Për investime s’u diskutua fare: Kurti u shëtit në kampusin e Microsoftit, sipas Microsoftit - NACIONALE

Për investime s’u diskutua fare: Kurti u shëtit në kampusin e Microsoftit, sipas Microsoftit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Njëherë na “i hapën” 200 mijë vende të punës, tash po “na sjellin” investime nga gjiganti Microsoft. E para nuk ndodhi, e as e dyta s’do të ndodhë kurrë. Kryeministrat e Kosovës, Hashim Thaçi më 2014 e Albin Kurti sot – siç thotë populli – po ‘prashitin’ në ujë.

Mungesën e takimeve me zyrtarë të lartë shtetërorë në SHBA për 18 ditë, Kurti e mbushi me ‘ekskursione’ nëpër kompani gjigante atje.

Na u tha se këto ‘ekskursione’ do të na sjellin investitorë në Kosovë. Pas njërit prej këtyre takimeve, Zyra e Kryeministrit tha se me Microsoftin u diskutua edhe për investime në vendin tonë.

“Duke folur për mundësitë që ofron Kosova për investime, kryeministri Kurti theksoi potencialin e madh dhe gjithnjë në rritje të të rinjve që merren me sektorin e teknologjisë informative”, thotë Zyra e Kryeministrit.

Por, sipas personit që e shëtiti Kurtin nëpër kampusin e Microsoftit, investimet s’ishin fare pjesë e diskutimeve.

“Të martën, e pata nderin që t’ia tregoj kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, Kampusin tonë të ri të Microsoft-it në Silicon Valley. Patëm mundësi që të flisnim për qëllimet e kampusit tonë për mundësimin e bashkëpunimit të shkallëzuar, përkrahjen e mirëqenies së punëtorëve, fuqizimin e komunitetit dhe paraqitjen e parimeve tona të qëndrueshmërisë”, shkruante Villaron.

Ama kur dikush e pyeti se a priten investime në Kosovë nga gjiganti Microsoft, Villaron nuk vonoi të përgjigjej si shfletuesi ‘i ngadaltë’ i Microsoft, Internet Explorer, duke thënë se kjo i kalon kompetencat e tij, ose folur troç, që ai nuk paguhej për një gjë të tillë.

“A duhet të presë diçka tjetër në veçanti vendi më i ri me popullsinë më të re në Evropë, si një degë të Microsoft-it në Prishtinë/Kosovë për Evropën Juglindore? Bashkëpunim me kompanitë tona lokale të teknologjisë, ndonjë gjë për të ndarë?”, pyet Haki Konjusha.

Villaron zbulon edhe se çka është diskutuar në këtë ekskursion dhe se investimet s’ishin pjesë e muhabetit. Zyrtarët e Microsoftit, Murali Sitaram dhe Shawn Villaron, Kurtit i folën vetëm për kampusin e Microsoftit dhe për këtë ndihen të nderuar.

“Kjo është dukshëm mbi shkallën time të pagesës. Vizita jonë ishte vërtet vetëm një mundësi për ta ndarë rrëfimin për kampusin tonë me kryeministrin. Ishte vërtet njëra nga pjesët më interesante të karrierës sime në Microsoft. Ne të gjithë ishim jashtëzakonisht mirënjohës që ai ishte i gatshëm që të ndante një orë të itinerarit të tij për t’u takuar me ne”, përgjigjet Villaron.

Kjo s’është hera e parë kur kosovarët entuziazmohen me premtimet boshe të politikanëve. Si Kurti që thotë se Microsoft mund të investojë në Kosovë, edhe Hashim Thaçi dikur premtonte 200 mijë vende të reja pune.

Nuk ka dallim mes tyre, përveç se Thaçi këtë e bëri në fushatë zgjedhore për t’i marrë disa vota më shumë, ndërkohë që Kurti për ta arsyetuar mungesën e takimeve të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë.

Ish-zëvendëspresidenti i gjigantit Google, Bogomil Balkansky, ishte shprehur skeptik në lidhje me mënyrën e tërheqjes së investimeve nga “Silicon Valley” te një shtet i vogël evropian si Kosova.

“Shumica e kompanive dhe vendeve janë pa eksperiencë dhe naive në pritshmëritë e tyre për investime nga vizita njëjavore ose dyjavore”, ishte shprehur ai.

Ai kishte kërkuar që para se të bëheshin vizita në “Silicon Valley” nga liderët të krijoheshin qendra kombëtare të Teknologjisë Informative në vendet përkatëse.

LEXO: Ish-i Google dhe modeli serb: Përpjekja e Kurtit për të thithur investime të IT në Amerikë cilësohet naivitet

Lajme të ngjashme