Shqipëria vlon rreth Aeroportit të Vlorës: Si ta kuptoni më thjeshtë krejt dramën, hap pas hapi - NACIONALE

Shqipëria vlon rreth Aeroportit të Vlorës: Si ta kuptoni më thjeshtë krejt dramën, hap pas hapi

9 muaj më parë

nga Dafina Demaku

Një zënkë aksionarësh apo diçka më shumë? Çka dihet deri tani rreth temës së nxehtë për Aeroportin e Vlorës?

Më 20 prill të vitit 2021, Qeveria shqiptare kishte nënshkruar kontratën me konsorciumin fitues për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Në fotografinë e asaj dite, prapa përfaqësuesit të kompanisë Mabco, qëndronte Behgjet Pacolli ndërkaq prapa ministres së Infrastrukturës, Belina Balluku, ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama.

I vlerësuar nga qeveria shqiptare si një nga ‘veprat më të mëdha’ në zhvillimin e aviacionit civil në Shqipëri, projekti mbi 100 milionësh, para pak ditësh u vendos nën masë sigurie nga Gjykata e Tiranës, që rrjedhimisht, nënkupton ‘suspendimin e punës’ në aeroportin që ishte paraparë të hapej pak muaj prej tani, në fillim-marsin e vitit 2026.

Çka ndodhi?

Ka dy interpetime që dominojnë diskutimin publik që prej ditësh në hapësirën mediale shqiptare për dramën rreth Aeroportit të Tiranë.

I pari, thotë se kjo është një çështje mes aksionarësh (dy biznesmenëve kosovarë, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi) ndërkaq, interpretimi i dytë – thotë se me involvimin e ‘akuzës’ se Aerporti rrezikonte të përfundonte në ‘duar të panjohura’ (ruse, sic! Lexo elaborimin në vijim), dhe nën këtë akuzë, është e përfshirë edhe politika. Për të dyja këto, pritet fjala e drejtësisë, por këtu, po përmbledhim atë çka dihet dhe interpretohet deri tani.

Rreth interpretimit të parë;

Interpretimet se çështja e Aeroportit të Vlorës, në fakt, është një ‘problematikë’ mes aksionarësh, thonë se problemi ka lindur në mënyrë eksplicite për çështjen e aksioneve në mes të kompanive Mabco (Behgjet Pacolli) dhe kompanisë 2A Group (Valon Ademi).

Ky i fundit, pretendon dhe thotë se ka dëshmi se i takojnë 49% të aksioneve në ‘muhabetin’ e Aeoportit të Vlorës, derisa Behgjet Pacollit ose kompanisë së tij Mabco, i takojnë 51% e aksioneve.

Skema e aksioneve fillestare, dukej kësisoji:

Për Aeroportin e Vlorës, ishin në kombinim tri kompani: Mabco e Pacollit, YDA e Turqisë dhe 2A Group e Valon Ademit.

2% të aksioneve kishte 2A Group e Valon Ademit

40% YDA – kompani turke

58% Mabco Construction - e Behgjet Pacollit

Pasi kompania turke ia kishte shitur aksionet e saj kompanisë së Behgjet Pacollit, me një shumë mjaft të diskutueshme për shkak të disproporcionit në përqindje: 4500 euro për 40% të aksioneve, kompania e Valon Ademit 2A Group, pretendon se me një parakontratë noteriale, kishte blerë 47% të aksioneve, plus dy që i kishte, duke e vendosur kështu statistikën e aksioneve në Aeroport 51% për Pacollin me 49% për Ademin.

Njohësit e kësaj problematike dhe gazetarët që thirren në burime në të dyja palët që po kontestojnë njëra-tjetrën në këtë çështje, thonë se problemet filluan të shfaqeshin, kur kompania Mabco, mbajti dy mbledhje në Lugano të Zvicrës dhe mori vendime pa e njoftuar bashk-aksionarin e Aeoportit, 2A Group.

Mes këtyre mbledhjeve, një e tillë duhej të mbahej edhe dje (20 tetor 2025) në Lugano për ta caktuar Administratorin e ri të Aeoportit të Vlorës, por u pamundësua pas masës së sigurisë nga Gjykata e Tiranës.

Në një mënyrë, këtu mund ta përfundojmë interpretimin e parë, pra se dy aksionarët, dy biznesmenët kosovarë, u prishën mes vete shkaku që i pari (z.Pacolli) nuk po ia ‘njihte’ aksionet prej 49% të dytit (z.Ademi).

Rreth interpretimit të dytë;

Interpretimi i dytë, vjen si pasojë e një kallëzimi penal që kompania e z.Ademi e bëri në Gjykatën e Tiranës dhe si rrjedhojë, u suspendua krejt puna në Aeroport, shkaku i masës së sigurisë nga Gjykata.

Por, pse?

