Shkarkimi që Kurti s'po e bën: A dallon Rakiqi me Radojiçiqin politikisht?
Goran Rakiq – kryetari i Listës Srpska – ishte emri që u përmend në përplasjet më të ashpra gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës. Sipas opozitës, ai nuk dallon asgjë nga Milan Radojiçiqi që është shpallur në kërkim. Sipas Albin Kurtit, megjithatë ai dallon. Por, pse po e merr me të mirë Kurti, kreun e Srpskas?
Kryeministri i Kosovës nuk ia ka kthyer asnjëherë fjalën ministrit të tij problematik nga Minsitria për Komunitete dhe Kthim.
Ditën kritike të tensioneve në veri, Goran Rakiq kishte udhëtuar për në Rashkë që të takohej me hiç më pak se Petar Petkoviqin – drejtorin e të ashtuquajturës “Drejtori për Kosovën dhe Metohinë” në atë vend.
Rakiq do të shfaqej i ashpër kundër shefit të tij në Kosovë, të cilin do ta akuzonte për tensionet në veri edhe pse barrikadat dhe sulmet kishin ardhur nga strukturat paralele serbe.
“Edhe një natë pa gjumë për popullin serb, e tillë ka qenë ditët, muajt, vitet, por edhe dekadat e kaluara... Për ta falënderuar komandantin e KFOR-it, e kemi njoftuar se nuk ka qenë veprim, por reagim i serbëve ndaj lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës. Edhe mbrëmë kam dëgjuar të panumërta nga presidenti Vuçiq i cili bëri thirrje për paqe… Kurti të mos iu drejtohet serbëve në Kosovë serbisht, sepse mesazhi është i qartë, le të flasë në gjuhën e tij amtare... Unë i them atij se serbët duan Asociacionin,” – kishte thënë ai, mes tjerash.
Ai do të shfaqej i ashpër kundër Kosovës, në mbrojtje të regjimit të Vuçiqit, edhe në të kaluarën në raste të ndryshme. Në muajin mars kishte deklaruar pa prova se Kurti "nuk i donte serbët" dhe se donte "luftë".
51 vjeçari që ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, megjithatë nuk është shkarkuar asnjëherë nga kryeministri Kurti. Ai ishte mbrojtur prej Kurtit edhe gjatë Qeverisë Kurti I por edhe gjatë Qeverisë Kurti II.
Pse nuk shkarkohet?
Pas vendosjes së tarifës doganore të njohur si Taksa 100%, Lista Serbe ishte larguar nga koalicioni që mbante në këmbë Qeverinë Haradinaj.
Largimi i Srpskas nga Qeveria Kurti II, në bazë të numrave aktualë në Kuvend, është paralajmëruar nga analisti serb Dushan Janjiq se mund ta rrëzojë Kurtin nga pushteti.
“Pres që në shtator Lista Serbe do të largohet nga Qeveria e Kosovës, dhe do të ketë shpallje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme,” – ishte shprehur ai për gazetën Danas.
Megjithatë, edhe me deputetët e Listës Srpska - dhe edhe nëse do të kishin vullnet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme – partitë opozitare nuk mund ta rrëzojnë kryeministrin Kurti nga pushteti me anë të ndonjë mocioni të votëbesimit.
Sidoqoftë, prania e Rakiqit në Qeverinë e Kosovës i jep Kurtit legjitimitet të shtuar në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Radojiçiqi dhe Rakiqi
Milan Radojiçiq kishte qenë zyrtarisht nënkryetar i Listës Serbe, por tashmë është në kërkim nga Policia e Kosovës.
Ai ishte përfshirë në një listë sanksionesh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) në fund të vitit të kaluar, së bashku me Zvonko Veselinoviqin dhe Zharko Veselinoviqin.
Milan Radojiçiq ishte akzuuar nga ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, se ishte i përfshirë në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq në vitin 2018. Këto akuza ishin mohuar nga ana e personit të lartpërmendur.
Por, bashkëpunimi mes Radojçiqit dhe Rakiqit kishte qenë vazhdimisht shumë i afërt, prej kohës kur ky i fundit ishte kryetar i Mitrovicës së Veriut e deri tash kur drejton Listën Serbe. Më poshtë keni disa fotografi të dyshes së përmendur.



Rakiqi e Kurti
Kurti nuk e ka shkarkuar ministrin e tij Rakiq në disa raste të ndryshme përgjatë kohës sa është kryeministër.
Shkarkimi i Rakiqit ishte kërkuar në muajin shtator 2021, gjatë aksionit policor që po ashtu prodhoi tensione. Njësoj edhe në kohën kur kishte pasur aksion kundër kontabandës gjatë muajit tetor 2021. E po ashtu, edhe në muajin prill 2022 e tash në korrik 2022.
Deklaratën më interesante për mos-shkarkimin e Rakiqit, Kurti e kishte dhënë 14 tetor 2021 në një konferencë për medie.
“Qartazi ne jemi në rrugën e drejtë dhe pikërisht për shkak se ne jemi në rrugën e drejtë Serbia e Vuçiqi nuk po arrin t’i mobilizojë serbët kundër veprimeve të drejta e të ligjshme të qeverisë tonë. Ne kemi goditur nervin e çështjes. Çështja nuk është Rakiqi. Shkarkimi i tij do ta bënte çështje,” – kishte thënë Kurti.
Fatkeqësisht, Rakiqi ishte bërë çështje edhe pa u shkarkuar derisa Serbia kishte arritur të mobilizonte serbët që t’i dilnin kundër veprimeve të drejta të institucioneve të Kosovës në veri.
Por, çështje ishin bërë edhe fotografi të ndryshme të Goran Rakiqit që Albin Kurti i shpërndante në Facebook nga mbledhjet e Qeverisë. Sidoqoftë, nuk besohet që në mes të jetë ndonjë afeksion personal.


Nacionalja ka hapur një sondazh në Viber: A duhet Kurti që ta shkarkojë ministrin Goran Rakiq?