Ish-i Google dhe modeli serb: Përpjekja e Kurtit për të thithur investime të IT në Amerikë cilësohet naivitet - NACIONALE

Ish-i Google dhe modeli serb: Përpjekja e Kurtit për të thithur investime të IT në Amerikë cilësohet naivitet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeminsitri Kurti nuk ka takuar deri tash zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë apo Departamentit Amerikan të Shtetit. Në vend të kësaj, ai ka takuar një numër përfaqësuesish nga komuniteti i Teknologjisë Informative, duke kërkuar investime në Kosovë. Por, sa është reale një gjë e tillë?

Ndonëse e shumëpritur, vizita e kryeministrit Kurti, doli të jetë paksa atipike – mund të quhej e tillë meqenëqë nuk është kufizuar në takime të zakonshme me përfaqësues politik. Për më tepër, vizita e kësaj radhe, jo vetëm ishte gjerësisht e pakufizuar, por përfshiu edhe një numër të madh korporatash e kompanish të mëdha amerikane.

Kryeministri Kurti, me qasjen e paraqitjes së Kosovës si hapësirë e mundshme për investime, vizitoi një numër korporatash të shquara amerikane. Ndër kompanitë e vizituara, janë ato që fushë të veprimit e kanë teknologjinë informative (IT) si Microsoft, Uber, etj. Megjithatë, pyetje kyçe për t’u shqyrtuar mbetet mundësia investuese e këtyre kompanive në Kosovë.

Prandaj, duhet të hulumtohet prania me investime të shquara të këtyre kompanive në regjion edhe më gjerë, për të krijuar një pikturë më të përgjithshme.

Nga një vështrim i përgjithshëm, të gjitha vendet ballkanike janë shumë të përshtatshme për investime në fushën e teknologjisë. Kjo për shkak të kapitalit njerëzor me edukim relativisht të lartë dhe të qasshëm në treg të punës për çmime të përshtatshme.

Në pikëpamjen e Bogomil Balkansky, ish-zëvëndës-presidentit të “Google”, “destinacioni i çdo kompanie të IT-së është matanë oqeanit, do të thotë në “Silicon Valley”. Mirëpo rruga apo strategjia që kompanitë dhe vendet duhet të ndjekin sipas tij, është e ndryshme nga ajo që ndoqi kryeministri Kurti. Sipas tij, “shumica e kompanive dhe vendeve janë paeksperiencë dhe naive në pritshmëritë e tyre për investime nga vizita njëjavore ose dyjavore.”

Po ashtu, ai pohon se, vetëm kompani ose grupe të organizuara të kompanive, sikurse BIH (Qendra Bullgare e Inovacionit), të cilat janë të aftësuara për kërkim të partnerëve për joshje të klientëve, ose për të tërhequr investime në SHBA, ia dalin suksesshëm të arrijnë bashkëpunim me “Silicon Valley”.

Rrjedhshëm, Balkansky pandeh se para se të vizitohet “Silicon Valley” formalisht, pretenduesit për bashkëpunim duhet të kenë qendra kombëtare të IT-së, të përbëra nga një numër kompanish dhe startup-esh të profesionalizuara, të aftësuara dhe të organizuara mirë, të tilla që mund të paraqesin projekte bashkëpunimi dhe të fitojnë klientë brenda tregut amerikan. Kësisoj, vizitat e hershme ose të papërgatitura në këtë qendër, mund edhe të quhen ngatërrim në hapa.

Për më tepër, vizita e një kryeministri, pa praninë e asnjë prej përfaqësuesve të komunitetit të punëtorëve teknologjikë ose të kompanive të ndryshme në këtë kompani i shpërfaq mangësitë edhe nga një kënd tjetër. Thënë ndryshe, në vizita ose kampanja të suksesshme, kryefjala mbetet te ndërmarrësit e mundshëm. Kështu që, në të tilla vizita, nuk do të duhej të merrte vëmendje prania e kryeministrit, sa e një grumbulli ndërmarrësish të fushës së teknologjisë, shumë të organizuar për të fituar besimin e klientëve të mundshëm.

Ndërsa te vizita e Kurtit, vërejmë një mungesë të përgjithshme të dialogut e organizimit me komunitetin e njerëzve dhe kompanive që veprojnë në IT brenda Kosovës.

Kjo gjë e nxjerr vizitën si të papërgaditur, kështu kryeministri atje i vetëm, me tepër ngjan si klient i këtyre kompanive, sesa ofertues serioz për një bashkëpunim të ardhshëm. Kjo dukej më tepër si një vizitë, ku kryeministri vështron arritjet e këtyre kompanive të mëdha dhe që përfundon me një fjali përfundimtare: ejani, investoni tek ne.

Për fatin e keq rezulton se kjo nuk mjafton.

Veç kësaj, një proces normal i arritjes së bashkëpunimit sipas Balkansky-t nuk është lobimi, rrjedhimisht nuk është politik, aq sa është projekt teknokratik, që testohen në prani të investuesve të mundshëm. Në këtë mes, kryeministri mund të këtë ndofarë roli të ndërmjetesuesit, në mes një komuniteti ekzistues të zhvilluar të teknologjisë, dhe kompanive brenda Silicon Valley, në kuptim të sigurimit të politikave publike të duhura për arritjen e këtyre marrëveshjeve.

Ndërsa nga këndvështrimi i përgjithshëm, nëse pretendohet shndërrimi teknologjisë si një veprimtari ndër më eksportueset në ekonomi, duhet të ndiqet Serbia si model. Ky vend, teknologjinë tashmë e ka një nga tri lëmitë më eksportuese në ekonomi, vlera e së cilës arrin deri në 1 miliard euro. Nga kjo edhe ka lindur emërtimi i Serbisë, si “Silicon Valley” i Ballkanit Perëndimor.

Gjithë kjo rritje e Serbisë në fushën e teknologjisë erdhi si rezultat e një numri politikash publike të favorshme për zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Ky vend vazhdueshëm ndoqi praktika të krijimit të incentivave dhe mundësive të ndryshme për shndërrimin në një vend magnetik për këto kompani të mëdha. Një nga këto rastet është hapja e “Qendrës së Zhvillimit Microsoft” në Beograd, në vitin 2005.

Strategjia serbe për joshjen e “Microsoft” dhe projekteve të ngjashme, është e mbështetur në krijimin e politikave të favorshme për këta investitorë.

Serbia, përveç që paraqet një treg të lirë, nëpërmjet granteve dhe politikave të tarifave arriti të joshë investimet e kësaj natyre. Për shembull, një nga lehtësimet e ofruara është lirimi nga taksimi për të gjitha pajisjet e importuara, grantet e ndryshme, si dhe pagesa deri në 10 mijë euro, për kokë punëtori të punësuar.

Kjo lloj qasjeje rezultoi të ishte e suksesshme, meqë shndërroi Serbinë në vendin më të zhvilluar të IT-së në regjion, dhe këtë disiplinë ekonomike, në një nga tri më të zhvilluarat sa i përket eksportit.

Prandaj, nga vendet e rajonit, tanimë kemi modele në këtë fushë, të cilat mund të ndiqen, pa pretenduar se po arrijmë të zbulojmë diçka të re.

Lajme të ngjashme