e platformës. Duke marrë parasysh që është rritë numri i përdoruesve, kam pa që japin edhe rekomandime në gjuhën angleze që ta kuptojnë të gjithë anëtarët e platformës. Kjo është për tu duartrokitur.

Të qenurit pjesë e LinkedIn është sidomos e rëndësishme nëse kërkon punë për tregun e jashtëm, qoftë ajo edhe duke punuar nga Kosova. Rinia jonë është mjaft e aftë për tregun ndërkombëtar. Shumica e tyre e zotërojnë gjuhën angleze dhe kanë përgatitje të duhur akademike dhe profesionale. Unë njoh shumë persona që punojnë nga Kosove për kompani të ndryshme në Evropë dhe Amerikë. Sa i përket atyre që ende nuk dinë se nga të fillojnë këshilla ime është të krijojnë një profil në Linkedin dhe një portfolio online ku pasqyrohet ne detale projektet që i kanë realizuar, CV-ja, dhe rekomandimet nga kolegë apo klientë. Punëdhënësi dëshiron kredibilitet dhe sa ma shumë dëshmi e rekomandime që ke aq më lehtë e merr një punë. Këshilla e dytë eshtë të fokusohen me një drejtim dhe të bëhen ekspert në atë fushë. Kuptohet ajo nuk ndodh për një kohë të shkurtë. Malcom Gladëell ka thënë shumë mirë në librin e tij “Outliers” që në mënyrë që të bëhesh ekspert në një fushë të duhen me i posedu mbi 10 000 orë praktikë dhe ka marrë shembull Bill Gates para se ta krijon Microsoftin ka punu 10,000 orë në programim. Si përfundim është një punë e gjatë por jo e pa-arritshme.

Nacionale: A i ndihmon Kosovës, përfshirja juaj në këtë rrjet social, pra a keni tentuar që edhe Kosova të përfshihet edhe më shumë në përdorim të këtij rrjeti?

Maloku: Besoj që po. Jo vetëm unë por secili shqiptar në diasporë është ambasador i vendit të tij. Prandaj duhet të kemi kujdes se si sillemi se jemi pasqyrë e tërë kombit.

Lajme të ngjashme