Pretendimit e kallëzuesit penal, që më vonë u shndërrua nga gjykata në hetim penal, janë se si pasojë e vendimeve të kompanisë Mabco, janë shkaktuar një seri veprash penale si: mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, falsifikim i dokumenteve dhe akteve.

Kompania 2A Group, pretendon se pasi është mashtruar nëpërmjet akteve të mësipërme nga kompania Mabco e z.Pacolli, kjo e fundit ka rrezikuar edhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Pretendimet janë se kompania e z.Pacolli, ka marrë një kredi prej 100 milionë eurosh nga një kompani ‘offshore’ që bazën e ka në Luksemburg dhe sipas pretendimeve të kompanisë së z.Ademi, dyshohet se prapa saj qëndrojnë njerëz që kanë lidhje me Rusinë.

Duke marrë kredinë prej 100 milionë eurosh, për ta shlyer një borxh prej 56 milionë euro të Mabco-së në një prej bankave në Shqipëri (që ishte marrë për të kryer punë në aeoport), 2A Group pretendon se Mabco e Pacollit hapi degë së fundmi në Kosovë dhe një shumë milonëshe u transferua në llogarinë e saj, nga ajo e quan fantome, “Delphos Secuirities SARL”.

Pretendimet që tani janë nën hetim nga drejtësia në Shqipëri, janë se huaja prej 100 milionë eurosh e marrë nga kompania e Pacollit, ka disa karakteristika që i mbivendosen një huaje klasike bankare, e që janë: karakteri formal – me pretendimin se kontrata s’jep shenja për ndryshim të mundshëm pronësie, substance reale – me pretendimin se huadhanësi merr të gjitha elementet e kontrollit të aksionarëve apo administratorëve, kontroll mbi të ardhurat dhe llogaritë, veto mbi vendimmarrjen etj (shih pjesën e dokumentit më poshtë).

Për ta kuptuar më shkurt, pretendimet e kompanisë 2A Group, nënkuptojnë se Aeoporti i Vlorës është dhënë peng për një kompani fantome, me prejardhje të dyshimtë (sipas pretendimeve të tyre) duke ia hequr kështu kontrollin mbi Aeoportin, jo vetëm kompanive por edhe vetë shtetit shqiptar.

Reagimi ‘se dikush po lyp t’na e blejë flamurin’ i 2A Group dhe konstatimi i Pacollit që ‘kontratën 100 milionëshe’ nuk e kupton gjithkush

Që prej kur kompania 2A Group ka publikuar reagimin rreth këtyre zhvillimeve me shprehje si: lufta për ta mbrojtur flamurin”, Compartment Bernina, Bart Tortelboom – fillojmë navigimin nëpër makineri kërkimi online, për – sidomos emra si ‘Compartment Bernina’ dhe Bart Tortelboom.

Meqë 2A Group tha se ky i fundit ka përfaqësuar palën ruse në Klubin e Parisit, pavarësisht laicitetit që mund ta kemi në aspektin ekonomik për ekzistencën e këtij Klubi, makineritë kërkimore nxjerrin këto të dhëna:

Sfondi historik dhe konteksti i përmendjes së këtyre emrave – sipas të dhënave të disponueshme online

Klubi i Parisit është grup joformal i vendeve huadhënëse që ndihmon vendet tjera për të shlyer borxhet ndërkombëtare.

Të dhënat nga makineritë kërkimore si Google, ChatGPT, tregojnë se marrëveshja e parë e Rusisë më Klubin e Parisit, u bë në vitin 1996 dhe mes tjerash, ajo përfshinte ristrukturimin e borxhit 38 miliardë dollarëve të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik. Vite më vonë, më 2006, Rusia kishte shlyer gjithë borxhin e saj ndaj Klubit të Parisit. Këtu, kompania kosovare 2A Group e lidh emrin e Bart Tortelboom – përfaqësuesin e kompanisë prej të cilit thotë se Mabco e Pacollit mori huanë 100 milionëshe (Compartment Bernina + Delta).Të dhënat online, tregojnë se Tortelboom ‘ka qenë përfshirë në transaksionin e parë që lidhej me borxhin rus në Klubin e Parisit”, por që ‘nuk kishte rol zyrtar në këto negociata’.

Për këto pretendime të 2A Group, Behgjet Pacolli rekomandon që ata të cilët komentojnë kontratën 100 milionëshe, të konsultohen me ekspertë, duke nënkuptuar që s’e kuptojnë.

“Ju që po mundoheni të tregoni sikur dini diçka, merreni atë kontratë (100 miljonshit) dhe konsultohuni me ndonjë kompani ndërkombëtare auditimi, ose pyesni dikë tjetër kompetent, sepse po turpërohem (kur mundoheni me e komentar atë) me nivelin e inteligjencës suaj”- ka shkruar Pacolli në një prej reagimeve të tij së fundmi.

Lajme të ngjashme