“Shpallim Kosovën shtet të pavarur”, si u harrua qëllimisht Thaçi i pavarësisë nga Kurti e Osmani? - NACIONALE

“Shpallim Kosovën shtet të pavarur”, si u harrua qëllimisht Thaçi i pavarësisë nga Kurti e Osmani?

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Fizikisht nuk ishte i pranishëm në seancën solemne për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Por Hashim Thaçi është ndër figurat më të rëndësishme politike në 30 vitet e fundit. Historia e Thaçit u përmend nga ish-partia e tij, PDK, por jo edhe nga krerët aktualë të Kosovës. Si kryeministër, Thaçi e kishte mbajtur fjalimin më të rëndësishëm në historinë politike të Kosovës. Më 17 shkurt të vitit 2008, Thaçi do të lexonte një deklaratë, të ëndërruar gjatë nga dhjetëra breza.

Në orën 15:34, Hashim Thaçi, që kishte bërë mijëra kilometra si student, luftëtar gueril e udhëheqës i UÇK-së, do të ngrihej në këmbë për t'i bërë hapat më të rëndësishëm në jetën e tij e, me shumë gjasë, edhe në historinë e re të Kosovës. Nga kolltuku ku ishte ulur, në Kuvendin e Kosovës, ca metra më tutje, në emër të popullit të Kosovës, djali nga Buroja e Skënderajt, do të lexonte një fjalim, pa fije dyshimi, historik.

Ishte dita e shumëpritur, e cila, ndonëse erdhi me shumë vonesë e me tepër shumë sakrificë, ishte e gëzueshme, megjithatë. Në fjalimin e Pavarësisë, Thaçi do të kujdesej të mos e tradhtonte zëri, teksa e lexonte fjalinë më të rëndësishme, me të cilën shpallej Kosova e mëvetësishme.

Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,

1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran” – ishin fjalët e Thaçit më 17 shkurt të vitit 2008.

Përvjetori i “harresës” së qëllimshme

17 shkurti i vitit 2023 është përvjetori i dytë pa Thaçin, i cili gjendet në Hagë si i parabugosur për dyshimet për krime të luftës. Në përvjetorin e 15-të të Kosovës së pavarur, Thaçi u harrua qëllimisht nga ana e krerëve aktualë të Kosovës. Asnjëri nga liderët e Kosovës, pra Albin Kurti, Vjosa Osmani e Glauk Konjufca, nuk dënjuan që ta përmendnin emrin e njeriut që e ka lexuar Deklaratën e Pavarësisë.

E gjithë kjo duket të jetë e mirëmenduar. Përgjatë historisë politike, Kurti e Osmani, por edhe Konjufca, ishin kundërshtarë të Thaçit, i cili, përderisa ishte aktiv në politikë, kishte triumfuar disa herë elektoralisht kundrejt tyre. Gjuha e Kurtit e Osmanit ishte jashtëzakonisht e ashpër kundër Thaçit, të cilin vazhdimisht e akuzonin për korrupsion, krim e marrëveshje të këqija në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Kurti e Osmani nuk e kanë vizituar Thaçin as në Hagë, ku gjendet nga viti 2020, ndonëse Kurti ka kohë që ka paralajmëruar një vizitë të tillë.

Para deputetëve, Osmani, Konjufca dhe Kurti e kanë kujtuar sakrificën e gjithë popullit për liri dhe i kanë falënderuar aleatët për mbështetjen, por nuk e kanë parë të arsyeshme të përmendin emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po përballen me një padrejtësi në Hagë.

“Jam e nderuar që sot, në ditëlindjen 15-të të Kosovës sonë, të mund të ju drejtohem nga foltorja e Kuvendit. Më lejoni ta përgëzoj secilin qytetar për kontributin në ndërtimin e shtetit tonë të përbashkët. Ta kujtojmë pijetarin e shtetësisë sonë, presidentin historik, dr. Ibrahim Rugova. T’i kujtojmë bijtë e bijat tona, të cilët, të rreshtuar në UÇK, sakrifikuan jetën e tyre, komandantin historik, Adem Jasharin. T’i kujtojmë përfaqësuesit e institucioneve të pavarura që kontribuuan për këto 15 vite në shtetndërtim”- deklaroi Vjosa Osmani.

Sakrificën e UÇK-së e ka përmendur edhe kryeministri Albin Kurti.

“Shkurti është muaj me më së paku ditë, por mes tyre ka një ditë që për nga denduria e peshës kombëtare dhe historike, ka efekt zgjatues ndaj përjetimit tonë të kësaj periudhe. Ajo është dita e 17-të e muajit shkurt, ditëlindja e Pavarësisë së Kosovës. Akti i deklatrimit të Pavarësisë së Kosovës shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm në historinë moderne të Kosovës” – deklaroi Kurti.

Lajme të ngjashme